Universitetet, shtyhen afatet e regjistrimit të fituesve
zirina llambro
Shtyhen afatet e regjistrimit në shkollat e larta. Këtë bëri me dije dje Ministria e Arsimit. “Të gjithë fituesit e universiteteve publike do të kenë afat edhe 2 ditë të tjera për t’u regjistruar në fakultetet, ku ata janë shpallur paraprakisht fitues”, thuhet në deklaratën e MASH. Pra sipas Udhëzimit të ri, të gjitha universitetet do të regjistrojnë fituesit deri në datat 19 dhe 20 shtator prej orës 08:00 deri në orën 18:00, orë në të cilën përfundon afati zyrtar i regjistrimit. “Gjithashtu bëjmë me dije se regjistrimi i studentëve nëpër të gjitha universitetet do të kryhet vetëm sipas listës zyrtare të fituesve të nxjerrë nga Agjencia e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë, APRIAL. Asnjë IAL nuk ka të drejtë të ndërhyjë në këto lista. Kjo listë është e detyrueshme për t’u zbatuar prej tyre. IAL-të të mos nxjerrin pengesa në regjistrimin e të gjithë kandidatëve fitues brenda afateve të caktuara”, sqaroi MASH. Për regjistrimin paraprak kandidati duhet të paraqitet personalisht pranë sekretarive mësimore dhe të dorëzojë një dosje individuale me dokumentet origjinale. Përkatësisht duhet të kenë me vete dëftesën e pjekurisë origjinale. Në mungesë të saj një listë notash me fotografi, e nënshkruar nga drejtori i shkollës e nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale përkatëse. Gjithashtu, është i nevojshëm dokumenti i identifikimit (Letërnjoftim, ID ose pasaportë) dhe fotokopje e tij. Në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit. Veç dy fotografive duhet edhe mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekë. Nr i llogarisë ku do të derdhet tarifa duhet të kërkohet në fakultetin përkatës. “Kandidatët që nuk kryejnë regjistrimin paraprak brenda datave të përcaktuara në këtë udhëzim, për çfarëdo arsye, nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve dhe do të humbasin të drejtën për të vazhduar studimet e larta për këtë vit”, sqaron Ministria e Arsimit. Pas përfundimit të fazës së parë të regjistrimit agjencia e pranimit në Institucionet e Arsimit të Lartë, do të shpallë edhe një tjetër listë fituesish.