E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli zëvendëson foton e Presidentit Topi me logon e Kuvendit në zyrat e komisioneve



BLEDAR HOTI

Kuvendi ndërron foton zyrtare të Presidentit Bamir Topi, me logon zyrtare të vetë institucionit. Në komisionet parlamentare është vënë re se në vend të fotos së kreut të shtetit është vendosur logoja ngjyrë blu, në formë vezake, ku shfaqet e pikturuar godina e institucionit legjislativ, me mbishkrimin "Republika e Shqipërisë, Kuvendi". Në komisionin parlamentar të Politikës së Jashtme, poshtë kësaj steme të madhe, të binin në sy dhe dhjetëra shkronja, të ngjashme me citatet e dikurshme. Në të me germa kapitale shkruhej "Komisioni për Politikën e Jashtme". Mësohet e logoja blu e Kuvendit është vendosur në pjesën më të madhe të komisioneve, pikërisht në pjesën ballore të tyre, ku më parë ka ekzistuar fotoja e kreut të shtetit, Bamir Topi. Një gjë e tillë është realizuar në komisionet parlamentare të Sigurisë Kombëtare, të Veprimtarisë Prodhuese, të Integrimit. Në çdo vend të logos shkruhet me germa kapitale, emri i çdo komisioni. Ndërsa pritet që një gjë e tillë të realizohet dhe në komisionet parlamentare si çështjeve Kushtetuese dhe Ligjore, Ekonomisë, Medias dhe të Shëndetësisë. Administrata po punon që të gjitha komisionet parlamentare, gjithsej tetë, të jenë të pajisur me logon e posaçme të Kuvendit. Në fillim të sesionit parlamentare, me një urdhër të drejtuesve të Kuvendit, u vendos heqja e fotos zyrtare të Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Kjo u bë duke shkelur ligjin për protokollin e shtetit, ku fotoja zyrtare e Presidentit duhet të vendoset në çdo institucion shtetëror. Kryetarja Kuvendit, nëpërmjet zyrës së shtypit, e pranon një vendim të tillë, por e argumenton me faktin se nuk përdoret një praktikë e tillë. Kjo zyrë sqaron se "portreti i Presidentit të Republikës është hequr nga sallat e mbledhjeve apo takimeve në kryesinë e Kuvendit, pasi nuk ka qenë më parë praktikë vendosja e portreteve të kryetarit të shtetit në Parlament". "As presidentët e mëparshëm nuk kanë pasur portrete". Zyra e shtypit e Kuvendit theksoi se një praktikë e tillë nuk ekziston as në vende të tjera me demokraci parlamentare. Portreti i Presidentit të Republikës, jo më larg se në shtator të vitit 2009 ndodhej në të gjitha sallat e komisioneve të përhershme parlamentare. Ndërsa më parë, maxhoranca demokrate aktuale nuk e zbatoi një vendim për të pasur foton e Presidentit Alfred Moisiu. Kjo nisur nga fërkimet politike që maxhoranca demokrate kishte me kreun e atëhershëm të shtetit për ligje të ndryshme, si dhe për konfliktin për Prokurorin e Përgjithshëm. Që me marrjen e Presidencës, Topi sipas rregullit ligjor ka bërë edhe foton zyrtare, e cila do të përdorej nga të gjitha institucionet e vendit në Shqipëri. Një praktikë e tillë përdoret dhe nga shtetet fqinje, siç është edhe Italia, e cila foton e kreut të shtetit e ka në çdo shkollë dhe në institucione shtetërore.

Vendimi
Administrata e Kuvendi nxori urdhrin për të hequr foton e Presidentit të vendit, Bamir Topi. Të gjitha komisionet parlamentare e kanë zbatuar një urdhër të tillë, duke bërë që fotoja e Presidentit të mos ishte e pranishme. Kështu në të gjitha komisionet parlamentare është hequr fotoja-portret e Kreut të shtetit, Bamir Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›