E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Banda e Durrësit” pengon dëshminë e të penduarit

 

TIRANE – Adriatik Coli, i penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë në procesin gjyqësor në ngarkim të të akuzuarve, si anëtarë të “Bandës së Durrësit”, nuk arriti të dëshmojë në seancën e djeshme, e 95-ta në radhë që shtyhet. Vetëm pak sekonda para se ai do të fillonte rrëfimin, me të cilin ka “fundosur” të akuzuarit e tjerë, krijimi i një situate kaotike në sallën e gjyqit e çoi seancën në destinacionin e saj të “rëndomtë” tashmë; shtyrje. Kaosi dhe rrëmuja është krijuar sërish nga loja mes avokatëve dhe të pandehurve, për të penguar zhvillimin normal të seancës dhe në këtë mënyrë dëshminë e të penduarit Coli. Seanca e djeshme ka vijuar të jetë me dyer të mbyllura, vendim i marrë më parë nga gjykata, pas një kërkese të organit të akuzës. Gjykata për Krimet e Rënda regjistroi dje shtyrjen e seancës së 95-stë në radhë të procesit gjyqësor ndaj të akuzuarve si anëtarë të “Bandës së Durrësit”. Burime brenda seancës, sqaruan për “Panorama”-n se ndërsa dukej se gjithçka ishte gati që Coli të dëshmonte në proces, situata ka precipituar duke ia “ngecur në grykë” fjalinë që ka nisur të thotë. Gjatë prezantimit të palëve në seancën e djeshme është vënë re mungesa e dy prej avokatëve që mbronin interesat e tre të pandehurve. Kryesuesi i seancës, gjyqtari Gurali Brahimllari, i ka zëvendësuar ata me dy avokatë të tjerë, kryesisht avokatë që kishin qenë caktuar dhe më parë për të njëjtin proces dhe ishin të njohur me aktet e dosjes. Sipas burimeve, ishte momenti që kryesuesi i dha të drejtën Prokurorisë të fillonte me pyetjen e të penduarit kur rrëmuja përfshiu seancën. I akuzuari si kreu i “Bandës së Durrësit”, Lulzim Berisha, ka hequr dorë nga avokati i caktuar prej tij, duke ngelur kështu pa mbrojtje ligjore. Ndërkohë që revoltimi ka përfshirë të gjithë të pandehurit, të cilët kanë filluar të flasin njëzëri, derisa kryesuesi i seancës ka urdhëruar punonjësit e policisë të mos lejonin askënd të fliste pa u lejuar më parë leje nga gjykata. Pas kësaj, në mënyrë demonstrative të pandehurit kanë braktisur sallën. Replika të forta me gjykatën kanë pasur edhe avokatët e pranishëm, të cilët kanë pretenduar se të pandehurit e mbetur pa avokat nuk mund të mbroheshin nga dy avokatët e caktuar nga gjykata, pasi mes tyre kishte konflikt interesi. Në përfundim, seanca është shtyrë për t’i dhënë kohë avokates Valentina Teodoresku të njihet me aktet e dosjes, për të qenë e gatshme të mbrojë të pandehurin Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›