Sejdiu-Dell, vizitojnë qendrat e numërimit, pa rezultat Prizreni
PRISHTINE- Presidenti Fatmir Sejdiu dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell u kanë bërë thirrje subjekteve politike dhe votuesve kosovarë që të kenë besim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet tjera të pavarura, në lidhje me shpalljen e rezultatit final të zgjedhjeve për kryetarët dhe asambletë komunale. Sejdiu dhe Dell kanë vizituar qendrën e numërimit të rezultateve të votimit në Fushë-Kosovë, duke parë nga afër procesin e verifikimit të votave dhe numërimit të tyre. Me këtë rast, presidenti Sejdiu nuk ka dashur t’i komentojë qëndrimet e partisë së tij, Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila në shumë komuna po konteston rezultatet e prezantuara nga KQZ-ja, duke rikujtuar se ai është president i Kosovës dhe e mban të ngrirë postin e kryetarit të LDK-së.Sejdiu tha se subjektet politike duhet t’i besojnë KQZ-së dhe institucioneve tjera, duke kërkuar që të gjitha dyshimet për parregullsi të sqarohen deri në fund. “Ne duhet të besojmë te këta njerëz, le të flasin vetë. Unë mendoj se këta duhet ta bëjnë punën e vet ashtu si e kanë mandatin. Unë kam funksion të pezulluar dhe unë jam në funksionin e plotë të presidentit të vendit, ashtu siç e do Kushtetuta e vendit”.Ndërkohë, ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, tha se këto ditë kishte dëgjuar e lexuar shumë komente për parregullsi të shumta gjatë procesit të fundit zgjedhor në Kosovë.Por, Dell ka theksuar se anulimi i nëntë vendvotimeve dhe parregullsitë tjera, në përqindje janë një shifër shumë e ulët që të mund të konstatohet se procesi zgjedhor ka dështuar. “Po flasim për probleme në nëntë vendvotime, nga mbi 2.400. Kjo është shumë më pak se 1 për qind e vendvotimeve. Të thuash se ka pasur probleme në më pak se 1 për qind të vendvotimeve, nuk mund të thuash se ka pasur mashtrim masiv, ose se kjo e zhvleftëson procesin - është thjesht një hiperbolizim”, ka vlerësuar Dell. Sejdiu dhe Dell janë njoftuar nga kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, lidhur me vendimin për anulimin e nëntë vendvotimeve për shkak të parregullsive. Kryetarja e KQZ-së, Lushta, sikurse edhe zyrtarët e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve kanë thënë se numërimi i votave me kusht do të fillojë menjëherë për 11 komuna ku nuk janë vërejtur parregullsi. Kurse, numërimi i votave me kusht për 10 komunat ku janë shënuar parregullsi, apo ka ankesa nga partitë politike, është thënë se duhet të presë së pari vendimet e Komisionit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa.Numërimi i votave me kusht, tashmë konsiderohet si përcaktues për fituesit e postit të kryetarit të Prizrenit. Po ashtu, këto vota, është thënë, se mund të kenë ndikim edhe në rezultatet e Gjilanit, Rahovecit e Lipjanit.(m.a/rel/BalkanWeb)