E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse nuk flasin femrat e Ramës?

Ka më shumë se një javë që gjithë politika shqiptare është përfshirë në debate të tejskajshme akuzash e kundërakuzash për jetën e kreut të Partisë Socialiste Edi Rama. Faqet kryesorë të gazetave dhe ekranet e televizioneve në minutazhin kryesor të edicioneve të lajmeve ua kemi dedikuar politikanëve të majtë e të djathtë; burra, djem, gra e vajza që të paktën dalin në nja 6 a 7 konferenca shtypi për të thënë se sa shumë Rama ka abuzuar me femrat e jetës së tij (sipas të djathtës + LSI) dhe nga ana tjetër, të majtët, dalin në mbrojtje të moralit të kreut të Partisë Socialiste.
A mund të lahet morali i politikës sonë në fakt me politikën e pamoralshme që po bëhet ditët e fundit? A është morali i Edi Ramës halli i vërtetë i shqiptarëve?
Pse qenka më e rëndësishme për politikanët shqiptarë sjellja e Edi Ramës me femrat e veta, dhe nuk është për shembull kriza politike që ka përfshirë vendin? Nuk diskutohet sesi do të dalim nga kriza, se cilat janë rrugët për të kthyer opozitën në vendet që i takojnë në Kuvend, nuk diskutohet se çfarë do të bëhet me reformat më të rëndësishme në vend që kërkojnë dhe votat e opozitës...por diskutojmë për femrat e Edi Ramës.
Eshtë më e rëndësishme për politikanët shqiptarë të acarojnë deri në ekstrem gjuhën dhe deklaratat për femrat e Edi Ramës, por nuk pamë asnjë prej tyre, as të majtë e as të djathtë, të dilte publikisht në konferenca shtypi, për t’u shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave të aksidentit tragjik katër ditë më parë me 6 të vdekur, në atë që është quajtur si “rruga e vdekjes”, autostratën Fushë-Krujë Milot, e ku ata djemtë nga 15-18 vjeç që humbën jetën në atë aksident tragjik nuk i kujtoi kush më pas veç familjeve të tyre, pavarësisht se shteti ka pjesën e vet të madhe të fajit për mungesën e theksuar të sinjalistikës rrugore në çdo skaj të vendit. Munguan ngushëllimet, a ndonjë tufë me lule, apo ato lot krokodili që derdhin politikanët shqiptarë sa herë ka ndonjë ngjarje të tillë kur aksidentet apo plagosjet e deri tek vrasjet, kanë ndonjë lidhje sado minimale me politikën.
U bë kaq kohë që politika shqiptare zihet për femrat e Edi Ramës, duke injektuar edhe opinionin publik, popullin e thjeshtë, të cilit shumë shpejt çmimi i energjisë elektrike do t’i rritet me më shumë se 40 përqind. Por jo, shqiptarët nuk e kanë mendjen te faturat që do të paguajnë, duan të dëgjojnë patjetër për femrat e Ramës edhe pse do të paguajnë më shumë, do të paguajnë pikërisht për të gjithë ata që nuk e paguajnë energjinë. Sepse qeveria, nuk mund të ndërmarrë politika proteksioniste apo kompensimi për ata të rregulltit. Sepse ka axhendën shumë të zënë me femrat e Edi Ramës.
1 dhjetori ishte dita kundër SIDA-s. Por jo, politika shqiptare nuk u shqetësua aspak se rastet me virusin vdekjeprurës po shtohen nga dita në ditë. Jo dhe jo. Femrat e Edi Ramës janë më të rëndësishme, s’ka problem se këtë vit kanë humbur të tjera jetë njerëzish qoftë nga pakujdesia e tyre, por edhe nga mungesa e politikave të qarta sensibilizuese për popullatën sesi duhet të mbrohemi nga virusi vdekjeprurës. Asnjë deklaratë. As majtas, e as djathtas nuk pati deklarata në Ditën Ndërkombëtare të SIDA-s.
Po mbytet Tirana dhe rrethet nga shirat e shumta të ditëve të fundit, por nuk e kemi hallin se po lagemi nga këmbët apo se po notojnë shtëpitë në ujë, hallin e kemi te femrat e Edi Ramës.
Të mbetur pas ekraneve ne presim nga minuta në minutë se cila do të jetë deklarata e radhës për femrat e kreut të Partisë Socialiste.
Në fakt, të vetmet që nuk kanë folur janë pikërisht ato, që rëndom këto ditë janë konsideruar si “femrat e dhunuara të Edi Ramës”. Bëhet fjalë për tre vajza të emancipuara, pa komplekse. E vetmja që ka folur është Matilda Makoçi, nëpërmjet nënës së saj, për shkak të gjendjes së saj shëndetësore. Ndërsa dy vajzat e tjera, janë vajza që, kam përshtypjen, nuk mund të konsiderohen as të shfrytëzuara, e as të paemancipuara. E para është Dalina Fico, aktiviste, sot drejton një OJQ në mbrojtje të të drejtave të grave të dhunuara. E dyta është Rudina Magjistari, një shoëgirl, biznesmene e menaxhere. Nuk mendoj se këto vajza janë kaq të dhunuara sa nuk mund të flasin. Ndoshta do të ishte më mirë t’i jepnin fund kësaj komedie politike që po kthehet në “tragjedi” për shqiptarët. Në mënyrë që këta të fundit t’u kthehen halleve të tyre pa menduar sesa të dhunuara janë femrat e Edi Ramës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›