E Shtunë, 31 Tetor 2026

Psikiatrisë i del pronari

Spitalit Psikiatrik të Tiranës i ka dalë pronari. Një grua ka një certifikatë të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme për një pjesë të ndërtesës së këtij spitali. "Pesa", sikurse njihet ndryshe Spitali Psikiatrik i Tiranës, jo vetëm që është kthyer në hotel pa pagesë për të pastrehët, por këta të pastrehë janë pajisur edhe me certifikata pronësie.

Lajmi u konfirmua dje për "Fiks Fare" nga përgjegjësi i sektorit të aktivitetit neuro-psikiatrik në QSUT, zoti Emin Saraçi. Pikërisht këto probleme pronësie po pengojnë përurimin e ambienteve të reja të këtij shërbimi, i cili ka më shumë se një vit që po shtyhet. "Inaugurimi i këtij shërbimi nuk po bëhet, për disa pengesa që nuk varen nga ne", thotë z.Saraçi.

Aktualisht, në territorin e QSUT-së, dhe pikërisht në pjesën ku është edhe spitali psikiatrik, janë disa qytetarë, të cilët kanë pushtuar territore dhe ndërtuar banesa të paligjshme. Për këtë arsye nuk kanë përfunduar disa punime të sistemimit të territorit me asfalt dhe lulishte.

Por nuk mjaftojnë këta të pastrehë, të cilët kanë zaptuar ambientet që rrethojnë spitalin. Njëkohësisht është edhe një absurd tjetër; që një pjesë e godinës kryesore është zënë nga një qytetare, e cila ka certifikatë të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme. Çudia nuk përfundon këtu. Sipas përgjegjësit të sektorit të aktivitetit neuro-psikiatrik në QSUT, "absurdi qëndron, se kjo qytetare pavarësisht nga dokumentet që na ka paraqitur, rezulton ta ketë regjistruar këtë mbi bazën e një kontrate shitblerjeje". Ndërkohë, në Drejtorinë e QSUT-së "Nënë Tereza" nuk ekziston asnjë kontratë shitblerjeje dhe nuk arrijnë të japin asnjë shpjegim për mënyrën si është arritur të përpilohet kontrata në fjalë për një pasuri të paluajtshme, për një pasuri shtetërore, aq më tepër që është dhe spital.

Disa muaj më parë, në emisionin "Fiks Fare" u denoncua zënia forcërisht e ambienteve të këtij spitali nga familjarë. Në këto emisione u konstatua fakti që tri dhoma të katit të parë të spitalit nr. 5, reparti i riaftësimit të fëmijëve, ishin zënë nga një familje. Ata jetojnë në këtë repart të spitalit, tri dhoma të të cilit i kanë kthyer në apartament banimi, që nga fillimi i viteve ‘90.

Punonjësit e spitalit nuk ishin në gjendje të jepnin më shumë shpjegime, vetëm kujtonin se kjo familje ishte vetëshpallur pronare e tri dhomave të zëna forcërisht. U çuditëm kur mësuam se edhe spitalit mund t‘i kishte dalë pronari. Sipas fjalëve të vetë punonjësve të Psikiatrisë, dhjetë vjet më parë në këto ambiente strehohej një narkoman. Pas largimit të tij, dhoma ku ai kurohej u shit dorë mbas dore dhe sot është familje që vetëdeklarohet pronare. Askush nuk merr guximin të lirojë ambientet e spitalit. Por nuk janë vetëm ata. Sipas shefit të shërbimit të psikiatrisë, është një tjetër familje e strehuar që prej 14 vjetësh në disa dhoma, në katin e parë të spitalit, poshtë pavijonit të të sëmurëve kronikë.

E ndërsa numri i pacientëve të këtij spitali është reduktuar nga 120 në 55 pacientë, të cilët qëndrojnë nga katër veta në një dhomë, në dhomat e tjera të spitalit jetojnë familje. Mes tyre, Drejtoria e QSUT-së gjen edhe pronarë me vërtetim pronësie për ambientet e spitalit.

Kontrata

Kontrata e famshme e shitblerjes është firmosur në vitin 1997. Në 23 shtator 1997, përpara noteres Ruko Sako është firmosur kontrata e shitblerjes mes familjes Metohu, ish-pronarët e sipërfaqes 63 m2 dhe blerësve, familjes Ismailaj. Sipas kësaj kontrate, më 23 maj 1997 ishte lëshuar një vërtetim pronësie nga Zyra e Hipotekës në Tiranë me nr. 2932, që vërtetonte se ekzistonte një apartament me dy dhoma, kuzhinë, aneks dhe ambiente të tjera ndihmëse në katin e parë, në aneksin e Spitalit Psikiatrik. Këto dhoma të spitalit janë shitur 1800000 lekë. Pas kësaj kontrate, pronarë të rinj kanë siguruar dy vërtetime hipotekore për të njëjtën pronë, duke u shpallur kështu pronarë ligjorë të një pjese të aneksit të Spitalit Psikiatrik në kryeqytet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›