E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Edi Rama ka ngritur mbretërinë e spekullimit dhe luftës politike, për të dëmtuar garën që nuk e fitoi

04-07-2011 / Gazeta 55

Partia Demokratike me anë të zëdhënëses së saj Albana Mustafaraj reagoi sot pas deklaratave të bëra publike nga selia rozë, duke u shprehur qartë se mazhoranca është e vendosur të presë deri në fund certifikimin e rezultatit zgjedhor, duke respektuar institucionet demokratike.
Zëdhënësja demokrate tha se nga ana tjetër Edi Rama ka ngritur një arsenal të tërë spekulimesh, për të përbaltur atë proces që ai s’e fitoi dot më 8 maj. Mustafaraj theksoi gjithashtu se zgjedhjet ishin transparente dhe këtë fakt e tregon transmetimi i tyre në media.
“Edhe sot, z.Rama vazhdoi me ritualin e sulmeve dhe akuzave të pabaza ndaj procesit zgjedhor. Z.Rama ka ngritur tashmë mbretërinë e tij spekullimit dhe të luftës politike pa përmbajtje në përpjekje për të dëmtuar një garë ku ai nuk fitoi.
Zgjedhjet lokale të 8 majit, ishin zgjedhjet më të drejta, më paqësore dhe më korrekte të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri.
Në këtë përfundim kanë arritur edhe vëzhguesit ndërkombëtarë. 
Të gjithë e dinë se dhunë dhe presion në këtë proces ka ushtruar vetëm z.Rama. I pakënaqur nga rezultati i zgjedhjeve dhe nga vendimet e institucioneve të pavarura, z. Rama ka ushtruar vazhdimisht shantazh, ndaj KQZ dhe ndaj Kolegjit Zgjedhor.
Dhuna verbale e z.Rama tashmë është bërë e bezdisshme për të gjithë. Qytetarët e Tiranës e thanë fjalën e tyre dhe përmes një procesi transparent dhe demokratik, zëri i tyre u dëgjua. Kur qytetarët flasin, politikanët e kanë për detyrë të dëgjojnë.
Gjithashtu, edhe partnerët ndërkombëtarë e thanë fjalën e tyre. Ata kanë kërkuar nga partitë politike të  presin me qetësi dhe maturi përfundimin e procesit zgjedhor, dhe të respektojnë vendimet e institucioneve të pavarura.
Partia Demokratike është e vendosur në respekt të ligjit e kushtetutës së vendit, të presë me qetësi e maturi përfundimin e procesit, të vijojë të mbrojë fort punën e insitucioneve të pavarura në Shqipëri, duke pranuar pa asnjë objeksion vendimet e tyre”- u shpreh zëdhënësja e Partisë Demokratike, Albana Mustafaraj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›