Punësimi në Itali, mbyllet aplikimi, ndahen 1698 kuota për shqiptarët
Për shqiptarët janë paraqitur 9505 kërkesa kundrejt 4500 kuotave të rezervuara për ta, ndarja paraprake e 1698 vendeve të punës
Mbyllen procedurat e aplikimit për punësim në Itali dhe tashmë pritet konfirmimi i kërkesave të bëra nga punëkërkuesit, përfshirë edhe 4500 shqiptarët që do të pranohen. Por, që drejtoritë e punës dhe sportelet unike të mund të fillojnë shqyrtimin e kërkesave të paraqitura që më 31 janar për punësimin e punonjësve të huaj nga vendet me kuotat rezervuara në kuadrin e flukseve 2010, Ministria italiane e Punës ka përpiluar një shpërndarje paraprake të 20 mijë hyrjeve (nga 52 080) nëpër krahina e provinca italiane. Për shqiptarët shpërndahen 1698 kuota, ndër 4500 të parashikuarat nga dekreti. Nga 4500 kuotat e shqiptarëve, paraprakisht janë ndarë vetëm 1698: 318 në Lombardi, 263 në Reggio Emilia, 228 në Toskanë, 116 në Liguria, 96 në Lazio e kështu me radhë. Autoritetet italiane sqarojnë se ndarja paraprake është bërë duke mbajtur parasysh numrin e kërkesave të paraqitura më 31 dhjetor: praktikisht krahinave e provincave ku janë paraqitur më shumë kërkesa u janë dhënë më shumë kuota. Pjesa tjetër e kuotave do të shpërndahet në nivel lokal brenda 15 shkurtit, pasi të merret edhe mendimi i enteve lokale. Sipas të dhënave të raportuara nga Ministria e Brendshme italiane, në datën 31 janar, që ishte edhe dita e aplikimit për punësim, deri në orën 18.00 janë paraqitur telematikisht 303 252 kërkesa për një kuotë të flukseve 2010. Kuotat në dispozicion për këtë ditë të parë janë ato për kombësitë me përparësi, mes të cilave edhe shqiptarët, gjithsej 52 080. Sipas Ministrisë së Brendshme, pjesa dërrmuese e kërkesave të paraqitura janë për bashkëpunëtorë familjarë 214 922 (189284 colf dhe 25.638 badanti) dhe vetëm 88 330 për punonjës të varur në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Numri më i madh i kërkesave është nisur nga provinca e Milanos (39 086), e ndjekur nga Roma (23 579) dhe Brescia (19 280). Punonjësit më të kërkuar janë ata nga Bangladeshi (49 090 kërkesa kundrejt 2400 kuotave të rezervuara për ta) dhe marokenët (45 841 kërkesa për 4500 vendet e rezervuara nga qeveria për ta). Për shqiptarët janë paraqitur 9505 kërkesa kundrejt 4500 kuotave të rezervuara për ta. Si gjithnjë edhe këtë herë numri i kërkesave është disa herë më i lartë se numri i kuotave të vëna në dispozicion nga dekreti për të gjitha etnitë. Edhe këtë herë, do të përfitojnë një kuotë më të shpejtët, kush ka arritur të nisë kërkesën vërtet minutat e para të vlefshme. Ndoshta për shqiptarët, mundësia e përfitimit të një kuote mund të jetë e lartë edhe për ata që kanë dërguar kërkesën gjatë dy orëve të para, pasi kërkesat e përgjithshme për ta janë diçka më shumë se dyfishi i kuotave. Në përgjithësi, sistemi informatik i mbledhjes së kërkesave të Ministrisë së Brendshme italiane ka funksionuar mirë, veçanërisht në minutat e para, kur edhe fluksi i dërgesave ka qenë më i lartë. Me kalimin e orëve, numri i kërkesave që paraqiten ulet ndjeshëm (bashkë me të edhe mundësia për të siguruar një kuotë), në fakt, në mesditën e datës 31 janar, Ministria e Brendshme lajmëronte se ishin paraqitur 293 mijë kërkesa.