E Diel, 1 Nëntor 2026

Punësimi i femrave, më pak mundësi me kalimin e moshës

TIRANË- Në zyrat e punësimit në Tiranë, janë të regjistruara në kërkim të një pune 11.450 femra, ku pjesa më e madhe e tyre kanë dhe rolin e kryefamiljares. Sipas specialistëve në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Tiranë, vihet re tendenca që me rritjen e moshës ulet dhe mundësia e punësimit.

Duke u bazuar në statistikat e tyre, evidentohet se numri më i madh i femrave që kërkojnë të punësohen është për grupmoshën mbi 50 vjeçare. Ndaj rezulton se 2375 femra të moshës mbi 50 vjeçare janë të regjistruara si punëkërkuese të papuna, krahas 572 vajzave të moshës 15-19 vjeç dhe 1097 të regjistruarave të moshës 20-24 vjeçare.

Prej femrave të regjistruara në kërkim të punësimit, 1273 prej tyre trajtohen me pagesë papunësie, ndërsa 7604 përfitojnë ndihmë ekonomike.
Në statistikat e DRSHKP rezultojnë të regjistruara dhe 1544 femra të komunitetit rom, 19 viktima të trafikimit, 16 femra me aftësi të kufizuara dhe 7 jetime.

Ndërkohë në zyrat e punës janë të regjistruara dhe 59 vajza dhe gra të cilat janë kthyer së fundmi nga emigracioni, dhe kërkojnë të rindërtojnë jetën e tyre në Shqipëri. 

Vihet re ndër të tjera se numri më i madh i femrave që kërkojnë të punësohen kanë arsim 9 vjeçar, konkretisht 4159. Ndërkohë janë kërkim të një pune dhe 699 vajza dhe gra me arsim të lartë.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›