E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pse u çarmatosën rojat e Presidentit”

Gardistët e grupit që shoqëron Presidentin e Republikës duhet të dorëzojnë armët e zjarrit menjëherë sapo të përfundojnë orarin e shërbimit.

Trazhgim Sokolaj

Urdhri i brendshëm i Gardës së Republikës është komunikuar pak kohë më parë për efektivat që shërbejnë për ruajtjen, shoqërimin dhe sigurimin e kreut të shtetit gjatë të gjitha lëvizjeve të tij. Disa punonjës të Gardës kanë pretenduar se një urdhër i tillë për dorëzimin e armëve është dhënë vetëm për njësinë e parë, e cila ruan Presidentin e vendit. Në fakt deri kohë më parë, ka pasur nga ata efektiva të Gardës që armët e punës i mbanin me vete edhe pasi kishin përfunduar orarin e shërbimit. Të pyetur rreth urdhrit të fundit nga gazeta “Panorama”, burimet nga Garda e Republikës konfirmuan se dorëzimi i armëve pas përfundimit të orarit të shërbimit është një gjë e ligjshme, e rregullt dhe krejt e zakonshme. Urdhri për ndjekjen e një procedure të tillë, sipas burimeve nga Garda, nuk ka të bëjë me ndonjë precedent apo ngjarje të caktuar, veç rregullores dhe përcaktimeve ligjore për ushtrimin e detyrës. Një qëndrim të ndryshëm mbajtën burimet nga Ministria e Brendshme, të cilat së pari e cilësuan pozitiv urdhrin e dhënë për gardistët në mënyrë që ata sapo të përfundojnë orarin e shërbimit, të dorëzojnë armët e zjarrit dhe të mos i mbajnë ato me vete në kohën kur nuk janë në detyrë.
Dypunësimi dhe incidentet
Sipas ministrisë, vitet e fundit deri pak kohë më parë, janë regjistruar disa precedentë kur punonjës të Gardës janë përfshirë në incidente jashtë orarit të punës dhe kanë përdorur armën e shërbimit. Po kështu, sipas ministrisë ka pasur raste kur gardistët shfrytëzonin armën e punës për të kryer një punë tjetër të dytë pasi mbaronin orarin zyrtar të shërbimit. Edhe pse duke e parë nga ky këndvështrim, Ministria e Brendshme e cilësoi pozitiv urdhrin e dhënë nga Garda e Republikës, kjo e fundit tha se shkaqet pse efektivave u është kërkuar të dorëzojnë armët jashtë shërbimit, nuk janë ndikuar nga dypunësimi apo incidente të ndodhura më parë. Sipas burimeve nga Garda, shërbimet e saj janë të organizuara në mënyrë të tillë që disa efektiva shërbejnë të pajisur me pistoletë dhe me armë automatike ndërsa një kategori tjetër pajiset vetëm me pistoletë gjatë kohës së shërbimit. Burimet nga Garda thanë se, në të dy rastet, urdhri është i tillë që gardistët duhet të dorëzojnë armët e zjarrit menjëherë sapo të përfundojnë kohën e shërbimit në ruajtje apo në shoqërim të personaliteteve shtetërore. Sipas burimeve të Gardës së Republikës, të gjithë urdhrat që jepen për efektivat kanë për qëllim funksionimin sa më të mirë të aktiviteteve që ndjek Garda e Republikës dhe përmbushjen e detyrës në përputhje me ligjin.  

Grupet e gardistëve të shoqërimit
Presidenti i vendit është personaliteti kryesor shtetëror për të cilin Garda e Republikës ka një sërë angazhimesh, që nga ruajtja dhe shoqërimi i lëvizjeve, zbatimi i protokollit të sigurisë dhe deri tek ruajtja për 24 orë në 24 e godinës së Presidencës. Garda gjithashtu është e angazhuar edhe në ruajtjen dhe shoqërimin e personaliteteve të tjera shtetërore sipas hierarkisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›