E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pukë, rrëshqitje toke nga asgjësimi i municioneve

Asgjësimi i municioneve nisur prej disa ditësh në masivin pyjor të Tërbunit në rrethin e Pukës, ka sjellë në këtë qytet përfaqësues të OSBE-së. Asgjësimi është shndërruar në një shqetësim serioz për banorët e zonës. 

PUKE- Asgjësimi i municioneve nisur prej disa ditësh në masivin pyjor të Tërbunit në rrethin e Pukës, ka sjellë në këtë qytet përfaqësues të OSBE-së në një takim në bashki, për tu njohur nga afër me atë cka po ndodh.
Pas takimit të zhvilluar me dyer të mbyllura, përfaqësuesit, bashkë me ta dhe shefi i OSBE-së për rajonin e Shkodrës, janë nisur në Tërbun për tu njohur më nga afër me situatën.
Asgjësimi i municioneve luftarake në Pyjet e Livadheve të Hamzit, është bërë tashmë shqetësimi më serioz për banorët e fshatit Shkozë të rrethit të Pukës.
Fillimi i procesit për asgjësimin e rreth 1200 ton municione luftarake të rrezikshmërisë së lartë po e shuan përfundimisht shpresën e vetme të banorëve, zhvillimin e turizmit malor.
Tronditjet e asgjësimit janë vënë re dhe në rrëshqitjen e tokës në këtë zonë, cka shton më tepër frikën nga rreziku tek banorët.
Shqetësimi i tyre u shoqërua dhe me firmosjen e një peticioni drejtuar të gjithë strukturave qeveritare, përmes të cilit kërkojnë ndalimin e asgjësimit, duke paralajmëruar protesta masive dhe bllokimin e rrugës. Shqetësimit të gjerë të banorëve iu bashkua edhe kreu i bashkisë së Pukës, Rustem Strugaj, i cili asgjësimin e municioneve e cilësoi si një veprim absurd që po shuan shpresat për të ardhmen e këtij rrethi.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›