E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Qeveria, primitive me BB

 

Aristir Lumezi

Kreu i PS-së, Edi Rama, e cilësoi si të turpshëm qëndrimin e qeverisë ndaj shqetësimeve të Bankës Botërore për projektin e Jalit. Rama deklaroi se Berisha po hakmerret për projektin e kritikuar, ndërsa garantoi se pas 28 qershorit do të rinisë projektet me BB-në dhe FMN-në. Gjatë një konference për shtyp dje në selinë rozë, kryesocialisti Edi Rama tha se qeveria ka hyrë në një konflikt primitiv me partnerët ndërkombëtarë. “Qeveria shqiptare u soll edhe njëherë sipas kodit primitiv të një bashkësie të pazhvilluar, duke hedhur të gjithë baltën e mundshme mbi Bankën Botërore, edhe pse përgjegjësia kryesore në degjenerimin e projektit të Jugut është absolutisht e saja, që nga konflikti flagrant i interesit deri te menaxhimi skandaloz i projektit”, tha Rama. Sipas kryetarit socialist, kjo marrëdhënie e kryeministrit me këtë institucion vjen si pasojë e aferave korruptive të tij dhe familjarëve të tij. “Akuzat e Sali Berishës e të ministrave të tij për Bankën Botërore, shpifjet e gënjeshtrat e tyre për gjoja korruptimin e Panelit të Inspektimit të BB-së, apo gjoja urdhrin e Bankës për prishjen e ndërtimeve të Jalës, pa llogaritur këtu baltën e rastit mbi opozitën, janë një turp që duhet ta mbajnë vetëm Sali Berisha e ministrat e tij dhe jo Shqipëria, që këta njerëz e përfaqësojnë për faqe të zezë me harbutllëkun e tyre primitiv. Që lidhet jo vetëm me të kulturën e tyre të mangët, por edhe me paaftësinë dhe korrupsionin e tyre”, tha Rama. Kreu socialist premtoi dje se pas ardhjes në pushtet në 28 qershor, qeveria e re e socialistëve do të rivendosë marrëdhënie normale dhe bashkëpunimi reciprok me këto institucione. “Unë dua për së pari të falënderoj Bankën Botërore në Uashington D.C dhe zyrën e saj në Tiranë, dhe dua po ashtu të garantoj se shqiptarët e shikojnë me shumë mirënjohje kontributin e jashtëzakonshëm e të pazëvendësueshëm që ky institucion ka dhënë për Shqipërinë. Unë siguroj gjithashtu se pas 28 qershorit qeveria jonë e re do të vendosë me Bankën një marrëdhënie të re bashkëpunimi e respekti të ndërsjellë”, tha Rama. Sipas tij, që prej vitit  1991, Banka Botërore ka miratuar për Shqipërinë 67 projekte me një vlerë totale rreth 997.5 milionë dollarë, të  fokusuara në sektorët më prioritarë të vendit tonë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›