Obama shmang planin “Bush”, pezullohen mburojat raketore
Presidenti amerikan, Barak Obama, ka vënë në lëvizje të gjitha mediat dhe diplomatë ndërkombëtare pas deklaratës se plani i mbrojtjes raketore do të pezullohet dhe zëvendësohet. Një qëndrim i ri për mbrojtjen raketore do të zëvendësojë epokën e Bushit. “Për këtë Evropa dhe aleatët do të jenë më të sigurt”, tha Presidenti Obama gjatë konfirmimit të lajmit. Kështu presidenti zyrtarisht njoftoi planin e braktisjes së projektit të mburojës raketore në Poloni dhe Çeki. Plani i ri është i miratuar në unanimitet dhe do të përdorë teknologji të besueshme që do të forcojnë mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre. “Ky plan i ri do të japë së shpejti rezultatet, të bazuara në sisteme të kolauduar, dhe do të ofrojë kapacitet më të madh mbrojtës kundër kërcënimeve, krahasuar me programin e mbrojtjes evropiane të vitit 2007”, tha Obama duke i përkufizuar “të pabaza” shqetësimet e Rusisë për programin paraprak. Sipas Obamës, programi bërthamor i Iranit mbetet ende një kërcënim i madh dhe ky ka çuar në ndryshimin e planit të mbështetur nga Bush. Sipas gazetave polake, Shtetet e bashkuara e kishin braktisur projektin me kohë për ta zëvendësuar atë me platforma lançimi ajror. Kryetari i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dumën ruse, Konstantin Kosaçiov, e mirëpriti vendimin. “Administrata Bush nuk na kuptonte aspak. Nga sa mund të vlerësojë, nisur nga vendimi i sotëm, administrata Obama ka filluar të na kuptojë. Ky nuk është fundi i procesit e nuk mund të themi se ka harmoni dhe mirëkuptim të plotë, por është dialog. Kjo është njëherësh pranim i Rusisë dhe argumenteve të saj, si jo më pak të rëndësishme se konsideratat lidhur me sigurinë kombëtare amerikane”, tha Kosaçiov. Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se ndryshimi i planeve rreth mbrojtjes raketore nuk është rezultat i ndonjë ujdie me Rusinë.