Biznesi: Tatimorët po abuzojnë me amnistinë fiskale
Sipas Dhomës, tatimorët dhe doganierët, u kërkojnë të heqin dorë nga ankesa në gjykatë, nëse duan falje
Dhoma Amerikane e Tregtisë, i dërgon letër ministrit Bode, ku kërkon të ushtrojë autoritetin ndaj Tatimeve dhe Doganave
Dhoma Amerikane e Tregtisë, akuzon administratën tatimore dhe doganore, se po abuzojnë me ligjin për amnistinë fiskale, të miratuar vitin kaluar. Në një letër të hapur, dërguar ministrit të Financave, Ridvan Bode, kjo Dhomë akuzon dy administratat e fiskut, se po interpretojnë në mënyrë të gabuar ligjin dhe udhëzimin e qeverisë, duke u hequr bizneseve mundësinë për të përfituar nga falja e detyrimeve. Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, administratat zbatojnë kritere përjashtuese për bizneset, duke ua mohuar atyre të drejtën e ankimimit në gjykatë, nëse duan të përfitojnë nga falja e gjobave dhe kamatëvonesave, një e drejtë që, sipas komunitetit të biznesit, konsiderohet si kushtetuese.
Letra
Në letër, drejtuesit e Dhomës u kërkojnë zyrtarëve të qeverisë të ndikojnë me autoritetin që u jep ligji mbi punonjësit e doganave dhe tatimeve, në mënyrë që të mos e zbatojnë ligjin me kritere përjashtimore mbi biznesin.
"Nga kontaktet me drejtues të Tatimeve dhe Doganave, anëtarët e Dhomës Amerikane janë vënë në dijeni nga përfaqësuesit e këtyre institucioneve, se ata interpretojnë ligjin për Amnistinë Fiskale dhe udhëzimit nr. 33, në këtë mënyrë: tatimpaguesit që duan të përfitojnë nga ligji për Amnistinë Fiskale, duhet të heqin dorë (nëse e kanë filluar apo duan të fillojnë) nga apelimi administrativ apo gjyqësor kundër vlerësimeve tatimore apo doganore.
Nëse zbatohet në këtë mënyrë, atëherë tatimpaguesit humbasin të drejtën për të apeluar vlerën e principalit, në kurriz të përfitimit nga amnistia për gjobat dhe interesat",- shkruhet në letrën e hapur, drejtuar ministrit të Financave, Ridvan Bode. Sipas përfaqësuesve të Dhomës, ky interpretim i ligjit dhe udhëzimit, bie në kundërshtim me qëllimin e tyre dhe me vetë qëllimin e autoritetve që kanë hartuar ligjin dhe udhëzimin.
"Në rast se do të kishte ndonjë detyrim për të tërhequr apelimin administrativ apo gjyqësor, kjo gjë duhej të ishte e përcaktuar shprehimisht në ligj",- shkruhet në letrën e bërë dje publike.
Sipas tyre, neni 2 i ligjit, parashikon se, në rastin e detyrimeve tatimore dhe, ose doganore të njoftuara rregullisht, kushti që duhet përmbushur për përfitimin e amnistisë mbi gjobat dhe interesat, është që pagesa e principalit të detyrimit të bëhet brenda një afati 6-mujor nga hyrja në fuqi e ligjit. Ligji ka hyrë në fuqi në fillim të muajt tetor të vitit të kaluar dhe ka efekt deri më 7 prill të këtij viti.
Pretendimet e biznesit
- Paragrafi 2.1 i udhëzimit, përcakton si kushte të vetme për përfitimin e faljes së gjobave dhe kamatëvonesave sa më poshtë: (I) të jetë nxjerrë akti administrativ i kërkuar nga ligji dhe të jetë regjistruar/kontabilizuar si detyrim i tatimpaguesit/debitorit dhe (II) radha e pagesës të marrë në konsideratë pagimin, së pari të tatimit/detyrimit doganor (principali), në mënyrë që të bëhet i mundur zbatimi i ligjit për Amnistinë Fiskale.
- Për më tepër, paragrafi 2.4 dhe paragrafi 2.6, i udhëzimit, parashikojnë se do t'u falen të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat edhe tatimpaguesve (debitorëve në rastin e detyrimeve doganore) që janë në proces apelimi apo në proces gjyqësor, nëse është paguar apo do të paguhet shuma e detyrimit (principalit) brenda 6-muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Amnistia, kush përfiton
Në shtator të vitit të kaluar, qeveria miratoi një ligj për faljen e detyrimeve të prapambetura tatimore dhe doganore, gjobave dhe kamatëvonesave për biznesin. Në total, në administratën doganore, subjektet private dhe shtetërore debitore, i detyroheshin rreth 9.1 miliardë lekë dhe, me ligjin e amnistisë faleshin rreth 6.7 miliardë lekë gjoba dhe kamatëvonesa.
Në amnisti përfshihen të gjithë ato biznese dhe subjekte që paguanin deri më 7 prill principalin e detyrimit. Ndër subjektet që përfitonin, ishin ato që deri më 31 dhjetor 2000, kishin importuar automjete në vend, duke iu falur detyrimi doganor, gjobat dhe kamatëvonesat.
Ndërsa për ato që kishin importuar nga 1 janari 2001 deri më 7 tetor 2008, do t'u falej gjoba, kamatëvonesa dhe taksa e ditëve të qëndrimit, me kushtin që brenda 7 prillit 2009 të paguanin detyrimin doganor. Ndër të tjera, në ligj parashikohet falja e detyrimeve të prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor të mjeteve dhe të taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, për pronarët e automjeteve. Ligji parashikonte, gjithashtu, faljen e gjobave dhe kamatëvonesave për detyrimet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.