Publikohen 17 prozat e shkurtra të Brahushës
• “Aj rum, cici rum…” titullohet botimi më i ri i Albri Brahushës. Është një përmbledhje me 17 proza të shkurtra botuar nga “Ombra GVG”.Titulli i bën homazh këngës së fëmijërisë dhe, fjalët e tij, autori i ka zgjedhur ndërsa ripunonte një tekst të përfshirë në këtë vëllim të shkruar në gegërisht, dialekt të cilin Brahusha nuk e praktikon shpesh në të shkruar. Ja si e shpjegon ai zgjedhjen tek “Iliadë në miniaturë”: “Duke bërë pjesë në shoqërinë ku çdo gjë bëhet pjesë e reklamës, shkrimtari ndodhet në morsën shoqërore që e shtyn atë dhe librin e tij të bjerë në sy sa më shumë dhe për të rënë në sy me një libër duhet një titull i mirë, tërheqës, i pëlqyeshëm, ndoshta dhe skandaloz. Shpesh duke u bërë mjeshtër titujsh interesantë, shkrimtari mund të keqkuptohet, duke u kthyer si pa u kuptuar nga shkrimtar në “titullar”, njeri që tashmë nuk ka më lidhje me letërsinë, por është thjesht ‘poet’ reklamash”. Kështu, përfundimisht pas të gjithë dilemave që kisha, hoqa dorë krejtësisht prej çdo titulli dhe më kapi një panik i lehtë: “A thua do të gjej një titull, një titull çfarëdo për këtë libër?”. Në librin “Aj rum, cici rum” përfshihen 17 proza të shkurtra dhe një hyrje e përmendur më lart me titull “Iliadë në miniaturë”, ku autori hedh një vështrim të shkurtër në koordinatat e shkrimtarit bashkëkohës në botën e industrializuar dhe është, megjithatë, optimist për kthimin e lexuesit te libri, te letërsia. Albri Brahusha u lind në Shkodër më 29 shtator 1973. Profesioni i tij i vërtetë është avokatia, por pasioni i tij mbetet letërsia dhe skena, që do të thotë dramaturgjia dhe spektakli skenik.