E Diel, 1 Nëntor 2026

Studentët durrsakë do të marrin leksione në bankat e gjimnazistëve

 

Universiteti i Durrësit ka hapur auditorët, për plot 4500 studentë, por për efekt mbipopullimi leksionet do të zhvillohen pasdite edhe në disa shkolla të mesme të qytetit. Me rastin e kësaj dite, teksa ka përshëndetur të gjithë studentët që vijojnë studimet e larta, rektori i universitetit të Durrësit Agim Kukeli tha se “ndryshe nga një vit më parë numri i studentëve që regjistrohen është më i lartë nga çfarë kishin parashikuar”. Në këtë mënyrë ka dalë në pah mungesa e auditorëve, ndërsa si zgjidhje emergjente është menduar transferimi i tre fakulteteve në gjimnazet e qytetit. Por kjo gjendje sipas rektorit do te jetë e përkohshme, pasi është menduar ndërtimi i një godine të re tek ish-kinoklubi i portit, për të cilën pritet vetëm miratimi nga ana e KRRT-së së bashkisë së Durrësit. Si zgjidhje e pjesshme është menduar që këtë vit akademik fakulteti i edukimit të transferohet në shkollën e Mjeshtërisë sportive si dhe në shkollën e mesme “Leonik Tomeu”. Ndërsa shkolla e lartë profesionale e teknologjisë së automobilave si dhe menaxhimit të ambientit do të transferohet në Shkozet. Leksionet do të kryhen pas orës 14.30, kur të ketë përfunduar krejtësisht mësimdhënia në gjimnaze. Aktualisht në UAMD studiojnë 4500 studentë, të ndarë në 22 degë dhe 4 fakultete. Pak muaj më parë në ceremoninë e të diplomuarve të parë të Durrësit kryeministri Berisha i sugjeroi rektorit Agim Kukeli se “Durrësi duhet të ulë në bankat e tij universitare 10 000 studentë, pasi qeveria do të plotësojë çdo kërkesë”.                               o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›