Dy të plagosur, përplaset makina me biçikletën
SHKODËR - Dy shtetas janë plagosur rëndë teksa ishin duke ecur me biçikletë. Burime zyrtare pranë policisë së Shkodrës thanë se ngjarja ndodhi mbrëmë, në kryqëzimin pranë katedrales “Shën Shtjefni” të qytetit, kur një furgon me targë SH 4881 C, i drejtuar nga Angjelin Uka, banor i këtij qyteti, ka përplasur shtetasin Haki Çardaku, 72 vjeç, banor i fshatit Dobraç të këtij rrethi dhe Vitore Rrahishta, 45 vjeçe, banore e lagjes “Mark Lula” të Shkodrës. Ata ishin duke ecur me biçikleta. Policia rrugore dhe policia e rendit, që shkuan menjëherë në vendngjarje, kanë dërguar dy të plagosurit në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku po u jepet ndihma e shpejtë. Sipas burimeve të policisë, mësohet se dy të plagosurit janë në sallën e reanimacionit në gjendje kritike për jetën. Ndërkohë, ekspertët e policisë rrugore janë duke bërë hetimet në vendngjarje. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar për në komisariatin e policisë për sqarime të mëtejshme.
Identifikohet autori i atentatit në disko
DURRËS - Forcat e policisë së Durrësit identifikojnë autorin e atentatit në një disko, ku mbeti një person i plagosur dy ditë më parë. Burimet zyrtare pohojnë se shtetasi Gazmend Çollaku, 22 vjeç, ka qëlluar me armë në lokalin “Bar Disko Riviera” në Lagjen Nr.1 të qytetit bregdetar mbrëmjen e së dielës, pas një konflikti për motive të dobëta, ku është plagosur shtetasi K.B., 38 vjeç, banues në Lagjen Nr. 18 Durrës. Sipas të njëjtave burime, mësohet se konflikti ndodhi për motive të dobëta. Autori i krimit, lindur e banues në Lagjen Nr. 18 Durrës, është shpallur person në kërkim. Burimet thanë se në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua një pistoletë tip “Zastava”, si dhe një krehër me fishekë. Ndërkohë që po punohet për kapjen e 22-vjeçarit Çollaku.
Ndalohet, kërkohej për trafik klandestin
GJIROKASTËR – Pas një viti është bërë e mundur që të ndalohet një 28-vjeçar, pasi kishte konsumuar veprën penale “dhënie ndihme për kalimin të paligjshëm të kufirit, të mbetur në tentativë”. Gentian Mullai, zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, tha se shtetasi Martjon Shehu, lindur dhe banues në qytetin e Gjirokastrës, është ndaluar në orët e para të mëngjesit të djeshëm, falë një aksioni të mirorganizuar të policisë. Ky aksion u krye në bashkëpunim edhe me specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, - tha Mullai.
4 Mars 2008