E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis viti akademik, studentët e mjekësisë në protestë

 

Kaotike si gjithnjë. Ecejake pa fund nga një korridor në tjetrin, e kafet përreth fakul-teteve të tejmbushura. Kështu e nisën dje ditën e parë të vitit akademik mijëra studentë. Zallamahia çorientuese është bërë e udhës të zgjasë më shumë se një javë. Gjërat e vetme që arrin të mësosh diku nga fundi i saj janë orari i ndryshueshëm përditë, deri sa më në fund të kap rrjedha normale. E kështu viti akademik nis vërtet. Por mes kësaj atmosfere, që arrin të impresionojë vetëm ata që ulen për herë të parë në auditorët e shkollave të larta, nuk munguan edhe protesta. Kanë qenë studentët e Fakultetit të Mjekësisë, të cilët nuk kanë pranuar të hyjnë në auditorë. Kjo për shkak të vendimit të dekanatit të këtij fakulteti, i cili thotë se nëse studenti ka tre provime të mbartura nga viti i parë dhe i dytë, kalon në stazh. Studentët të irrituar, thonë se nuk do të hyjnë në mësim edhe në ditët në vijim, pasi kjo bie ndesh me rregulloren e Universitetit të Tiranës, nga i cili presin një zgjidhje. Ata janë mbështetur edhe nga  aktivistët e lëvizjes MJAFT. “Ne kërkojmë që të ndiqet e njëjta procedurë si me vitet e mëparshme, nuk ka pse të vendosen rregulla të tilla arbitrare”, thonë studentët. Sipas tyre, protesta do të vazhdojë edhe ditët në vijim derisa këtij problemi t’i jepet një zgjidhje. Ashtu si edhe vitet e mëparshme, me ambientet aktuale fluksi i studentëve është i pamundur të përballohet. Drejtuesit bëjnë me dije se mësimi sërish do të jetë me turne, për aq kohë sa nuk ka shtim të ambienteve. Për fat të mirë vetëm dy ditë përpara se të niste viti i ri akademik u gjet një zgjidhje për studentët e juridikut dhe shkencave sociale. Ata që prej gati një viti kanë braktisur godinën e fakultetit, pasi rrezikon shembjen. Pas kërkesës së Universitetit të Tiranës  është arritur gjetja e tre mjediseve alternative për zhvillimin e mësimit për këto fakultete. Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale kanë nisur të zhvillojnë mësim në një prej godinave të Universitetit Ushtarak “Skëndërbej”. Ndërkohë, studentët e vitit të parë dhe të dytë të Fakultetit të Drejtësisë, sërish do të zhvillojnë mësimin në mjediset e “Kinoklubit” të Qytetit Studenti. Ndërkaq, ata të vitit të tretë dhe vitit të katërt do të akomodohen në një godinë të Fakultetit të Infermierisë, të vendosur në dispozicion vetëm për këta studentë.  Këtë vit janë ulur në auditoret e 11 universiteteve publike, rreth 30 mijë studentë të rinj. Në total bashkë me vitet e mësipërme numri i tyre i kapërcen të 120 mijë studentë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›