Përplasja e automjeteve sjell një të vdekur dhe pesë të plagosur, mes tyre tre italianë
Aksidentet vazhdojnë të shkaktojnë sërish viktima në rrugët tona, ku vetëm në 24 orët e fundit raportohet për një të vdekur dhe pesë të plagosur, tre prej të cilëve janë shtetas të huaj. Burimet policore raportojnë se incidentet automobilistike ndodhen në akset rrugore të Lezhës dhe Gjirokastrës. Rreth orës 18.45 të ditës së djeshme, në aksin Fushë-Krujë - Lezhë, në afërsi të fshatit Shënkoll të Rrethit të Lezhës, janë përplasur me njëri – tjetrin dy automjete, duke shkaktuar një të vdekur dhe tre të plagosur, këta të fundit janë shtetas italianë. Burimet zyrtare të policisë së Lezhës bëjnë të ditur se teksa shtetasi Tonin Sukja po udhëtonte me një autoveturë tip Mercedes, me targa Le 47 44 A, në drejtim të fshatit Tale, ku edhe banonte, në kryqëzimin e rrugës së Shën Kollit i ka prerë rrugën një autoveturë tip BMV brenda së cilës udhëtonin tre shtetas italianë. Sipas tyre, të gjithë këta ishin anëtarë të një familjeje. Duke iu referuar të dhënave zyrtare, si pasojë e përplasjes së dy automjeteve ka gjetur vdekjen teksa po shkonte drejt Spitalit të Lezhës Tonin Sykja, ndërsa janë plagosur rëndë dhe ndodhen në spital Antonio Cirilja nga Italia, bashkëshortja e tij, e lindur në Fushë-Krujë dhe djali i tyre i vogël. Burimet spitalore bëjnë të ditur se gjendja e 62-vjeçarit Cirilja është e rëndë, ndërsa gruaja dhe i mituri janë jashtë rrezikut për jetën.
Po dje, drejtuesit e dy mjeteve mbetën të plagosur si pasojë e një aksidenti që ndodhi në rrugën kombëtare Gjirokastër-Kakavijë. Burime të policisë që shkuan në vendngjarje thanë se aksidenti, ku u përplasën dy automjetet, njëri tip ‘Benz’ dhe tjetri tip ‘Audi’, ndodhi në afërsi të fshatit Kordhocë, katër kilometra larg qytetit të Gjirokastrës. Të njëjtat burime nuk bënë të ditur identitetin e drejtuesve të dy mjeteve, por thanë se njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Dy ditë më parë, në afërsi të kthesës së Libohovës, rreth 300 metra larg rrugës kombëtare Gjirokastër-Kakavijë, humbi jetën një 18-vjeçare, ndërkohë u plagos rëndë drejtuesi i automjetit.
16 Shkurt 2008