Vasili kthehet si ish pedagog, te studentët e shëndetit publik
Ditën e parë të këtij viti akademik Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, e ka kaluar pranë studentëve të shkollës së shëndetit publik. Ka mjaftuar vetëm një telefonatë në orët e para të mëngjesit dhe Ministri i Shëndetësisë është shkëputur për pak çaste nga axhenda e tij zyrtare. Një ceremoni e ngrohtë që më shumë i ngjante një forme bashkëbisedimi mes profesionistësh, pa kamera dhe pompozitetin e ceremonive zyrtare. Një bashkëbisedim i zhvilluar së tepërmi me studentë të vitit të tretë. E thënë thjesht, rikthimi në shtëpi i një pedagogu që për vite me radhë ka milituar në radhët e shëndetit publik dhe ka qenë bashkëautor i shumë ligjeve në këtë fushë. “Shëndeti publik është një prioritet i patjetërsueshëm ndaj dhe ka nevojë për një nivel universitar modern”, ka thënë Petrit Vasili. Për herë të parë, ai ju drejtohej studentëve të këtij fakulteti, jo vetëm si një pedagog dhe si drejtues i dikasterit më të lartë të Shëndetit në vend. Mesazh të fuqishëm mbështetjeje, e ka cilësuar prezencën e ministrit Bajram Hysa, shefi i departamentit të shkollës së shëndetit publik. Shkolla e shëndetit publik është një degë e re pranë Fakultetit të Mjekësisë. Ajo ka vetëm tri vjet që funksionon si e tillë dhe i përshtatet sistemit 3+2 të Bolonjës.
Reformat në shëndetin parësor ka qenë dhe kryefjala e Ministrit të ri të Shëndetësisë që në ditët e tij të para në këtë detyrë, ndaj dhe vizita e tij sot në auditorët ku përgatitet armata që do të shërbejë në këtë sektor, nuk ishte thjesht një koecidencë.