E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Protesta dhe transparencë në Kuvend

Grupi parlamentar i PS-së vendos marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin. Në grup janë evidentuar dy qëndrime kryesore; ajo e marrëdhënies së kushtëzuar dhe bojkoti total ndaj Kuvendit


TIRANË - Partia Socialiste do të rifillojë protestat në rrugë, ndërsa paralelisht do të marrë pjesë edhe në Kuvend, por vetëm për të kërkuar transparencë për zgjedhjet e 28 Qershorit.


Ky është vendimi që ka marrë dje grupi parlamentar i PS-së. Kryetari i PS-së, Edi Rama, përmes një fjale të mbajtur në nisje të mbledhjes, ku kanë qenë të pranishme dhe mediat, bëri publike, objektivat e deputetëve të PS-së.


"Kur qeveria e lidh kontratën me pahir, si në 28 qershor, popullit i mbeten vetëm dy rrugë: Ose të dalë në rrugë për të rizgjidhur kontratën; Ose të pranojë rrugën e nënshtrimit nga keqqeverisja, që si në rastin tonë të pranojë shkatërrimin e përditshëm ekonomik.


Këtë të dytën populli opozitar i Shqipërisë nuk mund ta pranojë. Ne do të jemi bashkë me popullin në protestë, për të fituar të drejtën e shkelur të transparencës për të gjitha kutitë e mbyllura, nga kutia e zgjedhjeve, te kutia e ekonomisë, e drejtësisë, e lirisë së lëvizjes, konkurrencës, medias.


Ndërsa Parlamenti do të jetë për ne vendi ku do të vazhdojmë të kërkojmë me durim e këmbëngulje të drejtën e transparencës, atë dhe asgjë tjetër.


Sepse, pa transparencën të gjitha liritë dhe të drejtat janë të mbyllura në kutitë e errëta të keqqeverisjes, kurse ligjet e shkruara janë ligje të pazbatuara", - tha Rama, duke shtuar se vetëm përmes transparencës Parlamenti mund të jetë i Shqipërisë dhe jo i qeverisë dhe se zgjidhja e kërkuar vijimësisht edhe nga komuniteti ndërkombëtar për transparencën, mund të bëhet realitet vetëm përmes këmbënguljes së opozitës. Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka përsëritur dje kërkesën për një zgjidhje të drejtë, që duhet të respektojë Kushtetutën, sa i përket ngritjes së komisionit hetimor.


"Pas shfaqjes së shëmtuar të vjedhjes së firmave të deputetëve të opozitës, për të ngritur një komision hetimor të qeverisë, komuniteti ndërkombëtar nuk e quan aspak të zgjidhur krizën e Parlamentit dhe përsërit kërkesën e vet për një zgjidhje, që duhet të respektojë Kushtetutën, e të garantojë transparencën përmes hetimit parlamentar", - tha ai.


Një marrëdhënie e tillë e kushtëzuar me Kuvendin për kreun socialist bëhet edhe më e domosdoshme kur çdo ditë e më shumë qytetarët po vuajnë pasojat e një krize edhe ekonomike, e cila sipas tij e ka zanafillën e vet pikërisht tek kriza politike e shkaktuar nga mungesa e transparencës së zgjedhjeve të shkuara parlamentare.


"Kjo është një krizë e jashtëzakonshme, e cila nuk fshihet dot as me premtime, as me shifra të manipuluara të ekonomisë. Kjo krizë i ka rrënjët në kutitë e mbyllura të 28 qershorit, dhe pa transparencën e atyre kutive, shqiptarët do të vazhdojnë të dëgjojnë përditë e më shumë gënjeshtra qeveritare e do të kenë përditë më pak mundësi për të jetuar.


Transparenca e munguar për kutitë e 28 qershorit, është burimi i errësirës që mbulon sot çdo shifër të ekonomisë së vendit", - tha Rama duke mbyllur njëkohësisht edhe pjesën e mbledhjes të zhvilluar me dyer të hapura për mediat.


Më pas grupi është investuar në një diskutim të gjatë lidhur me këtë qëndrim të ri që do të mbajë PS-ja dhe grupi i saj parlamentar me Kuvendin, çka ka sjellë edhe evidentimin e qëndrimeve pro dhe kundër.


Kështu, një zë që ka dalë totalisht kundër një pozicionimi të tillë të grupit mësohet se ka qenë deputeti Arben Malaj, i cili ka renditur disa arsye pse PS-ja nuk duhet të mbajë më marrëdhënie të kushtëzuara me institucionin legjislativ.


Por përveç tij, i cili njihet për një qëndrim kundër bojkotit, edhe deputetët e tjerë socialistë janë ndarë në dy rryma: njëra pro marrëdhënies së kushtëzuar me Kuvendin (Meksi, Dalipi, Toçi) dhe një tjetër për bojkot total të këtij institucioni për sa kohë mazhoranca nuk pranon të hap kutitë (Shalsi, Ahmetaj).


Në mbledhje janë shënuar edhe debate lidhur me këtë qëndrim, por në fund grupi ka votuar me shumicë qëndrimin e propozuar që në fillim të mbledhjes nga kryetari Rama, pra vendosjen e një marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›