NATO, PD-PS shmangin ndryshimin e Kushtetutës
Anëtarësimi në NATO për pak nuk detyroi Parlamentin të ndryshojë Kushtetutën e vendit për çështjen e kalimit të trupave të huaja ushtarake. Përgatitja e procedurave të fundit ligjore nga Kuvendi i Shqipërisë për anëtarësimin e vendit në NATO, ka shmangur këtë herë një ndryshim eventual të Kushtetutës. Në nenin 12 të saj, Kushtetuta i jep të drejtë Kuvendit të lejojë kalimin e forcave të huaja ushtarake në territorin e Shqipërisë. Por, ekspertët kanë gjetur si zgjidhje që, me ligjin e miratuar në unanimitet, Kuvendi t’ia delegojë këtë të drejtë Këshillit të Ministrave, pa qenë e nevojshme të ndryshohet Kushtetuta dhe për t’i dhënë siguri aleatëve në përmbushjen e menjëhershme të detyrimeve që rrjedhin nga traktati i Uashingtonit. Në unanimitet të plotë Komisioni i Ligjeve ka miratuar projektligjin, nëpërmjet të cilit Shqipëria pranon të bëhet pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut, ose thënë ndryshe pranon të bëhet anëtare e NATO-s. Ministria e Jashtme pret që të gjitha procedurat formale të mbyllen brenda pak ditësh, në mënyrë që Shqipëria të cilësohet vend me të drejta të plota në NATO. Por, pas miratimit në Komisionin e Ligjeve, Shqipëria pret që të gjitha vendet anëtare të dorëzojnë në Uashington instrumentet e ratifikimit. Pas kësaj Departamenti i Shtetit njofton sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe në fund Parlamenti i Shqipërisë miraton ligjin, bashkë me paketën e kaluar me unanimet në Komisionin e Ligjeve. Nga ai moment, që pritet të ndodhë në dhjetëditëshin e fundit të marsit, Shqipëria është ‘de jure’ anëtare me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe do t’i duhet të kontribuojë në buxhetin e Aleancës me 742 mijë e 127 euro.