E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë;Vodhën 150 milionë lekë me karta false, ndalohen piratët italianë

Nga Italia në Tiranë me një qëllim, të vidhnin me karta të klonuara nga pikat e bankomateve paratë e klientëve fatkeq. Por, loja e tyre është zbuluar nga Policia e Shtetit, e cila nëpërmjet finalizimit të operacionit “Paterica”, ka vënë në pranga dy 25-vjeçarë italianë, mjeshtëra të këtyre vjedhjeve të sofistikuara. Sipas burimeve nga policia, të rinjtë kishin arritur që të grabisnin rreth 150 milionë lekë të vjetra nga banka “Intesa San Paolo”. Në prangat e specialistëve të Drejtorisë Kundër Krimit Financiar dhe Drejtorisë të Policisë së Qarkut ranë Luca Calvi dhe Gabriele Pasqualino, me banim në Genova të Italisë. Ndalimi i tyre u bë, pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në vende dhe kohë të ndryshme, kanë kryer tërheqjen e shumave të parave në mënyrë të paligjshme në bankomatet e bankës “Intesa San Paolo” në Shqipëri, duke përdorur karta plastike me të dhëna bankare të falsifikuara. Të rinjtë u ndaluan në flagrancë rreth orës 01:00 të ditës së djeshme në një nga ATM-të e kësaj banke. Nga kontrolli i personave në momentin e kapjes në flagrancë dhe i ambienteve të dhomës së një hoteli luksoz në Tiranë, ku ishin strehuar këta shtetas, u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale një kompjuter lap top me informacionin e plotë për kartat bankare dhe PIN-in e tyre, një pajisje elektronike “Memory card reader” që u shërbente për vjedhjen e informacionit të kartave bankare, 19 karta bankare, nga të cilat 5 janë pa mbishkrime me informacionin bankar në të, një shumë prej 23.000 euro, një shumë prej 200.000 lekësh të tërhequra nga ATM në Tiranë dhe një autoveturë e tipit “Chrysler”, me targa TR7726R, me ngjyrë të zezë, e një dosje për kamuflimin e kartave plastike. Sipas policisë, kjo ishte hera e dytë që dy të rinjtë e kryenin këtë aktivitet kriminal në Shqipëri. Nga informacionet e marra në degët e bankës “Intesa San Paolo” kanë kryer mbi 750 transaksione, nga këto mbi 350 transaksione të suksesshme dhe mbi 400 tentativa. Janë përdorur mbi 250 karta. Shuma e parave të tërhequra llogaritet mbi 15.000.000 lekë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›