E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, puç kushtetues në mesnatë

TIRANË- Votimi për heqjen e imunitetit të ministrit të Jashtëm Lulzim Basha është shtyrë për ditën e sotme. Shkak për këtë shtyrje është bërë një debat i ashpër pak pas mesnate mes mazhorancës dhe opozitës, e cili lindi kur kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli njoftoi se do të kishte dy votime: njëri për heqjen e imunitetit të deputetit Lulzim Basha dhe tjetri për të përdorur të njëjtin standard për çdo kërkesë të prokurorisë për ndjekje penale ndaj deputetëve, deri në fund të legjislaturës. Votimi për të aplikuar të njëjtin standard për çdo deputet për të cilin do të kërkohet heqja e imunitetit nga prokuroria shkaktoi reagimin e deputetëve të opozitës, sipas të cilëve në seancë duhet të kishte vetëm një votim, atë për heqjen e imunitetit. Por, sipas Topallit, është vendosur që në mbledhjen e fundit të Këshillit të Rregullores, Mandatet dhe Imunitetin, ku gjithë deputetët e opozitës janë shprehur pro, gjë që në fakt nuk ka ndodhur. Deklarata e kryetares së Kuvendit ka shkaktuar tension dhe debate te ashpra nga ana e opozitës, e cila edhe pas ndërprerjes së seancës nga kryetarja e Kuvendit, është çuar në këmbë, duke iu afruar edhe podiumit ku ishte kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit, nga foltorja e Kuvendit ku ishte përgatitur për të marrë fjalën, tha se ishin dy vendime, ndërsa heqja e imunitetit do të bëhej me votim të fshehtë.
Opozita
"Ne kundërshtuam me forcë atë që kërkoi të bënte sot natën Partia Demokratike lidhur me heqjen e imunitetit të Lul Bashës. Me këtë qëndrim që ata mbajtën sonte treguan se nuk e kanë seriozisht heqjen e imunitetit të Lul Bashës, por thjesht po përpiqen që të gjejnë mënyra për ta pastruar atë në mënyra që nuk mund të pastrohet. PD kërkoi që të mos votohet për heqjen direkte të imunitetit të Lul Bashës siç edhe përcaktohet në rregulloren e parlamentit, sepse rregullorja e ka të përcaktuar që votohet heqja e imunitetit të deputetit, kur ka një kërkesë të prokurorisë për heqjen e tij, por kërkoi të votohej standardi",- tha mbrëmë pas mbylljes së seancës, Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj. Ajo shtoi se, janë dy gjera të ndryshme pasi në radhë të parë duhet të votohet për heqjen e imunitetit të Bashës. "Natyrisht ajo nuk ka të bëjë me urgjencën e mesnatës të ditës së sotme. Çështja e vendosjes së standardit mbetet për tu diskutuar pasi edhe nga ne ka pasur propozime. Është një çështje që është thënë në Këshillin e Rregullores, por që nuk është diskutuar me ne. Ishte krejt e papritur për ne vendosja e një votimi të dytë",- tha ajo. Ndërsa deputeti i PBDNJ dhe juristi i njohur Spiro Peçi tha mbrëmë për gazetën Shekulli se votimi i standardit ashtu siç kërkoi kryetarja e Kuvendit nuk ka asnjë vlerë ligjore. "Prokuroria kërkon një autorizim nominal për një emër të caktuar dhe për vepër të caktuar dhe më pas Kuvendi hynë në veprim. Prandaj do të thosha se votimi i një pike të tillë është fare pa vlerë, pasi bie në kundërshtim me Kushtetutën",- tha Peçi. Ndërsa deputeti Lulëzim Basha tha mbrëmë për mediat se ai mban përgjegjësi personale për çështjen e imuniteti të tij ndërsa përsa i përket votimit të standardit kjo është një çështje që duhet të zgjidhet midis dy grupeve.
Kur i hiqet imuniteti një deputeti në bazë të Kushtetutës
Neni 73
1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe për votat e dhëna prej tij. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.
2. Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kërkohet edhe në rastin kur ai do të arrestohet.
3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.
4. Për rastet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi vendos me votim të fshehtë.
Çfarë u vendos në mbledhjen e fundit
Këshillit të Rregullores dhe Imunitetit
TIRANË- Mbledhja e fundit e Këshillit të Rregullores dhe Imunitetit në fakt nuk mori një vendim të tillë, siç u pretendua mbrëmë pas mesnate nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Rregullores pas diskutimeve, u shtua vetëm një paragraf, që të aplikohej i njëjti standard edhe për deputetë e tjerë, nëse do të kërkohet procedim penal nga prokuroria. Më tepër se sa një vendim siç pretendohej mbrëmë, kjo ishte një pjesë e raportit të hartuar nga Këshilli, për të cilin edhe vetë juristi i Kuvendit i pranishëm në mbledhje u shpreh se nuk ka asnjë vlerë juridike, por është më tepër shprehje e vullnetit politik. Në asnjë moment, gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit, nuk u përmend se, do të votohej në seancë për aplikimin e të njëjti standard siç do përdorej me Bashën, pra për heqjen e imunitetit kur kërkohet nga prokuroria. Aplikimi i një standardi të tillë u shtua në raport me propozim të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, propozim për të cilin në fakt nuk u votua, duke u konsideruar si një shprehje e vullnetit politik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›