E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Pulaku me ilaç kuajsh, Federata dinte gjithçka"

LONDER- Akuzë e fortë e shefit të misionit olimpik Viron Bezhani ndaj Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, por edhe ndaj Komisionit Anti-Doping e Ministrisë së Sporteve. Që nga Londra, ku ndodhet për Olimpiadën e 30-të, ai ka deklaruar për Top Channel se të gjithë e dinin që Hysen Pulaku ishte i dopuar, por ai sërish u lejua të garonte. "Na vjen turp nga ky rast, - thotë Bezhani. - Medikamenti i gjetur nga Agjencia Anti-Doping, përdorej për kuajt në vitin 1069. Pulakun e kanë shoqëruar deri jashtë si person të padëshiruar dhe të gjithë na shohin shtrembër me të drejtë sepse është një rast shumë i rëndë", shtoi më tej ai. Por, Bezhani nuk lë pa përmendur as Federatën, Ministrinë e Sporteve dhe Komisionin Anti-Doping për këtë rast. "Të gjithë e dinin që ky sportist nuk ishte i pastër. Unë si shef delegacioni këmbëngula që të bëhej kontrolli menjëherë, por përgjigjet dihen që vijnë pas një muaji dhe atëherë nuk kanë vlerë. Ministria ka shumë faj në këtë rast sepse Ministria e ka ngritur Antidopingun për të shmangur raste të tilla dhe kontrollet duhen bërë me kohë që ne të mos turpërohemi këtu. Dopingu është ulur këmbëkryq në Shqipëri", përfundon Bezhani. 
RASTI I KATËRT 
Pas rastit të Shqiponja Brahjes një vit më parë, të Ilir Sulit e Erkand Qerimajt këtë vit, kjo është hera e katërt në harkun e një kohe të shkurtër që peshëngritësit shqiptarë kapen me doping. OK, bëhet fjalë për një sport të rëndë, megjithatë duket se masat nuk janë marrë, pavarësisht se paralajmërimet kanë qenë të shumta. Rasti i Erkand Qerimajt ishte ai që tronditi sportin kuqezi, duke qenë se peshëngritësi shkodran sapo ishte shpallur kampion Evrope. Por, gjetja pozitive e Pulakut në Olimpiadë, bëri që Shqipëria të kishte sportistin e parë të përjashtuar nga "Londër 2012", një rast i rrallë ky, pasi ekipi kuqezi mbeti me 10 sportistë ende pa nisur aktivitetet. 
FEDERATA 
Drejtuesit e Federatës së Peshëngritjes do të flasin vetëm sot për rastin "Pulaku", i cili ishte sportisti i parë i përjashtuar nga Lojërat Olimpike të Londrës. Shtangisti nga Peqini doli pozitiv me një substancë të llojit "steroid anabolik", të quajtur "stanozolol", e cila u gjet me një analizë të thjeshtë në urinën e tij. Ngjarja shokoi edhe drejtuesit e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, ndërsa tashmë pritet që Federata Botërore e Peshëngritjes ta pezullojë për dy vjet. "Është diçka e mërzitshme, kur kapet një atlet që kërkon të mashtrojë. Uroj të mos ketë të tjerë", tha zëdhënësi për shtyp i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Mark Adams në një konferencë për mediat.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›