E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi i Dytë Detar i NATO-s takime në Durrës

DURRËS - Drejtues të lartë të Grupit të Dytë Detar të NATO-s, anijet e të cilit ndodhen për një vizitë miqësore në Portin e Durrësit, kanë zhvilluar sot paradite disa vizita kortezie në institucionet përfaqësuese të pushtetit vendor dhe qendror të qytetit bregdetar.
Prefekti Klodjan Pajuni priti në mjediset e Prefekturës komandantin e Grupit të Dytë Detar të NATO-s, kundëradmiral Sinan Ertugru, duke i uruar mirëseardhjen në Durrës. Prefekti Pajuni vlerësoi mbështetjen e dhënë nga NATO-ja për rritjen e kapaciteteve dhe modernizimin e forcave tona ushtarake. Ai tha se kjo vizitë shpreh mbështetjen e NATO-s për vendin tonë dhe anëtarësimin e saj në strukturat euroatlantike. Komandanti Ertugru falënderoi për mikpritjen që i kanë rezervuar qytetarët e Durrësit ekuipazheve të pesë anijeve të Grupit të Dytë detar të NATO-s. Më pas, drejtuesit e lartë ushtarakë të vendeve të NATO-s kanë vizituar Bashkinë e qytetit, ku janë pritur nga kryetari Vangjush Dako, i cili, pasi u ka uruar mirëseardhjen, ka shprehur mirënjohjen e qytetarëve durrsakë për misionin e NATO-s për Kosovën në vitin 1999. “Kalimi i trupave të NATO-s nga Durrësi e ka kthyer qytetin tonë në një tjetër urë lidhjeje mes shqiptarëve dhe NATO-s, tha Dako. Sipas tij, Durrësi përbën portën e Ballkanit për në Europë”. Komandanti Ertugru tha se ndjehet i privilegjuar që ndodhet në Durrës në krye të një misioni ushtarak si “Programi i vizitave portuale”. Kundëradmirali u dhuroi autoriteteve vendore në Durrës krestin-simbol të Grupit të Dytë Detar të NATO-s. Që nga dita e shtunë në Portin e Durrësit kanë mbërritur për një vizitë 5-ditore fregatat TCG Salihreis (Turqi), e cila është edhe flamurmbajtësja e luftanijeve të Grupit të Dytë Detar si dhe anijet ushtarake dhe HMS Somerset (Britani e Madhe), FGS Niedersachen (Gjermani), HS Hydra (Greqi) dhe ITS Euro (Itali).

4 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›