Pse-të e arrogancës maqedonase
Mentor Nazarko
Lëvizjet e fundit të pushtetit maqedonas, drejt forcimit të mëtejshëm të identitetit sllav të shtetit të tyre, mund të shihen në disa mënyra. Ato mund të shihen si një lloj testimi i popullit shqiptar, i partive politike shqiptare aq sa mund të mbajnë presione të tilla. Mund të shihet si parafushatë elektorale, sa kohë që Kryeministri Gruevski është i famshëm për organizim zgjedhjesh të parakohshme kur ndien që është lart në sondazhe. Mund të shihet si një lloj sfide ndaj grekëve, në kuadrin e bisedimeve për emrin: pra të vendoset pala greke në banalitetin e reagimit për çdo gjë që bën kjo Qeveri, kah cenimit të së ashtuquajturës trashëgimi greke në Maqedoni, etj. Mund të shihet si përpjekje për të hapur një front pune për kompanitë mbështetëse, për shembull: Projekti “Shkupi 2014” është dhe punë, pra prodhon para nëpërmjet tenderëve, etj, etj. Mund të jetë njëherësh sprovë në të gjitha këto drejtime.
Por mbi të gjitha, ajo çka po ndodh në Maqedoni është dëshmi e luftës sistematike të palës maqedonase, të përfaqësuesve të saj politikë për të kontrolluar “tortën” apo “sallatën” maqedonase. Pra, në konkurrencën midis dy etnive kryesore për ta kontrolluar këtë “tortë”, pala maqedonase kërkon ta hajë të tërën, duke i lënë gjithnjë e më pak apo aspak prej saj, palës shqiptare. Maqedonasit për të kontrolluar burimet ekonomike, financiare, vendet e punës, etj,. bëjnë si pronarë të këtij territori, duke nisur që nga mohimi i përkatësisë shqiptare në identitetin historik të tij. Problemi nuk është të qortojmë palën maqedonase në mënyrë të përsëritur, deri në mërzi për këtë tendencë gllabëruese të “tortës”, siç bëjnë disa komentatorë patriotë. Problemi është të pyesim me një qasje introspektive: nëse shqiptarët janë realisht 40% e popullsisë së Republikës së Maqedonisë, nëse ata kontrollojnë me gjithë reduktimin e forcës së tyre, burime financiare dhe ekonomike të njëfarë rëndësie, pse ata nuk arrijnë të kontrollojnë pjesën e “tortës” që u takon? Pse kjo pjesë nuk është në rritje, por gjithnjë në rënie? Pra, përse statusi i shqiptarëve në Maqedoni është gjithnjë në rënie, apo në keqësim? Kjo s’ka lidhje me palën maqedonase: ajo gjithmonë do të kërkojë ta dobësojë palën shqiptare. Ama, pse shqiptarët falë vetes dobësohen?
Arsyeja e arsyeve, siç do mundohemi të provojmë, lidhet me cilësinë e klasës politike të shqiptarëve të Maqedonisë që me ikjen e apo reduktimin e aktivitetit të Arbën Xhaferrit, ideologut të çështjes shqiptare në ish-Jugosllavi ka humbur shumë. Kjo klasë politike, sigurisht produkt besnik i shoqërisë shqiptare në Maqedoni, paraqet një katalog cilësish që nuk i përshtaten statusit të popullit të tyre, por e dëmtojnë atë. Po rendisim disa prej këtyre cilësive.
Konfliktualiteti i lartë politik ndërshqiptar. Nuk mund të presim ndonjë marrëveshje me maqedonasit, nëse nuk kemi mirëkuptim ndërshqiptar. I vetmi moment kur shqiptarët e detyruan palën maqedonase të ulej dhe të negocionte në mënyrë pozitive statusin e shqiptarëve në Maqedoni, ka qenë në 2001. Asokohe shqiptarët bënë luftë, por dhe u gjendën bashkë përballë maqedonasve, me gjithë pamundësitë e ndryshme për të negociuar një marrëveshje më të mirë. Statusi i shqiptarëve, që janë të paktën 30% në Maqedoni, është shumë më inferior se i 5-10% të serbëve në Kosovë, apo pse jo dhe i ndonjë pakice në këtë vend. Pra vetëm lufta, por dhe bashkimi i shqiptarëve i ka detyruar maqedonasit të diskutojnë. Bashkimi i shqiptarëve është e vetmja armë paqësore përballë palës maqedonase: ai do të sigurojë një numër maksimal deputetësh shqiptarë, kyç për mbijetesën e çdo partie politike sllave në Qeveri. Bashkimi rreth një platforme objektivash kombëtarë, me gjithë ruajtjen e konkurrencës demokratike brenda dy partive shqiptare, është rruga që duhet ndjekur. Po si mund të arrihet kjo, kur shqiptarët mes vetes konsumojnë më shumë sherre sesa me palën maqedonase? Me ikjen e Xhaferrit, unik në moskonsumimin e asnjë sharjeje për rivalët politikë, iniciator i koordinimit ndërshqiptar, palët vetëm zihen me njëra-tjetrën. Teoritë tingëlluese mbi suspendimin e demokracisë, nëse nuk ka konkurrencë ndërshqiptare, do të vlenin për një vend normal, por jo për Maqedoninë.
Arsyeja e dytë është provincializmi i politikës shqiptare në Maqedoni. Ngurtësimi i politikës shqiptare brenda kufijve të Tetovës në Maqedoni dhe shndërrimi i konkurrencës politike ndërshqiptare në konflikt midis Zajazit dhe Tetovës, është një gabim i madh strategjik i shqiptarëve. Kjo politikë nuk ka asnjë sukses në ngritjen e një universiteti shqiptar, qoftë dhe privat në Shkup, qytetin e dytë më të madh shqiptar në Ballkan, universitet që do të zhvillonte jo thjesht në aspektin kulturor shqiptarët, por dhe nga pikëpamja shoqërore e pse jo dhe politike. Ky dështim është aq tronditës, sa duket sikur ka një lloj marrëveshje të heshtur midis politikës maqedonase dhe asaj shqiptare, për të ndenjur brenda Tetovës dhe mos guxuar të ndahet Shkupi. Pra, politika shqiptare është e ngulfatur nga pikëpamja hapësinore.
Arsyeja e tretë është qasja e liderëve shqiptarë ndaj pushtetit Ekzekutiv. Asnjëri prej tyre nuk merr pjesë në të dhe sikur të mos mjaftonte kjo, ata vendosin në rolin e zëvendëskryeministrave njerëz pa autoritet, të cilët s’kanë asnjë peshë në qeveri, as monitoruese, as vendimmarrëse. Kjo praktikë zvogëlon peshën e shqiptarëve në vendimmarrjen e përditshme të shtetit maqedonas, duke e kufizuar atë thjesht në takimin, njëherë në disa kohë, midis krerëve shqiptarë dhe Kryeministrit maqedonas. Qeverisja është një punë e përditshme, e çdo ore, dhe nuk mund të trajtohet me kaq papërgjegjshmëri.
Arsyeja e katërt është qasja e gabuar rajonale e politikanëve kryesorë shqiptarë. Ndërsa partia e zotit Ahmeti flirton me Greqinë kur është në opozitë, partia tjetër flet me gojën e kreut të saj për shkatërrimin e Maqedonisë, nëse nuk arrihet kjo kërkesë apo një tjetër e shqiptarëve. BDI-ja gabon me flirtimin: në të gjitha rastet, maqedonasit mund dhe duhet të jenë aleatë të shqiptarëve dhe jo të grekëve. Duhet punuar për krijimin e një aksi tjetër pro-perëndimor në Ballkan, që shkon nga Turqia, vijon në Bullgari, kalon nga Maqedonia e Kosova drejt Shqipërisë. Në këtë lloj aleance, me këtë përfshirje të Maqedonisë brenda realitetit shqiptar, faktori shqiptar në Ballkan fuqizohet ndjeshëm dhe konkurron në mënyrë të shëndetshme Greqinë apo këdo faktor tjetër. E gabuar në pikëpamje strategjike është dhe retorika për shkatërrimin e Maqedonisë. Tashmë është bërë e qartë prej bashkësisë perëndimore, prej aleatëve tanë më të mirë nga SHBA dhe Bashkimi Evropian se Maqedonia nuk shpërbëhet. Kjo retorikë, jo vetëm largon shqiptarët nga maqedonasit, por dhe ftoh shqiptarët e Maqedonisë me Perëndimin. Brenda kësaj qasjeje të gabuar strategjike është dhe nënvleftësimi prej partisë shqiptare në pushtet, i forcimit të ndikimit të vendeve arabe ekstremiste në shoqërinë shqiptare, diçka që shqetëson aleatët tanë strategjikë dhe i jep argumente palës sllave.
Po ashtu, partitë shqiptare përfshihen në gjoja aleanca preferenciale dhe me partitë kosovare, apo bëjnë garë kush të fitojë sa më shumë fotografi me kryeministrat shqiptarë të radhës në Atdheun amë. Edhe kjo garë i distancon nga njeri-tjetri liderët shqiptarë.
Këto ishin vetëm disa prej momenteve kryesore karakterizuese të defekteve të klasës politike të shqiptarëve të Maqedonisë. është e vërtetë se populli shqiptar i Maqedonisë ka vuajtur diskriminimin më të egër, për shkak se maqedonasit si etnia më e vogël, i kishin dhe i kanë më shumë frikë shqiptarët, sesa popujt e tjerë sllavë. Si pasojë, ky popull është më i varfëri, me përparim arsimor më të ulët. Universiteti shqiptar u hap për herë të parë në vitet’90 dhe klerikalizmi është ende i fortë. Por këto vështirësi s’mund të justifikojnë në asnjë mënyrë keqësimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoni. Maksimumi, mund të shpjegojnë ngadalësimin e përmirësimit të këtij statusi. Kështu që shumë përgjegjësi bien mbi përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Maqedonisë.