E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet falsifikatori, kishte vulat e 9 institucioneve shtetërore

SHKODËR – Deri më dje kishte arritur që të falsifikonte dokumente të institucioneve të rëndësishme shtetërore, por më në fund forcat e policisë së Shkodrës kanë arritur që të zbulojnë dhe të ndalojnë autorin. Forcat e rendit të Komisariatit të Shkodrës ndaluan dje paradite shtetasin Alfred Alija, i cili akuzohet për veprën penale të falsifikimit. Burime zyrtare pranë komisariatit të Shkodrës, thanë se, ndalimi i këtij shtetasi, lindur dhe banues në lagjen ”Ndoc Mazi” të qytetit të Shkodrës, i dënuar më parë me tre muaj heqje lirie (në vitin 2001) për veprën penale të ”falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”, u bë sepse gjatë kontrollit të banesës së tij janë gjetur nëntë vula të institucioneve të ndryshme, formularë, diploma, dëftesa pjekurie, dëftesa lirimi, libreza kursimi, nipte, dëshmi aftësie, certifikata, pulla fiskale, një printer dhe një skaner. Materialet procedurale në ngarkim të 32-vjeçarit Alijaj, i kaluan për ndjekje të mëtejshme prokurorisë së rrethit.

Bien dy zjarre brenda pak orësh, digjet i moshuari

SHKODËR – Dy vatra zjarri janë shfaqur gjatë ditës së djeshme në qytetin e Shkodrës, ku në njërin prej këtyre rasteve, ka mbetur i plagosur një i moshuar. Zjarri i parë ka rënë në një apartament në lagjen “Perash” dhe më pas vatra tjetër e zjarrit është spostuar pak metra më larg, po në lagjen “Perash”, në godinën e Medresesë së vajzave “Haxhi Sheh Shamia”. Shefi i zjarrfikësve të Shkodrës, Ilir Kopliku, tha se zjarri i rënë në katin e parë të një pallati pesëkatësh, ka djegur të gjitha pajisjet që gjendeshin brenda shtëpisë. Ndërkohë, gjatë këtij zjarri ka qenë në rrezik për jetën edhe 65-vjeçari Muhamed Hamzai, që jetonte në këtë banesë, por ndërhyrja me shpejtësi e forcave të specializuara të zjarrfikësve ka bërë të mundur nxjerrjen e tij dhe dërgimin në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Dy orë pas zjarrit të parë, po dje në mesditë, një tjetër zjarr ka rënë në godinën e Medresesë së Vajzave “Haxhi Sheh Shamia” të qytetit të Shkodrës. Ndërhyrja e zjarrfikësve këtu ka qenë e menjëhershme, gjë e cila ka bërë që zjarri të dëmtojë vetëm një klasë në katin e katërt, ndërkohë që pjesa tjetër e godinës ka shpëtuar. Ekspertët e zjarrfikësve dhe të policisë së rendit, janë duke bërë verifikimet e duhura për të nxjerrë edhe shkaqet e rënies së këtyre zjarreve.

Luftë me thika mes kunatave, plagoset rëndë 42-vjeçarja

FIER – Një 42-vjeçare nga lagjja “Afrim i Ri” në qytetin e Fierit është plagosur me thikë paraditen e djeshme nga kunata e saj. Burimet zyrtare të policisë së Fierit thanë se rreth orës 08:30 të ditës së hënë, 30-vjeçarja Ibra Draga, gjatë një sherri për motive të dobëta, ka qëlluar me thikë kunatën e saj, 42-vjeçaren Antoneta Draga. Draga ndodhet në spitalin e qytetit jashtë rrezikut për jetën. Fatmirësisht thika nuk ka prekur organet jetësore. Policia ka marrë në pyetje autoren e krimit, e cila do të ndiqet në gjendje të lirë për veprën penale të “plagosjes së lehtë me dashje”.

4 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›