E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani: “Shqyrtoni rastet e abuzimeve të policisë”

Laureta Rryçi
Tiranë - Avokati i Popullit ka përpiluar një shkresë zyrtare për rastet ku veprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit kanë sjellë pasoja të rënda. Nëpërmjet rekomandimit, Ermir Dobjani kërkon të analizohen qëndrimet e paligjshme subjektive që kanë mbajtur përfaqësuesit e shtetit gjatë disa gjykimeve civile në gjykata në çështjet me objekt shkaktim dëmi nga veprimet e punonjësve të policisë. Rekomandimi i është dërguar ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, atij të Drejtësisë, Enkeled Alibeaj, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ahmet Premçit si dhe Avokatit të Popullit.
Konstatimi
Sipas Avokatit të Popullit, në rastet e gjykuara dhe të përfunduara rezulton se shteti është përfaqësuar kryesisht me përfaqësuesit vendorë të Avokatit të Shtetit dhe të Drejtorive të Policive në Qarqe, të cilët gjatë gjykimit të rasteve në fjalë kanë mbajtur qëndrime subjektive dhe jo në pajtim me kërkesat e ligjit ku parashikohet edhe përgjegjësia civile pa faj e organit të administratës shtetërore dhe e punonjësve të tyre, sidomos në rastet kur ato kanë vepruar me keqbesim. Një qëndrim dhe veprim i tillë ka pasur reflektim negativ tek të afërmit, familjarët apo trashëgimtarët e viktimave apo të dëmtuarve. Ata nuk kanë hezituar të ankohen tek Avokati i Popullit për qëndrimet subjektive të përfaqësuesve të Avokatit të Shtetit duke pasur parasysh ngjarjet e rënda dhe pasojat e ardhura nga këto veprime të kundërligjshme. Ky qëndrim sjell si pasojë uljen e reputacionit dhe imazhit të vetë shtetit që përfaqësohet prej Avokatëve të Shtetit. Sipas Dobjanit, ky qëndrim i mbajtur nga përfaqësuesit e Avokatit të Shtetit vjen në kundërshtim të hapur jo vetëm me Kushtetutën dhe ligjet shqiptare, por edhe me parimet kryesore të shtetit të së drejtës dhe konventat e ndryshme ndërkombëtare.
Sugjerimi
“Duhen krijuar dhe forcuar, po të jetë e nevojshme, mekanizma gjyqësorë dhe administrativë që u lejojnë viktimave të sigurojnë reparacionin me anë procedurash zyrtare ose jo, që të jenë të shpejta, të drejta, pak të kushtueshme dhe të arritshme. Viktimat duhet të informohen për të drejtat që u janë njohur për të kërkuar reparacionin me anë të këtyre mjeteve”, - thuhet në shkresën zyrtare që ka dërguar Ermir Dobjani. Sipas këtij të fundit, mjetet jogjyqësore të zgjidhjes së konflikteve, përfshirë ndërmjetësimin, arbitrazhin dhe praktikat e së drejtës zakonore ose praktikat autoktone të drejtësisë, duhet të përdoren, po të jetë nevoja, për të lehtësuar pajtimin dhe për të siguruar reparacionin për viktimat. Autorët e veprimeve kriminale ose të tjerë përgjegjës për sjelljen e tyre duhet, për aq sa është nevojshme, të riparojnë me drejtësi dëmin e shkaktuar viktimave, familjeve të tyre ose personave në ngarkim të tyre.

Konstatimet

1. Rasti “Jonada Dervishi” i FNSH-së
Më datë 04.03.1999, në fshatin Probrat të rrethit Berat, ka ndodhur që tre kriminelë që ndiqeshin nga FNSH të policisë, kanë hyrë në shtëpinë e shtetasit Belul Dervishi dhe kanë marrë peng vajzën e vogël 7-muajsh të quajturën Jonada Dervishi. Gjatë asgjësimit të kriminelëve nga forcat policore është plagosur rëndë në bark dhe në këmbën e saj e mitura Jonada Dervishi. Menjëherë asaj i është dhënë ndihma e shpejtë duke e çuar në Spitalin Ushtarak. Por fatkeqësisht asaj i është prerë këmba e djathtë dhe ka qëndruar një kohë të gjatë në spitale brenda dhe jashtë vendit, duke bërë shpenzime të mëdha për mjekimin e saj. Me Vendim gjyqësor të formës së prerë me Nr. 894 dt. 08.12.2003 të Gjykatës Rrethit Gjyqësor Berat, është vendosur detyrimi i Ministrisë Rendit Publik (Drejtoria e Përgjithshme e Policisë) t’i kthejë paditëses Jonada Dervishi shumën 9.602.042 lekë, të ardhura nga shkaktim dëmi, ndonëse përfaqësuesit e Policisë refuzonin të mbanin përgjegjësi civile. Mbas shumë ndërhyrjesh nga institucioni i Avokatit të Popullit është bërë e mundur që kjo shumë t’i paguhet të dëmtuarës Jonada Dervishi në vitin 2005.

2. Rasti “Gazmend Tahirllari” i Policisë së Korçës
Më datë 03.01.2003 ka ndodhur vrasja e shtetasit Gazmend Tahirllari. Kjo ka qenë një nga ngjarjet më të bujshme të dhunës policore, që pati si fund tragjik vdekjen e personit që shoqërohej për në Komisariatin e Policisë së Rrethit Korçë. Për këtë çështje u dënuan penalisht pesë punonjës të policisë së Komisariatit të Korçës. Pas dënimit penal prindërit e viktimës ngritën padi civile kundër organeve të policisë në Korçë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Tiranë, me anë të së cilës kërkuan shpërblimin e dëmit. Në fillim me Vendimin Nr. 618 dt. 23.03.2004 të Gjykatës Rrethit Gjyqësor Korçë, është vendosur rrëzimi i kërkesës. Ky vendim u la në fuqi me Vendimin Nr. 166 dt. 10.09.2004 të Gjykatës së Apelit Korçë. Paditësit bënë ankimin në Gjykatën e Lartë. Edhe Avokati i Popullit i bëri një rekomandim “Amicus Curia” Gjykatës së Lartë për këtë çështje, duke i konsideruar të padrejta vendimet e gjykatave. Me Vendimin Nr. 307 dt. 23.03.2006 të Gjykatës së Lartë është vendosur prishja e vendimeve të gjykatës së rrethit dhe të Gjykatës së Apelit Korçë si dhe dërgimi i çështjes për rigjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë, me tjetër trup gjykues. Përsa i përket mënyrës së zgjidhjes së çështjes nga të dy gjykatat e faktit, vendimet e të cilave prishen, Kolegji Civil vëren se referenca në nenin 32 të Kodit Civil është e gabuar në mënyrë evidente, sepse në rastin në shqyrtim nuk bëhet fjalë për dëme të shkaktuara nga organi i personit juridik gjatë përmbushjes së detyrës së tij. Të dyja gjykatat kanë bërë gjithashtu interpretim e zbatim të gabuar të nenit 618/1 të Kodit Civil. Sipas kësaj dispozite, “Punëdhënësi është përgjegjës për dëmet e shkaktuara të tretëve për fajin e punonjësve që janë në shërbim të tij, gjatë ushtrimit të detyrave që u janë besuar prej tij”. Në rastin në shqyrtim punëdhënësi është pala e paditur, Drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë, shkaktuesi i dëmit që vjen nga vdekja e viktimës është punonjësi i policisë që ka vepruar në tejkalim e shkelje të detyrave të ngarkuara nga ligji, rregulloreve të shërbimit të policisë dhe të urdhrave të eprorëve të tij. Gjatë gjykimit penal është provuar që vdekja e viktimës është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të tij të fajshme e të kundërligjshme. Në këto rrethana të provuara gjatë gjykimit penal plotësohet edhe kuadri i përgjegjësisë civile për shkaktimin e dëmit jashtëkontraktor si rezultat i vdekjes së personit. Pra, askush nuk e përjashton përgjegjësinë e shkaktuesit të drejtpërdrejtë të dëmit. Pra, krahas kësaj përgjegjësie të drejtpërdrejtë, neni 618/1 i K. Civil parashikon edhe përgjegjësinë pa faj të punëdhënësit, i cili duhet të përgjigjet ndaj të tretëve për dëmet që u shkaktohen atyre me faj të punonjësve që janë me shërbim të tij, gjatë ushtrimit të detyrave që u janë besuar prej tij. Punonjësi i policisë që ka shkaktuar vdekjen e viktimës ka qenë me shërbim pranë palës së paditur dhe në kryerje të detyrave të besuara prej saj për ruajtjen e rendit, parandalimin dhe ndjekjen e krimeve e mbrojtjen e qytetarëve. Jemi në dijeni se me Vendimin gjyqësor Nr. 2695 dt. 12.11.2007 të Gjykatës së rrethit Gjyqësor Korçë, pas rigjykimit është vendosur detyrimi i palës së paditur Drejtorisë Policisë të Qarkut Korçë, të dëmshpërblejë trashëgimtarët e viktimës Tahirllari, në shumën 2.902.062 lekë. Nëse kjo shumë është e mjaftueshme dhe e pranueshme nga trashëgimtarët e viktimës në rastin konkret është një vlerësim që e kanë ata në tagër që ta vlerësojnë.

3. Rasti “Altin Bejko” i RENEA-s
Më datë 27.10.2004 në fshatin Lazarat të Rrethit Gjirokastër është kryer një aksion nga forcat speciale të repartit RENEA të mbështetura nga forcat e Policisë së Qarkut Gjirokastër, me qëllim kapjen e personave me precedentë penalë në atë fshat. Gjatë këtij aksioni nga ana e punonjësve të policisë, të mbuluar me maska në fytyrë, është qëlluar me armë zjarri, veprim si rezultat i të cilit ka mbetur i plagosur edhe shtetasi Altin Bejko, i cili në atë moment ndodhej në lokalin e familjarëve të tij në atë fshat. Me Vendim gjyqësor Nr. 902 dt. 08.12.2006 të Gjykatës Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, është vendosur detyrim i të paditurit, organet e policisë së shtetit të dëmshpërblejnë paditësin Altin Bejko në shumën 13.664.628 lekë. Por vendimi është ankimuar nga përfaqësuesi i Avokatit të Shtetit në Gjirokastër. Gjykata e Apelit Gjirokastër ka prishur vendimin dhe çështja tani ndodhet për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, pas ankesës së zotit Altin Bejko.

Rekomandimi

1. Të analizoni rastet e konstatuara nga ana e jonë mbi qëndrimet subjektive që kanë mbajtur përfaqësuesit e Drejtorive të Policisë dhe të Avokatit të Shtetit në rrethe gjatë disa gjykimeve civile në gjykatë në çështjet civile me objekt, shkaktim dëmi nga punonjësit e Policisë së Shtetit.
2. Nga përfaqësuesit tuaj në të ardhmen të mbahet qëndrim ligjor dhe objektiv gjatë gjykimit të rasteve me objekt dëmshpërblimin e shtetasve për dëmet e shkaktuara prej punonjësve të administratës publike dhe në veçanti nga punonjësit e Policisë së Shtetit.
3. Për të gjitha rastet e kësaj natyre nga përfaqësuesit tuaj të zbatohen detyrimet ligjore duke ngritur padi regresi ndaj personave përgjegjës.
4. Ky rekomandim t’u bëhet i njohur gjithë avokatëve të shtetit si dhe gjithë Drejtorive të Policisë së Shtetit në Qarqe.

16 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›