E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkimi Europian pranon kërkesën për anëtarësimin e Shqipërisë



Bashkimi Europian pranoi dje kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në bllokun europian me 27 anëtarë. Kjo do të thotë se Bashkimi Europian nisi shqyrtimin e kërkesës për t’i dhënë Shqipërisë statusin e kandidatit, një hap i madh përpara për ambiciet e vendit tonë. Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së, që u takuan gjatë ditës së djeshme në Bruksel, miratuan vendimin në fjalë pa e diskutuar më tej. Lajmi u njoftua nga Presidenca suedeze e BE-së. Ministrat vetëm firmosën një marrëveshje për të cilëm kishin rënë dakord javën e shkuar ambasadorët e 27 vendeve anëtare të BE. Tashmë vendimi i kalon Komisionit Europian, krahut ekzekutiv të Bashkimit Europian, që do të marrë në konsideratë kërkesën shqiptare dhe do të vlerësojë hapat e Shqipërisë. Një pyetësor do t’i dërgohet Shqipërisë me rreth 9000 pyetje në lidhje me ecurinë në reforma. Vendi ynë dorëzoi kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Europian në muajin prill të vitit të kaluar, pak pas anëtarësimit në NATO dhe para zgjedhjeve të 28 qershorit. Fillimisht BE-ja tha se do të pritej rezultati i zgjedhjeve, para se të merrej në shqyrtim kërkesa. Më pas u tha se kërkesa do të shqyrtohej brenda vjeshtës dhe ashtu sikurse u premtua, vendimi u mor në mes të nëntorit. Nëse Shqipëria merr statusin zyrtar të kandidatit, do t’i bashkohet Kroacisë, Turqisë dhe Maqedonisë, por do të përballet me një sërë testesh dhe sfidash gjatë këtyre viteve. Kroacia dhe Turqia e kanë nisur këtë proces në 2005-n dhe ende nuk janë anëtarësuar.

Nisi në Bruksel Forumi BE-Ballkan, diskutim për krimin dhe korrupsionin

BRUKSEL – Hapet në Bruksel forumi i përvitshëm mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian, ku në qendër të tij është korrupsioni dhe krimi i organizuar. Takimi nisi dje dhe marrin pjesë zyrtarët e lartë të Komisionit Europian për Çështjet e Brendshme dhe të Drejtësisë, si dhe ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Forumi kryesohet nga ministrja suedeze për Drejtësinë, znj. Beatriçe Ask. Në hapjen e forumit ishte i pranishëm komisioneri Zhak Barrot, njëherësh zëvendëspresident i Komisionit Europian. Burimet zyrtare të Presidencës çeke pohojnë se “objektivi kryesor i takimit, i cili mbahet çdo vit, është për të diskutuar gjendjen e përgatitjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor për të zbatuar kërkesat e BE-së, duke u fokusuar në veçanti në fusha të tilla si pavarësia e Gjyqësorit dhe luftën kundër krimit të organizuar”. “Një vëmendje të veçantë do të vihet mbi bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Europol, Eurojust dhe Frontex”, - thuhet në njoftimin zyrtar.
Ditën e sotme, në mbylljen e forumit ministerial, pritet të mbahet një konferencë shtypi nga zyrtarët e Komisionit Europian dhe ministrat e vendeve të Ballkanit.
Raportet e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor nxorën si problem kryesor në rajon përhapjen në shkallë të gjerë të krimit dhe korrupsionit. Një gjë e tillë përbën shqetësim për Brukselin zyrtar dhe sipas komisionarit Barrot, krimi dhe korrupsioni rrezikon stabilitetin e Europës dhe ngadalëson procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit në BE.
A. Gjoka

17 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›