E Diel, 1 Nëntor 2026

Pseudoeuropianizmi duhet të jetë i dënueshëm për shqiptarët

R. Qosja, i qortueshëm për qëndrimin ndaj ish-të përndjekurve politikë
Në nëntor të vitit 2005, kritiku letrar Paolo Mauri, shkruan vlerësimet e veta për librin e Kadaresë “Lulet e Prillit”, me titullin “Libri i Gjakut”. - “Në skenë paraqitet Vendi i tij (...) që doli nga mjerimi dhe nga mënjanimi i gjatë i viteve komuniste”, - shkruan kritiku letrar italian, që në fillim të artikullit. Duke synuar të japim disa fragmente nga ky shkrim, që do të jepet i përkthyer plotësisht, po citojmë: “Kadareja u bë, në njëfarë mënyre, një kundërshtar simbol i Enver Hoxhës, një disident”. Kadareja vetë nuk dëshiron të përmendet si disident i kohës, por cilësimi si kundërshtar simbol i diktatorit (dhe i diktaturës) mund të argumentohet thellësisht nga njerëz që ia kanë kuptuar, që në proceset e para demokratike, synimet smirëzeza një proserbi antidemokrat, i fryrë nga nderimet e qarqeve letrare serbe. Këto qarqe të politizuara të akademisë antishqiptare, nuk nguruan ta bëjnë akademik këtë njeri të etur për lavdi. Ky është Rexhep Qosja.
Kemi lexuar për vilën luksoze të këtij farë akademiku, në kohën e RFS jugosllave të Titos dhe, më tej, në regjimin gjakësor të Millosheviçit. Ambicioz dhe megaloman, veprimtarsë së tij si kritik letrar nuk vonoi t’i bjerë erë e keqe. Për më tepër kur e teproi me pozicionimin e tij si publicist kundër ithtarëve të Rugovës, i cili  ngriti në këmbë shqiptarët në kërkim të statusit të Republikës, kur Kosovës ia kishin grabitur edhe atë autonomi koti, që i ishte dhënë sa për të thënë. Mali i Zi, prej 600 mijë vetash, në atë kohë ishte Republikë. Por R. Qosja, me atë nihilizmin e tij kundër demokracisë së brishtë shqiptare, pas shembjes së diktaturës, u kuptua drejt edhe nga luftëtarët e lirisë (UÇK) të cilët, së bashku me popullin kosovar, e nxorën fare jashtë lojës politike, këtë njeri që u votua në mënyrë katastrofike, gjersa tanimë i kishte mbetur si mision, që të vazhdonte politikën poshtëruese nostalgjike, - domethënë në dobi të mëkatarëve të diktaturës së E. Hoxhës, - të strehuar tashmë, në partinë emërndërruar me siglën e PS-së. Si i etur për miklime hipokrite, enveristët tanë e vunë menjëherë në dorë, duke e sajdisur si shërbestar të paskrupullt në mjediset e pallatit perandorak, në Tiranën e Re.
Siç shihet, duke dhënë mendimet e të huajve për Kadarenë, ne po bëjmë edhe një profil të këtij personi që u bashkua me majtistët tanë, pasi nuk kishte gjetur “mirëkuptimin” e duhur te partia e re që iu përvesh rrëzimit përfundimtar të diktaturës enveriste. Ajo diktaturë  e urryer nga populli po mbahej me paterica në atë kohë nga përdhosësi i demokracisë, Ramiz Alia. Por e kemi fjalën për Partinë Demokratike, që drejtohej në mënyrë të papërballueshme nga dr. Berisha, Azem Hajdari dhe dygishtorë të tjerë të shquar. Kuptohet se nostalgjikëve të regjimit të hurit e të litarit që po na linte shëndenë, nuk u mbetej veçse të hiqeshin vetë si pluralistë, por edhe të gjuanin në njerëz pa karakter, që t’i bënin pas vetiu. E kemi fjalën për individë  që dalloheshin ashiqare për arrivizmin e tyre. Siç ishte edhe Edvin Rama. Kështu R. Qosja u bë armiku numër një i ish-të përndjekurve politikë, sepse luajti poshtërsisht me dinjitetin e kësaj shtrese të martirizuar nga diktatura.
I ngarkuar si misionar i së keqes, mori nismën që të bënte “Pajtim Kombëtar”. Kjo hile e pështirë dështoi që në vezë. Sepse ky njeri me emër, i emëruar akademik në Kosovë, kërkoi që të vuajturit e diktaturës të ishin në bisht të tavolinës. Natyrisht në krye duhej të qëndronin persekutorët, jo të persekutuarit. Të parët nuk patën as delikatesën më fillestare që të kërkonin ndjesë! “Rehabilitimi” i të nëpërkëmburve, me porosinë satanike të R. Alisë dhe me prapamendimet cinike të Katovicës, që ish-të përndjekurit të trajtoheshin sërish si shërbëtorë të agallarëve të rinj komunistë, - me dollomanë e “demokratit” tanimë, -  kjo rimëkëmbje-farsë, u kuptua aty për aty nga ish-të përndjekurit. “Pajtimi Kombëtar” përfundoi në një flluskë.
Por këtë të vërtetë të papërgënjështrueshme ja sesi e shndërron kokëposhtë falsifikatori Rexhep Qosja: -“Shqipëria është i vetmi vend ish-komunist, në të cilin asnjë viktimë e diktaturës nuk ka arritur të krijojë karrierë politike” (G.SH, 4 shtator 2009).
A ka më turp, ku të vejë? Ky servil i ish-komunistëve shqiptarë, kjo kolonë e pestë e shtresës së të përndjekurve, poshtëruese gjer në tallje ndaj kësaj shtrese të mjeruar,  tani na rrëfehet si i dhimbsur për karrierën e tyre! Ata nuk kërkonin karrierë, por nuk lejuan t’u prekej dinjiteti në atë farë feje, nga një vegël e nostalgjikëve mëkatarë, që u vu kokë e këmbë në shërbim të atyre që meritonin një gjyq si ai i Nurembergut!
Abuzimi me konceptet: ç’quhet “gjendje e vërtetë evropiane?”
Sali Berisha, - duhet thënë për hir të së vërtetës së patjetërsueshme, - mori tërësisht anën  e ish-të persekutuarve, në këtë veprimtari të turpshme të përnjollosësit të demokracisë së brishtë shqiptare, në hapat e parë të proceseve demokratike në vendin tonë. Prandaj Rexhepi spekulon për herë të dytë edhe ndaj kryetarit të PD-së Shqiptare. Ja si mashtron, për herë të dytë, opinionin publik shqiptar ky laké i R. Alisë dhe i aradheve të tij që u munduan të  ruajnë ngrehinën e kalbur të komunizmit në lëngim, në vendin tonë: -“Shqipëria është sot i vetmi vend ish-komunist në të cilin ish-sekretari i organizatës themelore të Partisë së Punës të Shqipërisë luan me të përndjekurit dhe me ish-të burgosurit politikë si me lecka. Dhe le të luajë kur e votojnë! Dhe, e votojnë!”. Vini ré çfarë inatçillëku: “Le të luajë, kur e votojnë”! Plas nga marazi ky i pasajdisur nga demokracia në hapat e parë të saj dhe i joshur nga dinakëria komuniste për ta bërë (siç e bëri) vasal të epsheve pushtetrrëmbyese të saj, - pra tërbohet ky politikan i kundërdemokracisë në Shqipëri, - se Berisha na qenka gjerësisht i votuar nga populli shqiptar! Por cilët u dashka të votojë populli ynë: Komunistët e kamufluar, që janë europianistë me kusht? Zëri demokratik i kohës: E duam Shqipërinë si e gjithë Europa. Zëri i partisë emërndërruar: E duam Europën, me kusht që të vijmë né në fuqi! Me çdo kusht, si në dhunën antidemokratike bolshevike, madje, të plojës obskurantiste të 1997-s së zezë sterrë.
Këtij zëri të dytë kundërshqiptar dhe kundëreuropianist, i mban iso zoti Rexhep Qosja, për të cilin, si padashje dhe me naivitet, njëri ndër ata të Asamblesë së PS-së, ia ndërroi cilësorin “zoti”, me “shoku” Qosja!... Që të përdorim fjalët e tij “demokraci primitive e ndotur...” do të shtonim se doemos është e tillë me të ndërkallur që e degradojnë këtë demokracinë tonë, në të cilën majtizmi e ka shpërfillur në mënyrë masakruese Rezolutën e AK-së së BE-së, sikur të ishte një leckë: Kjo fjalë është e akademikut. Këtë fjalë, me hak, ai duhej ta përdorte për trajtimin e ish-të përndjekurve politikë si leckë, nga ana e tij, në të ashtuquajturin Pajtim Kombëtar, që mori përsipër ta jetësonte,  për të larë e shpëlarë të molepsurit në krimet e diktaturës.
E pamë edhe tek përvjetori i tanishëm i Konferencës së Pezës. Edvini ka qenë promotori i festimit komunist të kësaj feste në Peze, në vendin e Dash Pezës, të cilin e bëri deputet, në atë listë zgjedhore që nuk përmbante emrin e kryetarit! Kjo festë, që s’kishte asnjë indicje për uzurpim pushteti nga ithtarët e Miladin Popoviçit që qëndronte në prapaskenë, u dashka festuar me fotot e stolisura të diktatorit, me këngët “Enver Hoxha e mprehu shpatën ...”, me ovacionet për Enverin si në kohën e diktaturës, me këngë e valle nga të mitura e të mitur që provonin drogën në këtë festë, e me orgjira nga xhaketat e vjetra të Nostalgjisë (me N të madhe). Dhe ironia qëndron në faktin se EH-jaa ka shkruar, të zezë në të bardhë se ai, në këtë Konferencë, nuk ishte veçse një postier për shpërndarjen e ftesave, i ngarkuar nga Miladini!
Për këto përdhosje të demokracisë shqiptare, Rexhep Qosja s’ka asnjë vërejtje. Është solidar, pra, me përdhosësit. Është, pra, kundër Vendimit të Asamblesë Parlamentare të BE-së për dënimin e diktaturave. Dhe e mbyll artikullin e tij, duke e paraqitur vetveten si të përvëluar në shpirt për gjendjen tonë, që duhet shndërruar në “gjendje vërtet europiane”! Më mirë ta citojmë, ad literam, mbylljen e këtij shkrimi, që është përgatitur në Prishtinë, më 29 gusht 2009 dhe është botuar në Tiranë më 4 shtator 2009, me foton e tij që zë gjysmën e faqes! Kërkon ndryshimin e gjendjes. Kush do ta bëjë këtë?  “...Vetëm ata që e shohin gjendjen siç është, realisht, objektivisht (kuptohet se për cilët e ka fjalën), vetëm ata dinë çka të bëjnë  dhe si ta bëjnë që këtë gjendje ta ndryshojnë, ta përmirësojnë e ta çojnë përpara: që këtë gjendje ta bëjnë gjendje vërtet evropiane”. I rrëmbyer nga “zelli” europianist, ka rënë në kakofoni duke e përdorur në një frazë të vetme katër herë fjalën gjendje, për të arritur në “gjendjen vërtet evropiane!”. Por a thua se “Gjendje evropiane” është ajo e mbushjes së institucioneve të demokracisë sonë, veçanërisht në ministrinë e Jashtmne të Milos, në atë kohë, me  portretet e E.H.-s, pa ua vënë veshin protestave të përditshme të ish-të përndjekurve politikë, gjersa ndërhyri Doris Paku, vendosmërisht dhe ua përplasi në sy: -“E tepruat!”. “Gjendje evropiane” na qenka botimi i veprave luksoze të Nexhmijes, me panegjirizmin e lavdimadhit , bashkëshortit të saj, atdhedashuria e të cilit ishte në qendër të kësaj apologjie  mashtruese për lavdinë e propagandistit të internacionalizmit proletar dhe të bashkim-vëllazërimit, të cilin dokumentet e reja me firmën e tij në fac símile, e nxorën EH-n, si dhurues dhe ofrues  të ofiqit të tij mareshalit Tito, duke e propozuar jugosllavin që të ishte Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së, gjë që as Kuislingu nuk kishte arritur gjer në këtë shkallë të mohimit të atdheut! A mund t’i shprehë me zë të lartë akademiku për të cilin po flasim, këto aberracione të demokracisë shqiptare? Le t’i përgënjeshtrojë, së paku! Në Gjermani, aktori i madh Johanes Esli bëri një mea culpa të fuqishme publike, vetëm se kishte thënë që Hitleri kishte njëfarë prirje për akuarelet! U ndodh përpara një termeti të fortë publik kundërvënës. Kjo është gjendje europianiste e vërtetë. Kështu, R. Qosja është bërë propagandist i së keqes. Jo më kot e ka nuhatur mirë edhe opinioni kosovar i cili, kur R.Qosja kishte dashur të bëhej eksponent i politikës kosovare, i dha votëza sa t’i dhimbej  drurit e kërcurit, domethënë thërmijëzat e thërmijëzave.
Tani R. Qosja boton në shtypin tonë të majtë shkrime në të cilat loz rolin e të habiturit se përse e votojnë aq shumë Sali Berishën! Por përse u dashka që populli t’i besojë R.Qoses dhe jo heroit të lëvizjes studentore, Azem Hajdarit, të cilin e dëgjuam, me rastin e 11-vjetorit të vrasjes, në një intervistë të regjistruar në shtratin e atentatit të atentatorëve komunistë, kur fliste rrjedhshëm, ndonëse me pesë plumba në trup, e tha se duhej të ishin të bashkuar të gjithë rreth Sali Berishës, për të mirën e demokracisë shqiptare.
Sot jemi para një dukurie me të gjitha tiparet e një komedie groteske. Ata që drejtuan një uragan të tërë popullor kundër dredhive të ulëta të Ramiz Alisë, që synonte të mbante gjallë ç’mund të mbetej nga shembja e diktaturës, pikërisht ata që udhëhoqën këtë ortek me të dy dy gishtat lart, për të zhdukur emrin e E-H.-s nga universiteti dhe për të shembur statujat e tij nga piedestalet, u dashkan përfolur si komunistë! Përse? Se kanë pasë qenë anëtarë të PPSH-së. Paçka se ishin në institucionet shkencore, në ndërmarrjet ekonomike, në shërbimet bujqësore, e të tjera. Nuk shohin ata që ishin në komitetet e partisë, në institucionet e luftës së klasave, në organet e Sigurimit, dosjebërësit e dhunshëm (pa dosje për veten e tyre, si të besuar), në organet e drejtësisë për t’u dhënë dënime të pafajshmëve, si hetues, operativë, prokurorë e gjyqtarë, e të tjera...
Qëndrimi nihilist ndaj I. Kadaresë
A mund të mbante R. Qosja një qëndrim të tillë mohues ndaj Kadaresë, kur gjithmonë e në vijim është në rritje zëri i intelektualizmit europian për  nominimin e tij si laureat i çmimit Nobel? Tani ai i ka marrë të gjitha çmimet prestigjioze europiane dhe ka mbetur vetëm Nobeli. Me siguri do ta marrë edhe atë, siç shprehet vlerësuesi i veprës së tij “Lulet e Prillit”, kritiku letrar Paolo Mauri, në shkrimin e tij me titullin “Libri i Gjakut”, në nëntor të vitit 2005. Dua të jem i përpiktë: Sivjet Kadareja mori “Princin e Asturias” në Spanjë, përballë emrash mjaft të dëgjuar, si Kundera, Tabuxhi, e të tjerë. Në Gjermani mori çmimin“Herder”; në Itali mori çmimet “Kavur” dhe “Bokaçio”. Në Angli mori çmimin ndërkombëtar “Man Booker”. Qosja i sheh buzëvarur të gjitha këto çmime. Mbase se shkrimtarët serbë nuk kanë marrë asnjërin prej atyre çmimeve. Prandaj ka guximin ky nihilist që të thotë se këto institucione prestigjioze europiane janë të pompuara? Këtë krahasim me serbët e bëjmë se ky kritik letrar  krejtësisht subjektiv, ka arritur ta quajë plagjiar Kadarenë  vetëm e vetëm se  një serb paska shkruar diçka që Kadareja e ka shkruar më vonë! Rosini e ka kompozuar “Berberin e Seviljes” shumë kohë më pas se një kompozitor tjetër, të cilit sot i është harruar emri. Otellua e Shekspirit është mbështetur në një tregim të vërtetë nga një tregimtar që sot nuk njihet fare! Këto janë prova që të bëhen krahasime vlerash, në favor të Serbisë, sipas R. Qoses? Kritika letrare përmend si trekëndëshin e artë të të gjithë letërsisë botërore, në emrat e Homerit, Shekspirit dhe Dantes. Dhe Qosja thotë se s’ka dalë një Dante nga Shqipëria. Ai denigron edhe Fishtën sepse mbase nuk e di që Fishta u kandidua për çmimin Nobel.   
Pas rënies së diktaturës, shkrimtarët shqiptarë u ndanë mëdysh. Ata më dinjitozët, më të ndërgjegjshmit, u rreshtuan me demokracinë. Pjesa tjetër, që përmban një numër të madh mediokrësh, u orvatën që në fillim që të shfaqeshin si nostalgjikë të së kaluarës dhe të bënin gjithçka për rimëkëmbur PPSH-në nën një emër tjetër: ate të PS-së. Po të gërmojmë në shkrimet e kohës së perënduar, cilido shkrimtar ka dhënë haraçin e vet, që t’i botohej vëllimi i vjershave, apo një roman.  Nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”, një poeti iu kthye libërthi, sepse dy vjersha duhet të shkruheshin medoemos për E. Hoxhën. Nuk është nevoja t’ia përmend emrin, sepse ishte një gjë e natyrshme, për atë kohë! Po përse e kanë me aq patos atë kundërvënien ndaj Kadaresë? Këtu hyn edhe R. Qosja, përveç atyre që i shenjuam (pak rreshta më sipër) në kategorinë e më të rëndomtëve (me përjashtim të D. Agollit, i cili, për fat të keq, vazhdoi në freskun që duhej t’i bënte partisë emërndërruar).
Dihet se Kadareja ka qenë nënkryetar i Frontit, kur Nexhmija ishte kryetare. Askush nuk ia vë gishtin kokës ndër denigruesit e tij, që e kanë bërë lajtmotiv këtë fakt dhe nuk kanë bërë kurrë pyetjen se cilat ishin marrëdhëniet e Kadaresë me Nexhmijen. Por pyetja më thelbësore do të ishte: A mund të refuzohej një detyrë, në atë kohë? Për pyetjen e parë, e dinë të gjithë se Kadareja nuk e honepste dot N. Hoxhën. Për pyetjen e dytë, mund të thuhet shumë shkurt se vetëm veprat e Kadaresë ishin thika me dy presje. Cili do të mund të shkruante një vepër si “Dimri i Madh”, në të cilën  të përmendej edhe defteri i zi, i regjistrimeve për njerëzit e padëshiruar? Guxim i madh, në të vërtetë, sidoqë shkrimtari mund të përligjej se aluzionet binin mbi Koçi Xoxen. Por edhe ministrat e tjerë të brendshëm kishin bërë as më shumë, as më pak, se gjeneral lejtënati! (Në atë kohë, kishte marrë fund “qëndrimi kriminal i Koçit...). Kadareja edhe në atë kohë, donte më shumë lirinë se institucionet e mbrapshta të diktaturës. Ka qenë ndër letrarët më problematikë, me kritika të ashpra, madje edhe me kërcënime. Ka qenë dënuar me largim nga Tirana dhe me bllokime veprash nga censorë kokëboshë. Këta bëjnë sikur nuk i dinë censorët, po aq kokëboshë, të veprës së tij që është bërë e famshme në të gjithë Europën, por edhe më tej.
Vepra e Kadaresë është e përmasave europiane. Dhe këtë ndriçim nuk mund ta errësojnë dot  denigruesit si R. Qosja që  shkojnë pas avazit të atyre që u preket komunizmi i kamufluar. Pas citimit të tri fragmenteve nga Kadareja, do të më lejohet edhe pyetja që i jep fund këtij shkrimi: 1: ...Në muajin mars diktatori shqiptar kthehej zakonisht nga pushimet e tij të dyta, që i bente në Vlorë.  Të gjithë e prisnin me gjak të ngrirë këtë kthim, sepse të gjithë e dinin se atjé, në Vlorë, pikërisht në fund të muajit shkurt dhe në fillim të marsit, në trurin e tij të sëmurë, shestoheshin komplotet e ardhshme të paqena, spastrimet, goditjet, tmerret. Ishte ai vetë që ia jepte idetë kryesore ofiçinës së legjendave. Njëlloj si Agamemnoni, tre mijë vjet përpara, kur shpallte përpara shefave të ushtrive aleate në Aulidë se, për hir të fitores, do të vriste vajzën e vet. ( “Legjenda e legjendave, 15). 2. “Një nga Trimërimi i së keqes staliniste, arroganca, fryma revanshiste e saj, dëshmon pikërisht shpresën e saj për t’u kthyer. Kori i solidaritetit alladostojevskian,  i inkurajuar nga vështrimi shpërfillës i peshkut të Felinit,  shfaqet në të gjitha rrafshet. Është kjo frymë e keqe që nxit qëndrimin mohues ndaj popullit shqiptar. Ai konsiderohet mëkatar për përmbysjen e komunizmit; ndaj, në mënyrë të tërthortë, ndaj tij mund të bjerë hakmarrja. Vetëm kështu mund të shpjegohet mungesa e skrupujve në drejtimin e punëve të tij, ngritja e imoralitetit në rangun e një doktrine, korrupsioni i paparë, talljet e pareshtura me varfërinë e vendit...Së fundi, sëmundjet kronike të politikës shqiptare... “( Ismail Kadare: “Shqipëria përballë ndërgjegjes se gjymtuar të saj”.15 shtator, 2005). 3. “Duke folur me admirim për gruan e Stalinit, Alillujevën, ai bën një krahasim të spikatur me Nexhmije Hoxhën: Për Allujevën: “Ajo jo vetëm iu kundërvu burrit tiran në gjithë sa kishte lidhje me terrorin por, për t’i treguar se nuk do të pajtohej kurrë me të, i dha fund jetës pikërisht në njërën nga darkat festive në Kremlin. Me këtë tregoi se një grua tirani mund të mbetet njerëzore...”. Për Zonjën e Zezë: “ Ajo u shqua për mendjengushtësinë dhe egërsinë e pashoqe, çka bëri që populli shqiptar t’i vinte nofkën “Panterë e zezë” (...)Dihen raste të shumta kur është treguar edhe më e egër se i shoqi”. Pasi tregon një numër të madh gra tiranësh, e përfundon parathënien mbresëlënëse të librit “Zonja e Zezë, Nexhmije Hoxha”, duke u shprehur se “ajo nuk është e vështirë të merret me mend se në këtë hierarki të zezë ajo zë vendin më të errët”. (f. 12).
Dhe pyetja e premtuar: Po të mos kishte shkruar kështu për demokracinë dhe kundër diktaturës, Kadareja a nuk do të kishte, vallë, mirëkuptimin e nostalgjikëve? Por ai është i atyre përmasave, që nuk mund të diktohet nga ata që e kanë mendjen tek e kaluara!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›