Pse nuk ndryshoi norma e interesit
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mbështetur në tablonë aktuale të zhvillimeve të ekonomisë reale, të ecurisë aktuale dhe të pritshme në inflacion, si dhe në zhvillimet në tregjet financiare mori vendimin “Për ruajtjen e pandryshuar në nivelin 5.75 për qind, të normës së interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjella të riblerjes me afat maturimi një javor. Banka e Shqipërisë tregon edhe arsyet pse e mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit. “Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjykon se ky vendim do të shërbejë për të ruajtur qëndrueshmërinë e situatës makroekonomike në vend. Ai siguron kontrollin afatgjatë të presioneve inflacioniste brenda intervalit objektiv të Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu, ky qëndrim mbështet konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit të sistemit financiar në vend, duke reduktuar luhatshmërinë e treguesve të bilancit të pagesave dhe duke krijuar kushte për një përshtatje më të kontrolluar të agjentëve ekonomikë me kushtet e reja monetare e financiare”.