E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pallati i Dashamir Pezës, mbi rrugën publike



Lëvizja “Zgjohu!” denoncoi një aspekt tjetër të betonizimit të Tiranës: atë të grabitjes së rrugëve të Qytetit për t’iu dhënë miqve të Edi Ramës. Avokati Altin Goxhaj, dje në orën 12:00, duke qëndruar në sediljen e shoferit të një ambulance nëpërmjet ndezjes së sirenës së alarmit i nxori të gjithë banorët në dritaret dhe ballkonet e shtëpive si dhe shumë qytetarë të tjerë që ndodheshin nëpër lokalet pranë një pallati të paligjshëm që është ngritur mbi rrugë! Ky pallat shumëkatësh që është ngritur mbi rrugën publike është ndërtuar nga kandidati i Partisë Socialiste së Tiranës, Dashamir Peza, i cili njihet edhe si një ndër miqtë më të afërt të Edi Ramës. Paradoksi i këtij pallati që ka bllokuar të gjithë hapësirën publike në mes shumë pallateve që janë ndërtuar në atë zonë është se ai është ngritur mbi rrugë, duke zaptuar një hapësirë publike të qytetarëve e për më tepër, ai është kthyer në një pengesë reale për rrugëkalimin e banorëve që janë shtuar së tepërmi në këtë zonë të Tiranës. Avokati Altin Goxhaj, i cili është edhe banor i kësaj zone, pas ankesave të shumë qytetarëve që banojnë në këtë zonë, vendosi sot të hipte në një ambulancë dhe të kërkonte të kalonte aty ku disa vite më parë ka qenë rruga e lagjes së tij. Në rolin e shoferit të ambulancës në prezencën e shumë gazetarëve, banorëve dhe kalimtarëve të ndryshëm, Goxhaj ndezi për 15 minuta sirenën e alarmit të autoambulancës për të treguar se çfarë ndodh në lagjen e tij, në rast se ka një nevojë apo akoma edhe më keq, nëse larg qoftë do të binte zjarr në këtë zonë në mes të Tiranës. “Jam këtu sot në lagjen time, përballë këtij pallati që më ka zënë rrugën, një pallat i paligjshëm që është ngritur mbi rrugën në kundërshtim me çdo standard ligjor dhe urban, pasi kjo situatë nuk durohet. E shihni këtë pallat gjigand?, - iu drejtua gazetarëve duke bërë me dorë drejt pallatit që është ngritur mbi rrugë. Ky është pallati i ngritur nga miku i afërt i Edi Ramës dhe kandidati i Partisë Socialiste në këtë zonë të Tiranës, Dash Peza! Rama pasi na grabiti parqet e gjelbra dhe hapësirat sportive, tashmë na ka vjedhur dhe rrugët! Dhe nëse dikush nga ne këtu ka një nevojë shëndetësore apo larg qoftë nëse bie ndonjë zjarr në lagje, ne mbetemi në mëshirë të fatit. Ky pallat i paligjshëm është ngritur prapa hotel “Tiranës”, vetëm 100 metra larg Bashkisë Tiranë, mu në mes të Tiranës, si ikonë e Tiranës së Edi Ramës, një pallat që ngrihet mbi rrugë, një pallat që bllokon çdo mundësi kalimi për nevojat e qytetarëve deri në ato më ekstremet si kalimi i një autoambulance apo i një zjarrfikëse. Ky është modeli i Tiranës së Edi Ramës, ky është modeli i Tiranës së betonizuar, një Tiranë ku pallatet ngrihen njëri mbi tjetrin si kulla drejt qiellit pa asnjë normë sigurie dhe kalimi në rast emergjencash. Shikoni pak përpara hotel “Tiranën” dhe shkallët e tij të sigurisë. Ky është një standard minimal i domosdoshëm që duhej të plotësonte çdo pallat, por ju e dini se çfarë ka ndodhur disa herë në Tiranë kur ka rënë zjarr. Njerëz që rrezikojnë të digjen të gjallë sa pallatet e reja që miraton kryetari Rama për miqtë e tij nuk kanë asnjë dalje sigurie, dhe për më tepër, pallate dhe shtëpi të tëra që nëse do të rrezikoheshin nga zjarri, nuk do të kishin asnjë shans që të ndihmoheshin nga zjarrfikëset, pasi rrugët janë ngushtuar apo edhe më keq, janë grabitur për t’u bërë ndërtime si ky pallat absurd në mes të Tiranës, i ngritur nga miku i afërt i Edi Ramës dhe deputeti i Partisë Socialiste në Tiranë, Dash Peza”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›