E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pullat e reja fiskale, goditje për prodhuesit e vendit

03/03/2011  Konfindustria kërkon shtyrje të procesit të paktën për industrinë e birrës

Konfindustria, grupimi më i madh i industrialistëve në vend shpreh shqetësimin se dhënia me koncesion e pullave fiskale do të rrisë kostot e prodhimit, veçanërisht në industrinë e birrës. Industrialistët kanë kërkuar shtyrjen në kohë të procesit të paktën për birrën. “Kryesore është investimi fillestar në makineri, pastaj kostoja e sistemit që duhet rregulluar me institucionet e fiskut dhe duhet të kemi parasysh faktin që aktualisht industritë e kanë të pamundur investimin në makineri të veçanta, që kanë kosto të madhe”, - u shpreh dje Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i Konfindustrisë. Masa e qeverisë rrit taksat e pullave për të gjithë mallrat e akcizës. Për birrën taksa bëhet nga 0 në 3.65 lekë litri, për verën nga 2.5 lekë në 5.32 lekë për litër, ndërkohë që rritjes nuk i shpëtojnë as produktet e duhanit. Sipas Gjergj Buxhukut, rritja e kostove më shumë se sa qytetarët, në këtë rast do të godasë prodhimin vendas duke favorizuar rritjen e importeve. “Ndërkohë që për industritë shqiptare kostot janë të ndjeshme, për industritë e tjera konkurrente në tregun shqiptar kostot nuk janë të ndjeshme”, - shprehet Buxhuku. Sistemi i ri i pullave fiskale sjell ndryshime edhe në pagesën e detyrimeve tatimore, pasi sipas Konfindustrisë, ky sistem e detyron biznesin ta parapaguajë akcizën pa e shitur produktin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›