Gripi i derrave, dyshohen edhe dy raste të reja
Dy raste të reja dyshohen si të prekur nga gripi i derrit në vendin tonë. Ata kanë pasur komplikacione të sëmundjes. Pritet vetëm konfirmimi nga laboratorët e Rumanisë për t’i shtuar në listën zyrtare të së prekurve. Këtë bën me dije Instituti i Shëndetit Publik. “Kemi një rast të mundshëm për Grip A në Spitalin Pneumoftiziatrik dhe një rast të mundshëm në Spitalin Pediatrik, QSUT”, thuhet në buletinin e fundit të ISHP. Numri i mostrave të analizuara deri tani ka arritur në 772. Sipas buletinit të fundit mbetet i ulët numri i mostrave të marra për moshën pediatrike. Kjo në një kohë që infeksionet respiratore janë më të shpeshta pikërisht në këto grupmoshë. “Tërheqim vëmendjen e pediatërve dhe epidemiologëve në të gjithë vendin që të ndërgjegjësohen për rëndësinë e marrjes së mostrave në këtë grupmoshë”, thuhet në buletinin e ISHP. Ndërkaq, nga 31 rastet e konfirmuara 21 nuk kanë lidhje epidemiologjike, që faktojnë rrugën e infektimit. Sakaq 3 prej rasteve janë marinarë të huaj të moshës 30, 31 dhe 41 vjeç të cilët tashmë janë larguar nga vendi, 6 raste janë të lidhura me udhëtimin kryesisht Mbretëria e Bashkuar. Rastet janë kryesisht në Tiranë dhe 6 raste në Durrës (tre marinarë të huaj) 2 raste në Sarandë. Nga të infektuarit e deritanishëm, 13 persona kanë pasur komplikacione. “Rastet kanë qenë të grupmoshave 48-63 vjeç (5 raste), 25-35 vjeç (3 raste), 1 rast 14 vjeç, 1 vjeç (2 raste) dhe nën 12 muaj (2 raste)”, saktëson buletini. Çdo ditë në ISHP përpunohen mostra të rasteve të dyshuara nga Tirana dhe rrethet e tjera të vendit. Aktualisht në këtë laborator po analizohen mesatarisht mbi 30 mostra çdo javë. Në këtë laborator kryhet testi i Imunofluoreshences Direkte dhe testi i shpejtë që japin përgjigjen paraprake të identifikimit të virusit brenda 2 orësh. “Të gjitha rastet e mundshme të identifikuara me Virusin e Gripit A do të trajtohen njësoj si A(H1N1) nga pikëpamja e ndjekjes dhe kontrollit si dhe menaxhimit të rastit përherë sipas kontekstit dhe gjykimit klinik të specialisteve”, thuhet në buletin.
Të prekurit
31 rastet e konfirmuara 21 nuk kanë lidhje epidemiologjike 3 janë marinarë të huaj 6 raste kanë udhëtuar nga Anglia