Lirohet Damir Fazliç, sekseri i Qeverisë
SARAJEVe
Lirohet pas mbajtjes për 24 orë në polici biznesmeni nga Bosnja, Damir Fazliç, i njohur për lidhjet e tij me Qeverinë shqiptare dhe për zotërimin e tri kompanive me aktivitet në Shqipëri që nga viti 2005. Mediat boshnjake por edhe policia në Sarajevë, konfirmuan dje lirimin e biznesmenit të shumëpërfolur pas mbajtjes për disa orë në polici ku është marrë në pyetje. Policia boshnjake konfirmoi se do të hetojë në gjendje të lirë personazhin e konsideruar si këshilltar i Qeverisë shqiptare dhe sekser për ndërmjetësimin e kompanisë "BG&R", në konceptimin e fushatës së Partisë Demokratike para ardhjes në pushtet në korrik 2005. I dyshuari Fazliç u ndalua tri ditë më parë nga forcat speciale të policisë së Sarajevës bashkë me një personazh të kërkuar për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, Naser Oriç. Operacioni i policisë është zhvilluar pranë lokalit "Brajkoviç" ndërsa zëdhënësi i policisë boshnjake, Robert Cvrtak, deklaroi dje se bëhej fjalë për shoqërimin e biznesmenit Damir Fazliç, i cili ndodhej në zonën ku policia zhvilloi operacionin. Mediat në Bosnjë spekulojnë deri në akuza për trafik armësh, ndërsa prokuroria vendase zyrtarisht po heton ndaj Fazliç për përfshirje në shantazh financiar deri në shumat e 200 mijë markave. Lidhur me këto veprime të paligjshme që dyshohet se janë kryer prej tij, biznesmeni Damir Fazliç është marrë në pyetje nga hetuesit e policisë boshnjake dhe më pas është lënë i lirë. Mediat hodhën dje dyshime se Fazliç u largua nga Sarajeva menjëherë pasi u la i lirë nga autoritetet e policisë, të cilat nuk dhanë sqarime nëse biznesmeni kishte paraqitur garanci pasurore para se të linte qelitë. Operacioni në të cilin u shoqërua Fazliç ka vendosur në pranga tetë persona, disa prej të cilëve janë lënë të lirë pasi u morën në pyetje nga autoritetet. Prokuroria federale e Bosnjës ka hapur një hetim për mashtrime dhe shantazh financiar nga kompanitë e fuqishme të biznesit, pas të cilave fshihet Damir Fazliç. Sipas policisë, ky i fundit ka kryer disa udhëtime në Shqipëri ku pas shtatorit 2005, ai ka regjistruar tri kompani biznesi, të cilat prej asaj kohe kanë kryer aktivitet dhe transaksione në Shqipëri. Më parë Fazliç ka ndërmjetësuar lidhjen e kontratës mes Partisë Demokratike të Shqipërisë me kompaninë "BG&R", e cila luajti rolin e konsulentes në fushatën e asaj kohe për zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut 2005. Pas zgjedhjeve, të cilat u fituan nga PD, Damir Fazliç ka vijuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me Qeverinë shqiptare si këshilltar i saj, ndërsa drejtonte tri kompani të mëdha për projekte urbane, të cilat u regjistruan në Tiranë. Kompanitë janë administruar nga persona të tjerë por zyrtarisht, pronar i tyre rezulton të jetë i ndaluari nga policia në Bosnjë, Damir Fazliç.
Braçe: Apel Prokurorisë të zbardhë implikimet me politikën
Partia Socialiste i bëri thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet mbi faktet e publikuara për implikimet e Damir Fazlliç me shtetin shqiptar. Nëpërmjet një deklarate për shtyp nga selia e PS, nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Erjon Brace, pohoi faktet e publikuara për implikimet e Fazlliç. "Apeli ynë është për autoritetet e zbatimit të ligjit, nga organet e tatim- taksave, tek drejtoria e famshme e pastrimit të parave deri tek Prokuroria, madje Prokuroria e Përgjithshme: Të hetojnë këtë xhiro kriminale në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Nis atje dhe mbaron po atje. Krimet po bëhen kapicë, qeveria ka rënë, njerëzit po hanë korrupsionin, por qytetarët duan drejtësi", tha Braçe. Numri dy i grupit të deputetëve socialistë ngriti disa pyetje në adresë të kryeministrit të vendit, Sali Berisha, për dijeni të tij rreth aktivitetit të Fazlliç në Shqipëri. Duke paraqitur të dhëna, Braçe shtoi se, biznesmeni boshnjak ka pasur lidhje të forta dhe ortakëri me familjarë të ministrit të Jashtëm Lulëzim Basha dhe ka kryer të gjitha veprimet ligjore në studion e vajzës së kryeministrit, Argita Berisha.