E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr me thika në ish-bllok, një i plagosur

 

TIRANE - Një 39-vjeçar u plagos me thikë, pasi u qëllua tri herë në prani të dhjetëra kalimtarëve dje në zonën e ish-bllokut në kryeqytet. Shkak i ngjarjes sipas policisë, ishte një sherr i çastit që ka lindur mes të plagosurit dhe autorit, që sipas policisë ka nisur me fjalët “pse më sheh shtrembër”. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30, në rrugën “Abdyl Frashëri”, pranë Librit Universitar në kryeqytet. Sipas burimeve nga policia mësohet se ka mbetur i plagosur me 3 thika, 39-vjeçari Spartak Qirjaqi dhe vetëm disa minuta pas ngjarjes është arrestuar autori i dyshuar, Arben Bulku, 32 vjeç. Kanë qenë dëshmitarët e shumtë në vendin e ngjarjes, ata që kanë lajmëruar në Sallën Operative dhe në destinacion kanë shkuar brenda pak minutash efektivat e Komisariatit Nr.2 dhe oficerë të Seksionit Kundër Jetës dhe Shëndetit. Mësohet se i plagosuri Spartak Qirjaqi është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak dhe deri në orët e vona të mbrëmjes gjendja e tij shëndetësore paraqitej në rrezik për jetën. Një grup hetimor është ngritur menjëherë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërkohë autori është marrë për disa orë në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ai ka treguar se sherrin e kishte nisur i plagosuri Qirjaqi, i cili sipas tij ka qenë në gjendje të dehur. Duke dashur të shfajësojë veten, i arrestuari, Arben Bulku, ka treguar para oficerëve të policisë, se gjithçka e kishte kryer për vetëmbrojtje, pasi 39-vjeçari e kishte goditur me sende të forta në kokë. Ngjarja ka ndodhur në trotuarin e rrugës “Abdyl Frashëri”, ku paraprakisht policia dyshon se ka ardhur pas një konflikti të çastit midis autorit të dyshuar Arben Bulku dhe të plagosurit Spartak Qirjaqi, ku fillimisht i dëmtuari e ka goditur me sende të forta dhe më pas autori i dyshuar, e ka qëlluar me thikë. Nga ekspertët në vendngjarje u konkludua se i dëmtuari është goditur tre herë me armë të ftohtë thikë dhe aktualisht ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë, në gjendje të rëndë shëndetësore. Falë mbërritjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë së Tiranës, u mundësua kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar të kësaj plagosje, i cili dyshohet të jetë Arben Bulku, 32 vjeç, banues në Tiranë. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme ndaj tij, me akuzën e “plagosjes së rëndë me dashje”. Sipas mjekëve, gjendja e të plagosurit vazhdon të jetë e rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›