Qyteti me adresa e emra rrugësh
SARANDE - Investimi i kryer ditët e fundit nga Bashkia për emërtimin e rrugëve, parqeve dhe shesheve të Sarandës ka lehtësuar orientimin jo vetëm të banorëve të këtij qyteti, por sidomos pushuesve. Tabelizimi tregon tashmë atë që Saranda po përsos vetveten duke u bërë më e lexueshme në rrugët, institucionet dhe banesat e veta. Saranda u përzgjodh nga OSBE si qytet pilot për organizimin e infrastrukturës, emërtimin e objekteve, etj. Zv.kryetari i bashkisë, Fatos Mullaj, u shpreh se në kushtet e veçorive që ka Saranda si qytet turistik, ka pasur nevojë për përsosje e investime të reja në këtë fushë. Produkti i kësaj pune, do të jetë edhe një hartë e pajisur me të gjithë elementët që kërkon sistemi, e cila do të publikohet në vende publike në qytet dhe që do të gjendet edhe në ëebsitin e Sarandës në internet. Kushdo mund të klikojë për të gjetur adresën e çdo lokali, hoteli dhe banese në këtë qytet. sh.d