E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsenal armësh në Kukës, “Cikloni 4” çon tre në qeli

KUKËS - Një kontroll rutinë i policisë në orët e vona të natës së kaluar ka bërë që të zbulohet një arsenal armësh në banesën e një qytetari të Kukësit. Burime zyrtare të policisë lokale thanë për gazetën se ngjarja zë fill rreth orës 20:00 të dy ditëve më parë. Burimet saktësuan se pas një kontrolli të policisë në mjetin që drejtohej nga shtetasi Gentian Metallari, 18 vjeç, banor i qytetit të Kukësit, u gjet një pistoletë tip “Zastava”. Menjëherë ai është ndaluar nga policia, ndërsa është kryer kontroll në banesën e tij, si dhe të fqinjit që e shoqëronte. Nga kontrolli policor në banesat e Elez Metallarit dhe fqinjit të tij, Fatmir Tusha, u gjetën 3 pistoleta tip “Zastava”, 2 automatikë AK 54, 6 mijë fishekë, 200 gramë tritol, 2 kapsolla dhe një sasi fitili. Tre personat u arrestuan nën akuzën e armëmbajtjes pa leje. Ndërkohë, materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe do të hetohet më tej për destinacionin e armëve.
Rasti
Kjo nuk është hera e parë kur kapen pistoleta të këtij lloji, për të cilat burimet thonë se vijnë nga Mali i Zi. Jo më larg se 18 prilli i vitit të kaluar policia organizoi operacionin “Cilkoni 3”, ku u vunë në pranga dy persona dhe u shkatërrua një rrjet i organizuar trafiku armësh në rrugën “Don Bosko”. Armët ishin marrë nga Mali i zi dhe ishin porosi për treguan vendas. Dy të arrestuarit, Edmond Abazi, 30 vjeç dhe Edi Kani, 28 vjeç, kanë qenë vetëm korrierët e mallit. Policia dyshoi se kishte rënë në gjurmët e një korridori që përdoret rëndom nga trafikantët shqiptarë të armëve për kalimin e paligjshëm. Operacioni, i cili ka qenë spektakolar, është kryer nga sektori i Luftës Kundër Trafiqeve dhe seksioni i Operacioneve Speciale. Ndërkohë që Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte mundur të siguronte disa prova me anë të përgjimeve në ngarkim të Abazit dhe Kanit. Në momentin e kapjes në flagrancë të arrestuarve u janë gjetur e sekuestruar 8 copë pistoleta të tipit “Zastava” 6.53 mm, një sasi prej rreth 13.900 lekësh, si dhe një autoveturë “Volkswagen” golf 4 me targë BE 404 LB.
Hetimet
Sipas burimeve zyrtare të policisë, operacioni i koduar “Cikloni 3” u konsiderua vazhdim i dy aksioneve të mëparshme, ku janë arrestuar katër ushtarakë në Lushnjë dhe dy persona të tjerë në Kukës. Sipas policisë, armët zastava janë prodhim jugosllav. Sipas hetimeve, çmimi i një pistolete tip “Zastava” varion nga 25 deri në 30 mijë lekë, në varësi të porositësit. Specialistët e policisë kishin rënë në gjurmët e këtij trafiku. Më 21 mars 2007, në sajë të operacionit të koduar “Cikloni 1”, u arrestuan katër ushtarakë për trafikun e fishekëve luftarakë në Lushnjë. Arif Mata, major në Shtabin e Brigadës 4460 në Helmës të Pezës; Medi Hasani, nënoficer; Pajtim Lama, nënoficer; Gramoz Bendo, magazinier në repartin ushtarak dhe Nasi Strori, punëtor i një guroreje në Berat, janë pesë të arrestuarit e operacionit të koduar “Cikloni”. Këta persona, duke përfituar edhe nga funksionet e tyre, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar të trafikojnë drejt Kosovës 57 mijë fishekë. Në sajë të vëzhgimeve dymujore është bërë i mundur edhe arrestimi i tre personave dhe sekuestrimi i fishekëve. Më 2 prill 2007, në sajë të operacionit të koduar “Ciklon 2”, ranë në pranga Bujar Doku dhe Bashkim Dervina. Përgjimet zbuluan trafikun e pistoletave turke që u gjetën të fshehura nga skaneri në shasinë e makinës. Në përfundim të operacionit të koduar “Cikloni 2” u bllokuan 22 pistoleta “Mini Blou”, që vinin nga Turqia me qëllim shitjen në tregun shqiptar. Makina ku ishin fshehur armët u bllokua në të dalë të qytetit të Kukësit nga policia lokale. Gjatë kontrollit të parë policia nuk ka gjetur gjë që të implikonte drejtuesin e mjetit Bujar Dokun dhe mikun e tij, Bashkim Dervina. Kontrolli me aparaturën speciale ka zbuluar të fshehura në shasinë e makinës 22 pistoleta të paketuara. Pas zbërthimit të makinës është konstatuar se 20 prej tyre ishin të tipit “Mini Blou” kalibër 6,35 dhe 2 copë të tipit “Bereta” të kalibrit 9 mm.

4 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›