Kryepolici italian: Në Shqipëri 100 të kërkuar nga ne
TIRANE - Zyra kryesore për luftën kundër krimit të organizuar në rajonin e Ballkanit do të vendoset në Tiranë. Një fakt i tillë u konfirmua dje nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë italiane, Antonio Manganelli, i cili gjatë vizitës së tij në Tiranë pati një takim pune me Kryeministrin Sali Berisha. Sipas kryepolicit Manganelli, "me vendimin e palës italiane u vendos që zyra ndërlidhëse e policisë italiane në Tiranë të transformohet në zyrën kryesore të të gjitha zyrave të rajonit të Ballkanit". "Ndërsa kryepolici italian takohej me kreun e qeverisë Berisha, grupi i ekspertëve dypalësh po punonte për koordinimin e luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe mafies", thanë burimet qeveritare. Ndërkaq, kryepolici italian zhvilloi më tej edhe një takim me homologun e tij Ahmet Prençi. Dy kryepolicët kanë diskutuar mes tyre ngritjen e një Task-Force të përbashkët mes policisë italiane dhe shqiptare për luftën kundër krimit të organizuar. Zyrtari i policisë italiane konfirmoi se autoritetet e shtetit fqinj kanë lokalizuar rreth 100 shtetas shqiptarë, të cilët qëndrojnë në Shqipëri, ndërsa janë në kërkim ose janë dënuar për krime të ndryshme në shtetin italian. Gjatë vizitës së tij në Tiranë, kreu i policisë italiane është pritur në takim edhe nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. "Në takimin e Kryeprokurores Ina Rama dhe Drejtorit të Policisë italiane, Manganeli, morën pjesë edhe prokurorë dhe pjesëtarë të tjerë të stafit të Prokurorisë së Përgjithshme. Gjatë takimit mes të dy palëve u diskutua rreth luftës së përbashkët të krimit të organizuar, luftës kundër trafikut të makinave, si dhe për procedimet penale respektive të të dy vendeve Shqipëri dhe Itali", thanë burimet zyrtare. Sipas tyre, një vëmendje e veçantë iu kushtua lokalizimit e ekstradimit nga Shqipëria të personave të kërkuar nga shteti italian. "Gjatë takimit u nënvizua klima e mirë e bashkëpunimit që ekziston mes strukturave të përbashkëta për zgjidhjen e çështjeve. Synimi i përbashkët është bashkëpunimi dhe rezultate sa më pozitive në të ardhmen në drejtim të luftës së përbashkët ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve", tha Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë. t.s