E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisionet, LSI e PBDNJ në vend të Gjinushit e Mediut

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcakton partitë politike që kanë të drejtën të përfaqësohen në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor për votimet e pjesshme të 15 nëntorit. Mbi bazën e shkresës së depozituar nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, është përcaktuar që partitë e mazhorancës të jenë Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Ndërsa në bllokun e opozitës, Kuvendi ka renditur Partinë Socialiste dhe Partinë e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut. Mbi bazën e Kodit Zgjedhor, KZAZ-të përbëhen nga shtatë anëtarë, ku ndër katër partitë zgjidhen dy nga maxhoranca dhe dy nga opozita. Mbi bazën e këtij raporti, Kuvendi ka përcaktuar PD dhe LSI në kampin e maxhorancës dhe PS e PBDNJ në atë të opozitës. Kjo ndarje e re ka nxjerrë jashtë loje Partinë Republikane dhe Partinë për Drejtësi dhe Integrim, të cilat përfaqësohen me një deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Në zgjedhjet e mëparshme si parlamentare dhe vendore partitë që kishin të drejtën për të marrë pjesë në komisione ishin PD, PS, PR dhe PSD. Tani me rezultatin e ri të zgjedhjeve parlamentare kanë mbetur jashtë republikanët dhe socialdemokratët. Të parët kanë vetëm një deputet, ndërsa LSI-ja ka katër të tillë. Socialdemokratët nga zgjedhjet e 28 qershorit kanë mbetur jashtë Parlamentit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndërkohë hodhi dje shortin se cilat parti politike do të kenë të drejtën e marrjes së drejtimit të KZAZ-së. Sipas Kodit Zgjedhor, anëtari i shtatë, që është edhe kreu i KQZ-së, zgjidhet me short ndërmjet PD-së dhe PS-së. Nga shorti i hedhur rezultoi se në tre KZAZ shumicën do ta ketë PS-ja, ndërsa në dy KZAZ shumicën do ta ketë PD-ja. Pavarësisht se PS-ja nuk është regjistruar dhe se përfaqësuesi i saj, Genc Gjonçaj nuk mori pjesë në mbledhjen e djeshme, KQZ-ja përcaktoi ndarjen e re të partive politike. Në ditën në vijim KQZ-ja ndërkohë duhet të shqyrtojë edhe partitë politike që kanë paraqitur emrat për anëtarë të KZAZ-ve. Në bazë të Kodit Zgjedhor, partitë që nuk paraqesin emrat e anëtarëve të KZAZ-ve, KQV, GNV do të zëvendësohen me partitë e tjera parlamentare. Aktualisht parti që janë në Kuvend janë Partia Republikane dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim. Por këto parti nuk janë të opozitës. Neni 29, pika 5 sanksionon se, “Nëse partitë politike të shumicës parlamentare dhe të opozitës parlamentare që kanë të drejtë të paraqesin kandidatura për KZAZ-të, nuk e ushtrojnë këtë të drejtë në afatin e përcaktuar në pikën 2 të nenit 28 të këtij Kodi, kjo e drejtë u kalon automatikisht partive që vijnë në radhë me numër vendesh në Kuvend pas të parave, brenda grupimit përkatës. Kur kjo nuk është e mundur, propozimet bëhen sipas pikës 1, shkronja “a” të këtij neni”.

ndryshimet

Cilat ikin

Partia Republikane
Partia Socialdemokrate

Cilat vijnë

LSI
PBDNJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›