E Diel, 1 Nëntor 2026

Saranda, “shtëpia” në pritje të 200 mijë turistëve

Si një shtëpi e madhe që bëhet gati për të pritur mysafirë të nderuar është Saranda e këtyre ditëve, kur të gjithë nxitojnë t’u japin dorën e fundit përgatitjeve që kërkon një sezon veror i ngarkuar me vizitorë, pushues dhe turistë vendas e të huaj.

SARANDE/ SHPRESA DINE

Në pamje të parë, qyteti duket disi i rrëmujshëm, por të gjithë e dinë se këto janë orët e fundit që kanë mbetur për t’i dhënë Sarandës performancën që do ta bënte atë më tërheqëse e joshëse. Orët që kanë mbetur deri në ceremonialin e 3 majit, nuk janë shumë për të përballuar cilësisht punët e mbetura, të cilat bëjnë pjesë në risitë e sezonit turistik 2008. Ende punohet në detaj për të finalizuar investimin për një sistem të ri ndriçimi në segmentet e shëtitores e jashtë saj. Ndërkohë që instalimi vazhdon, këto janë edhe çastet e vënies në provë të asaj që është realizuar.
Përgatitja e qytetit
Lulishtarët gjithashtu i përgatisin sipërfaqet e gjelbra me më shumë merak për ditën e promovimit të turizmit, pasi Saranda nuk duhet të ketë të vetin vetëm blunë e detit, por edhe blerimin e mjediseve të veta çlodhëse dhe natyrisht edhe të hapësirave publike, që këtë vit kanë pësuar rritje. Supervizori për gjelbërimin në Bashkinë e Sarandës, Ismail Sinani, thotë se, 10 mijë m2 është sipërfaqja e gjelbëruar duke llogaritur këtu edhe 2500 m2 gjelbërim në muajt e fundit në zbatim të projektit të bashkisë “T’i kthejmë Sarandës gjelbërimin e munguar”. Në momentet e aplikimit të elementëve kompozicionalë shihet të ketë mbërritur puna për përfshirjen në sezon edhe të pikës muzeale arkeologjike, e cila ishte lënë për dhjetë vite jashtë suazës turistike të qytetit të turizmit. Ajo do t’u flasë vizitorëve dhe pushuesve të kësaj vere me mozaikun e ekspozuar të dyshemesë për lashtësinë e Sarandës së kohës kur njihej me emrin Onhezmi, por edhe me brilante të trashëgimisë kulturore si Butrinti, Finiqi, manastiri i Mesopotamit e Çukën e Ajtoit. Për herë të parë simbolet e sinagogës hebraike dhe imazhet floreale që përmban bazilika e Sarandës në qendër të qytetit, përgatiten të përcjellin atë informacion që lidhet me to, por që gjendet poshtë shtresave të rërës mbrojtëse të tyre. Për t’i prezantuar ato në sytë e publikut, nga Drejtoria e Monumenteve të Kulturës është realizuar shfaqja e imazheve të këtyre elementëve pak të njohur, për t’u bërë tërheqëse për qytetarët dhe vizitorët e pushuesit e kësaj vere. Ndërkohë që plazheve po u hidhet shtresa e fundit e rërës dhe bëhet pastrimi tërësor i sipërfaqeve të tyre. Kujdesi për sheshin kryesor dhe lulishten e shatërvanit është i posaçëm, gjë që ka shtuar numrin e njerëzve që preferojnë të çlodhen në këtë mjedis. E nga gjithë kjo sarandjotët janë të parët që u gëzohen këtyre përgatitjeve dhe kushteve më qytetare që krijohen që nga shëtitorja e “Hasan Tahsinit” deri përtej hotel “Butrinti”, apo në zonën më turistike që ka qyteti.
Ceremonia festive
Nisja e montimit të podiumit të festës në segmentin e shëtitores pranë bar “Limani”, e bën edhe më të fortë ndjesinë se 3 maji është vetëm pak orë larg e jo më shumë. Të shtunën çelet sezoni i ri turistik, “Verë 2008”, i konceptuar si festë mbarëpopullore me pjesëmarrjen e gjithë komunitetit. Do të jetë një festë e detit dhe e turizmit sarandjot, e gjitha e mbushur me aktivitete të dendura e të shumëllojshme. Një kalendar i tërë është ndërtuar nga bashkiakët dhe institucionet e tjera në varësi të tyre. Pas paraprirjes së kësaj dite me koncertin e orkestrës frymore të qytetit të një mbrëmje më parë, paraditja e 3 majit nis me veprimtari kulturore e sportive, të cilat do të zhvillohen përgjatë shëtitores dhe në kompleksin sportiv “Aleko Dajko” e përpara hotel “Butrinti”. Ceremonia e mirëseardhjes së të gjithë pjesëmarrësve dhe miqve të ftuar do të jetë paraditen e 3 majit. Qytetarët do të kenë mundësinë të ndjekin një koncert festiv, përgatitur enkas për Ditën e Detit. Panairi i prodhimeve vendase, që do të zërë vend të dukshëm në shëtitoren e qytetit, do të jetë zona më e vizituar nga masa e qytetarëve. Një pavijon arti më vete do të përbëjë punët e ekspozuara tek odeoni “Harqet”, ku piktorë vendas të ardhur nga emigracioni do të paraqesin punët e tyre më të mira në vite. Një panair i suvenireve dhe i artizanatit, do të tërheqë vëmendjen e masës së qytetarëve, miqve dhe vizitorëve.
E ardhmja e turizmit
Seriali i panaireve do të vijojë me eksponatet e librit, me pavijonin e 50 gatimeve më tipike të trevës, përgatitur nga shkolla e hoteleri-turizmit “Antoni Athanas”. Ata që shpesh e më shpesh i quajmë e nesërmja e turizmit në Sarandë, nxënësit e shkollës së mesme “Antoni Athanas” në qytetin e Sarandës, do të jenë pjesa më e dallueshme dhe më interesante edhe në ceremoninë e festës së Detit, që do të organizohet më 3 maj buzë shëtitores. Nxënësit e saj po bëhen gjithnjë e më të pranishëm me produktet dhe projektet e veta në zhvillimet turistike të Sarandës. Në çeljen që do t’i bëhet sezonit turistik “Verë 2008”, ata do të paraqiten me surpriza të këndshme dhe produkte origjinale, siç janë: miniharta me pasuritë e monumenteve të rajonit, ekspozimi i recetave të 50 mënyrave të gatimit të prodhimeve të detit etj. Zbritja në shëtitore e tragetit-tortë me emrin “Saranda”, e punuar në teknikën tredimensionale, është realizimi më i bujshëm që turizmi i të nesërmes i shton festës së Detit, që do të organizohet më 3 maj. Pasditja e 3 majit vjen me koncertin festiv me këngëtarë të ftuar, me koktejlin festiv, që shoqërohet nga “Beach party” që do të organizohet nga universiteti dhe nga shkollat e mesme të qytetit. Kjo do të thotë që në ditën e parë të çeljes së sezonit Saranda do të krijojë imazhin e një qyteti që ofron edhe jetë nate me plot variacion, përderisa diskotekat përgatiten të jenë me personazhe të rrallë të botës së skenës, gjë që do të shënojë pikun e frekuentimit të tyre mbrëmjen e 3 majit.

“Policia, 24 orë në shërbim të pushuesve”

Viktor Agaj, shef i Komisariatit të Policisë së Rendit në Sarandë, thotë se përballimi me sukses i këtij sezoni është ndër prioritetet kryesore të këtij dikasteri në Sarandë. Sipas tij, është hartuar një plan i përbashkët masash me strukturat drejtuese të pushtetit vendor, për të përcaktuar vendet, pikat dhe plazhet e frekuentuara nga pushuesit. “Eshtë marrë takim me drejtuesit e institucioneve shtetërore, përfaqësues të biznesit dhe agjencive turistike që kanë detyrime dhe marrin përgjegjësi në funksion të këtij sezoni, për kërkesat që ata kanë ndaj Policisë së Shtetit dhe anasjelltas. Nga strukturat inteligjente të këtij komisariati janë evidentuar të gjithë personat me precedent policor dhe penal, jo vetëm të rrethit tonë, por edhe të rretheve të tjera, që veprimtaria e tyre kriminale të goditet në kohë, pa sjellë pasiguri në komunitet dhe tek pushuesit”. Masa të tjera, sipas kryepolicit Agaj, janë marrë për të siguruar qarkullimin normal të mjeteve në akset rrugore kryesore dhe dytësore, që lidhin qytetin dhe rrethin e Sarandës me rrethe të tjera nëpërmjet vendosjes së shërbimeve të qarkullimit rrugor në vendet ku trafiku i mjeteve është më i madh. Nga ana e shërbimeve të Policisë së Rendit dhe Sigurisë Publike janë marrë të gjitha masat që prezenca e shërbimeve me uniformë të jetë kudo ku ka pushues dhe komunitet. “Strukturat e Komisariatit të Policisë në Sarandë për sezonin turistik “Verë 2008” ju garantojnë pushuesve vendas dhe të huaj rend dhe qetësi publike, në çdo m2 të territorit që ka në juridiksionin e vet ky komisariat”, siguron Agaj.

Kryebashkiaku: Puna jonë për zhvillimin e turizmit

“Saranda është qyteti që ju ofron atë që vërtetë ju mungon”.

SARANDE/ SHPRESA DINE

Kjo është përgjigjja të cilën të jep që në fillim të intervistës së tij kryebashkiaku i qytetit bregdetar, Edmond Gjoka, duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë ofron Saranda këtë sezon turistik. E natyrisht këtë e justifikuan e gjithë performanca e re e këtij qyteti, mbiemri i përjetshëm i të cilit është “Turistike”.
Cila është ajo e re që e përkufizon këtë sezon turistik, që do të çelet nesër për pushuesit?
Nuk gaboj nëse them se e reja për këtë qytet është ajo që Saranda tashmë ka vetëm një mbiemër atë “Turistike” dhe kjo ka bërë që edhe vetë sarandjotët të shprehen se turizmi është jeta e tyre. Dhe natyrisht, kjo ka bërë që sytë e shumë turistëve, qofshin ata të huaj, por edhe vendas e nga diaspora, të preferojnë qytetin tonë, Sarandën. Kjo, për faktin se Saranda është performuar si qytet atraktiv për nga resurset e mundësitë që të ofron. Saranda është qyteti që transformohet me shpejtësi dhe ndryshimet ndodhin nga dita në ditë, nga viti në vit. Dhe ndryshimet bëjnë atë që në Sarandë pushuesi të gjejë jo vetëm kënaqësinë natyrore, por edhe atë shpirtërore. Tashmë turizmi nuk është vetëm një muaj, një muaj e gjysmë apo dy muaj, por është gjithëvjetor. Do të përmendja gjithashtu ato filozofi të reja të bizneseve të Sarandës, që nga dita në ditë, nga viti në vit, po rritin profesionalizmin, rritin përkushtimin ndaj këtij biznesi kryesor në Sarandë. Sot Saranda nuk ka çmime të larta, por konkurruese, në të gjitha bizneset e shërbimit. Ndërkohë, të gjitha hotelet dhe restorantet, në të gjithë qytetin janë partnerë të përbashkët me bashkinë në çdo kohë.
Si paraqitet Saranda në zhvillimin administrativ dhe ekonomik të saj?
Tashmë Saranda ka status të veçantë, pra ka përfituar status specifik me disa kompetenca prefekture. Karakteristika të saj janë ritmet e larta të zhvillimit. Funksionon një rrjet i fuqishëm bankar privat me 10 filiale në qytet. Ushtrojnë aktivitetin e vet 160 subjekte private. Saranda disponon projekte të gatshme për të absorbuar 60 milionë dollarë investime. Deri në vitin 2012 ka parashikuar të zbatohen rreth 185 projekte zhvillimi, 65 prej të cilave për përmirësimin e infrastrukturës publike. Aty renditen: përfundimi i rrugës nr.5, zgjerim e rikonstruksion i rrugës hyrëse në qytet, ndërtimi i rrugës nr.1, zonës së banimit në Lëkurës, ndërtimi i shëtitores Turizëm– Kanali i Çukës, i portit, i landfillit, i aeroportit, përmirësimi i furnizimit me ujë, rikonstruksion i stadiumit të futbollit, ndërtimi i portit të jahteve, etj.
Cilat janë investimet që për turistin janë të reja, pra nuk kanë qenë vitin e kaluar?
Në shëtitoren e qytetit sivjet turisti do të përballet me më të renë në qytet, me zyrën e informacionit turistik. Në të do të shfaqen të gjitha prodhimet më pikante të qytetit të Sarandës. Ndërkohë ditën e çeljes së sezonit turistik do bëhet edhe përurimi i Muzeut Arkeologjik, kjo ndodh pas dhjetë vjet heshtjeje të tij. Plot 135 mijë euro investim i Ministrisë së Turizmit dhe Kulturës dhe Bashkisë së Sarandës do ta sjellin atë në një nga qendrat më të vizituara. Dritat “non stop”, ujë të bollshëm, gjelbërim, ndriçim të gjithë rrugëve, deri në lagje të qytetit, por i ndryshëm ndriçimi në shëtitore. Këto edhe shumë elementë të tjerë bëjnë që Saranda të jetë në hierarkinë e turizmit, jo vetëm në Shqipëri por edhe në rajon. Këtë vit presim që numri i turistëve të kalojë 200 mijë.
Sa lodhje paraqet sezoni turistik për kryetarin e bashkisë?
Natyrisht që ka edhe lodhje por është gjithashtu kënaqësi kur arrin të realizosh gjithë objektivat që i ke vënë vetvetes. Matja me objektivat është realizimi i gjithçkaje në jetë. Dhe kur ke besim në vetvete gjithçka e realizon.

Agjencite turistike
Aktualisht në qytetin e Sarandës, operojnë 7 agjenci turistike, të cilat ushtrojnë aktivitetin prej më shumë se dhjetë vitesh. Arben Çipa, administrator i shoqërisë “Sipa Tours”, shprehet për “Panoramën” se, një sfidë e re është të përgatitësh sezonin turistik 2008, që vjen pas bumit të shënuar një verë më parë, kur Sarandën e bënë adresë të tyre turistike më shumë se 200 mijë turistë vendas e të huaj. Ai flet për ambicien e pasurimit të eksperiencave të tij disavjeçare në bërjen e një turizmi të veçantë, që është turizmi i aventurës. Çipa menaxhon udhëtimin drejt Sarandës të grupeve turistike, deri dhe të kroçerave si “Easy Kruiz”. Brenda këtij viti parashikohen që në Sarandë të mbërrijnë 38 kroçiera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›