E plagos me armë, i preku me bërryl vajzën në mes të tregut
Policia arreston Rasim Millën pasi akuzohet se ka plagosur Blendi Blinin. Shkaku: një prekje me bërryl e vajzës së tij në mes të tregut
Aleksandër Noka
MAMURRAS - Një e prekur me bërryl krejt rastësisht në tregun e fruta-perimeve në qytetin e Mamurrasit ka çuar më pas në organizimin e një prite dhe përdorimin e armëve të zjarrit, ku ka mbetur i plagosur rëndë një 27-vjeçar në Mamurras, i cili ka përfunduar në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ndërsa policia ka mundur të prangosë autorin e krimit brenda pak orësh dhe të zbardhë të plotë ngjarjen. Burime zyrtare të policisë së Kurbinit bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi rreth orës 13.40 të ditës së djeshme, në të hyrë të qytetit të Mamurrasit. Rasim Milla, së bashku me vëllain e tij Kujtimin, i kanë zënë pritë 27-vjeçarit Bendin Blini, lindur në fshatin Prosek të Mirditës, në shenjë hakmarrjeje pas një incidenti krejt pa rëndësi të ndodhur në tregun e fruta-perimeve.
Konflikti
Të njëjtat burime saktësojnë se vetëm 30 minuta para ngjarjes Bendin Blini ishte në tregun e qytetit dhe preku pa dashje me bërryl Rasim Millën, i cili ishte i shoqëruar me vajzën e tij. Kaq ka mjaftuar që ngjarja, megjithëse i riu i ka kërkuar të falur, të kthehej në sherr. Më pas situata degjeneroi në përdorimin e armëve të zjarrit. Menjëherë Rasimi ka vajtur në shtëpinë e tij në Mamurras dhe pasi ka marrë villain e tij Kujtimin, si dhe një pistoletë, ka zënë pritë në hyrje të qytetit, nga po lëvizte edhe Bendini. Me t’u afruar 27-vjeçari, dy vëllezërit Milla i janë suluar atij duke e qëlluar me grushte, ndërsa në një moment ai u ka rrëshqitur nga duart dhe ka tentuar të largohet. Por në këtë moment Kujtim Milla ka nxjerrë pistoletën, duke qëlluar mbi Blinin. Tre bashkëqytetarë të vëllezërve Milla kanë ndërhyrë, duke shmangur ekzekutimin në vend të 27 vjeçarit pasi ai ka mbetur në tokë i mbuluar me gjak dhe dy vëllezërit Milla kanë tentuar ta qëllonin përsëri. Kanë qenë banorë të Mamurrasit që kanë dërguar të plagosurin në Spitalin e Laçit e prej andej në Spitalin Ushtarak në Tiranë, në gjendje kritike për jetën. Me dhjetëra persona ishin të pranishëm në zonën ku u plagos Blini.
Arrestimi
Me të marrë njoftimin, policia e Kurbinit ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka mbledhur edhe informacionet paraprake rreth autorëve të ngjarjes, të cilët kanë nxituar të largohen në drejtim të paditur. Organizimi i shpejtë i policisë, e cila bllokoi të gjitha hyrje-daljet e qytezës së vogël dhe krehja e menjëhershme e zonës, bëri të mundur arrestimin e Rasim Millës. Kaq ka mjaftuar që të zbardhet menjëherë e gjithë ngjarja. Ndërsa është vënë në kërkim i vëllai i tij, Kujtim Milla, pasi ka bashkëpunuar në realizimin e atentatit. Ndaj dy vëllezërve Milla tashmë rëndon akuza “vrasje e mbetur në tentativë, në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Prangoset i harruari nga policia, kërkohej prej 18 vjetësh për plagosje
LEZHË – Ishte harruar prej policisë prej gati 20 vjetësh, por më në fund policia e Lezhës e ka arrestuar. Burimet policore bëjnë të ditur se ka rënë në prangat e policisë shtetasi Nazmi Kamberi, i shpallur në kërkim 18 vjet më parë. Arrestimi i tij është kryer në mes të qytetit të Lezhës, teksa Kamberi po lëvizte lirisht. Në 10 vitet e fundit, ai nuk ishte trazuar fare nga strukturat e rendit. Burime të policisë së Lezhës bëjnë të ditur se Nazmi Kamberi është shpallur në kërkim që në vitin 1990 nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Dibrës, pasi ai ka qenë banor i Dibrës në atë kohë. Kamberi ka tentuar të vrasë një bashkëqytetar pas një konflikti për pronësi. Ndaj Kamberit ishte ngritur akuza “vrasje e mbetur në tentativë”. I kërkuari nga Drejtësia jetonte prej dhjetë vjetësh në Lezhë, por vetëm dje, rreth orës 15.30, është përballur me “ndëshkimin” e vonuar të ligjit për krimin që ka kryer. Sot pritet që të transferohet në policinë e Dibrës, aty ku ka kryer krimin dhe ku është dhënë vendimi nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Dibër.
16 Shkurt 2008