E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse nuk funksionuan strukturat e së djathtës më 23 qershor?

28-06-2013 / Nga Sejdi Peka

Njeriu i ndershëm është qorr, ai nuk e shef batakçiun - Viktor Hygo
                                                                                                                         
Tanimë është shumë e qartë se Partia Demokratike hyri në zgjedhjet e 23 Qershorit e paorganizuar, për të mos thënë fare e shpartalluar në strukturat e saj, për t’ju përgjigjur një trysnie gjithnjë në rritje që vinte nga e majta ish komuniste,e cila ishte e etur për të marrë me çdo kusht pushtetin. Nga ana tjetër Kryeministri Berisha,i angazhuar maksimalisht në problemet e jashtëzakonshme të qeverisë, nuk pati kohën e nevojshme të merrej me riorganizimin e strukturave të Partisë Demokratike si proces i pandërprerë. Strukturat e partisë nuk ju përgjigjën standardit të një pune të pashembullt të një furie fushate dinjitoze elektorale që bënte Berisha, i palodhur nga jugu në veri. Disa nga kandidatët për deputet, një pjesë e tyre duke u ndjerë rehat në numrin rendor të listave përkatëse, nuk u angazhuan sa duhet në fushatën elektorale. Shumë prej tyre janë parë rëndom nëpër pabet e Tiranës apo qyteteve të tjera të Shqipërisë. Të tjerët që ishin larg “zonës për të fituar” u ndjenë rehat për të mos u njohur me elektoratin dhe t’i nxirrnin telashe vetes në të ardhmen me kërkesat dhe ankesat e njerëzve në rastin e një fitoreje të PD. I bie të themi se “kur Stambolli digjet, dikush krihet”. Jemi ndeshur me deklarata të tilla se “ne jemi deputetë, ju çfarë do të bëni”. Shumë pak u lidhën me strukturat e partisë, njohjen me elektoratin, me anëtarët e aktivistët e dalluar. Nga ana tjetër Berisha në një farë mënyre “u tradhtua” duke mos pasur informacionin e nevojshëm për gjendjen e organizimit dhe funksionimit të partisë. Duke besuar në ndershmërinë e tij që e karakterizon, u mashtrua nga një rreth vicioz që e rrethonte. Shkaqet e tkurrjes së elektoratit të Partisë Demokratike në këto zgjedhje mundet të jenë shumë faktorë që meritojnë një analizë të hollësishme në kuadrin e riorganizimit të kësaj partie. Ka shumë kohë që pas zgjedhjeve parlamentare ose lokale nuk bëhen analiza në bazën e partisë, të evidentohen gabimet e funksionimit të partisë ose shembulli i atyre individëve ose strukturave që janë dalluar. I thonë fjalës “si i murrmi dhe i currmi janë futur në një thes” duke mos pasur mundësinë për të korrigjuar atë që mundet të bëhej më mirë në të ardhmen. Nuk do të kisha të drejtën që të bëja një opinion për shkaqet e humbjes të PD në këto zgjedhje, sikur edhe më parë në shkrimet e mia modeste të mos kisha paralajmëruar defektet serioze të organizimit të kësaj partie. Projekti i z. Berisha për hapjen e partisë, në të kundërt konsistoj në mbylljen e saj, të një nepotizmi të shfrenuar duke katapultuar njerëz që nuk kishin asnjë kontribut në radhët e kësaj partie, duke i emëruar gjoja “në drejtimin e strukturave të partisë”. Ishin këta një armatë mercenarësh që nuk kishin asgjë të përbashkët me Partinë Demokratike. Nëse ishin miqtë e tyre, ata duhej t’i thërrisnin për darkë por jo në asnjë mënyrë të abuzonin me përkushtimin e anëtarëve dhe aktivistëve të dalluar të PD, të qëndrestarëve të saj, të gardës së saj që e kanë mbrojtur partinë e tyre në momentet më të vështira. Janë bërë përpjekje për shlyerjen e memories të aktivitetit dhe të përkushtimit të qëndrestarëve të kësaj partie që nga formimi i saj. Në këtë kontekst, ashtu si ka ndodhur gjithnjë dhe vazhdimisht, qëndrestarët edhe në këto zgjedhje u afruan për të dhënë kontributin e tyre por u panë “me syrin e njerkës”. -Çfarë kërkojnë këta këtu, koha e tyre ka shkuar-, ishte qëndrimi i hapur i atyre mercenarëve që kanë bërë përpjekje të privatizonin partinë. Në Degët e PD kudo në rrethe janë zhdukur arkivat e veprimtarisë të këtyre Degëve me qëllim për të mbuluar me natë kontributin e qëndrestarëve. Ka shumë vite që në strukturat e PD nuk janë bërë zgjedhje në seksionet, duke shkelmuar padrejtësisht statutin e kësaj partie. Drejtuesit e këtyre strukturave u morën pak ose nuk u  morën aspak me anëtarët e simpatizantët e PD, për hallet e problemet e tyre por vrapuan pas posteve të rëndësishme në institucionet e shtetit. E kam theksuar gjithnjë dhe vazhdimisht se i vetmi telefon i hapur që u përgjigjej demokratëve dhe në përgjithësi të gjithë shqiptarëve për halle dhe problemeve të tyre ishte telefoni i Kryeministrit. Ndoshta një arsye që këta funksionarë të PD ju shmangën takimeve dhe ballafaqimeve me elektoratin ishte fakti se deri në këtë kohë këta kishin mbyllur telefonat. Një gabim tjetër mendoj se nuk u vlerësuan pak ose aspak ish të përndjekurit politikë. Edhe në këto zgjedhje duket se ky fakt është vërtetuar dhe konfirmuar katërcipërisht se ish-të përndjekurit, kanë qenë dhe mbetën formacioni më vital dhe më i besueshëm i Partisë Demokratike. Është me të vërtetë mjaft trishtuese se ish të përndjekurit politik nuk do të kenë asnjë përfaqësues të tyre në Parlamentin e ardhshëm të Shqipërisë.
Duke parë rezultatin befasues të këtyre zgjedhjeve të humbjes së elektoratit të Partisë Demokratike është e qartë se Partia Socialiste nuk ka fituar. Kjo parti vetëm se ka ruajtur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2009 që vërteton gënjeshtrat e mashtrimet e Edi Ramës se gjatë këtyre viteve se “gjoja ja kanë vjedhur votat”. Andaj e kemi parë Edi Ramën të sterosur në fytyrën e tij, se ashtu siç kam shkruar menjëherë pas bashkimit me LSI, “janë dy aligatorët në një llucë që nuk dihet kush do të kafshojë tjetrin për karrigen e kryeministrit”. Sigurisht “kali i Trojës” në qeverinë Berisha dihej nga të gjithë shqiptarët se ishte koalicioni me LSI. Ky koalicion ishte i imponuar nga interesat kombëtare por që konsistoi një barrë e rëndë për demokratët. Në institucionet ku qeveriste LSI u vu re një korrupsion i padurueshëm, por që Berisha e kishte të pamundur ta pengonte për shkak të një mazhorance të brishtë. LSI punësoi militantët e saj në institucionet sa mundi dhe sa deshi, duke dyfishuar numrin e të punësuarve në kundërshtim me marrëveshjen. Vetëm me 4 deputetë, ajo mori ministritë që kishin numrin më të madh të të punësuarve, zv/kryeministrin dhe nga ana tjetër imponoi punësimet edhe në institucionet e tjera pa masë dhe kufi duke përfshirë edhe Bashkinë e Tiranës dhe pushtetin lokal në rrethe. Në momentin më të vështirë, LSI tradhtisht dhe pabesisht u tërhoq nga koalicioni duke rrezikuar rënien e mazhorancës së qeverisë Berisha mu në prag të zgjedhjeve. Berisha shmangu një moment shumë të vështirë që do të fuste Shqipërinë në një kolaps të paparë, i ngjashëm ndoshta me ’97-n. Duhet pohuar fakti se LSI është një parti klienteliste që në këtë fushatë elektorale nuk kishte asnjë program ose alternativë qeverisëse. Si parti klienteliste, ajo synonte vetëm pushtetin. Në këtë këndvështrim ajo ishte më e qartë në strategjinë e saj. Duke patur për qëllim vetëm marrjen e votës, LSI përdori dy mënyra shumë të sofistikuara për ta siguruar votat; e para blerjen e votës me para në dorë duke synuar nevojtarët që mundej të votonin Partinë Demokratike, sidomos në zonat rurale, dhe premtimet për punësim në administratën shtetërore dhe favore të tjera në zonat urbane. Në këtë kuadër u sulmua me të gjitha bateritë vetëm elektorati i Partisë Demokratike, ndërkohë në atë të PS nuk u tentua aspak. Dhënia e votës në këmbim të parave u bë një fenomen i shpifur por që hapur shikohej nga kalimtarët në rrugët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.
Nuk e themi për të justifikuar humbjen, por në historinë e Europës demokratike vetëm Helmuth Kol dhe Margaret Theçer kanë arritur të marrin 3 mandate në qeverisje. Gjenerali De Gol, heroi i Francës nuk mundi të marrë 3 mandate rresht. Berisha është dhe do të mbetet në histori si lideri që përmbysi sistemin komunist dhe arkitekti i ndërtimit dhe funksionimit të demokracisë, i reformave të thella në Shqipëri, një hero i Shqipërisë demokratike. Demokracia konsiston në fitoren dhe humbjen. E majta ish-komuniste po e trumbeton humbjen e PD me mentalitet komunist dhe stalinist të një pushteti totalitar të përjetshëm. Ata nuk kanë konceptin e funksionimit të demokracisë.Unë jam i shqetsuar se ashtu siç transmetoi edhe Radio Zëri i Amerikës, përpara ditë të vështira na presin. Duket se shqiptarëve u duhet të shtrëngojnë rripin me qeverisjen e ish-komunistëve që kanë përpara. Zgjedhje të tjera demokratike na presin. Partia Demokratike do të rikuperojë shumë shpejt humbjen, do të riorganizohet dhe të përgatitet për beteja të tjera të vështira por që do të fitojë përballë të majtës ish-komuniste.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›