Punësimi në Itali, nisin në janar procedurat e aplikimit
Jonida Tashi
Procedurat e punësimit sezonal në Itali, do të nisin në muajin e parë të vitit që vjen, pasi pala italiane të ketë nxjerrë Dekret-Flukset e posaçme, për vitin 2010. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare të Ministrisë së Punës, të cilat sqarojnë se zyrtarisht procedurat e aplikimit nga shtetasit shqiptarë për t’u punësuar në Itali, nuk mund të fillojnë pa mbërritur nga ky shtet dokumenti për Dekret-Flukset 2010. Në këtë dokument pala italiane përcakton numrin e punëtorëve të huaj që i nevojiten për punësim sezonal, sipas kërkesave të tregut italian të punës dhe provincave të saj. Sipas autoriteteve italiane, në këtë dekret do të trajtohen me përparësi shtetas nga shtete me të cilat Italia ka marrëveshje bashkëpunimi, mes të cilave edhe Shqipëria. Ndërkaq, para çeljes së këtyre procedurave, Ministria e Punës do të publikojë paketën e plotë me rregullat e reja që do të ndiqen nga aplikuesit shqiptarë për t’u punësuar jashtë vendit. Sipas burimeve nga Ministria e Punës, mësohet se të parët që do të përzgjidhen për t’u punësuar në Itali vitin e ardhshëm do të jenë ata kandidatë që këtë vit janë punësuar në këtë vend, për arsye se tashmë ata kanë krijuar lidhje me punëdhënësit italian. Fillimisht kualifikimi më i rëndësishëm për të punuar në Itali është aftësia për të folur gjuhën italiane. Më pas vijnë kualifikimet profesionale ose tregtare, që janë të nevojshme për të punuar në pjesën më të madhe të fushave në Itali dhe gjithashtu ato nevojiten për t’u vetëpunësuar apo filluar një tregti.
Marrëveshja
Ndryshe nga praktikat e ndjekura në vitet e kaluara, ku procedurat e punësimit në Itali janë kryer në mënyrë individuale, për vitin 2010, qeveria shqiptare ka përcaktuar rregulla të reja. Burime zyrtare bëjnë të ditur se qeveria ka miratuar në mbledhjen e saj të fundit, para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, disa ndryshime në marrëveshjen e nënshkruar midis vendit tonë dhe Italisë për punësimin sezonal. Burime nga Ministria e Punës sqarojnë se sipas ndryshimeve të bëra në marrëveshje, punësimi sezonal në Itali nuk do të realizohet më në mënyrë individuale, por do të përfshihen edhe institucionet shtetërore, në varësi të Ministrisë së Punës për realizimin e këtij procesi. Për rrjedhojë, aplikuesit e rinj për punësim në Itali do të përzgjidhen fillimisht nga drejtuesit e dikasterit të Punës, për të vijuar më tej me procedurat e punësimit. Sakaq, janë përcaktuar edhe dy kushtet kryesore që duhet të plotësojnë të interesuarit për punësim në Itali, që janë zotërimi i një kualifikimi profesional si dhe njohja e gjuhës italiane. Kush prej aplikuesve nuk do të plotësojë qoftë edhe njërin prej kushteve të mësipërme, për të përfituar nga punësimi në shtetin fqinj, do të jetë i detyruar që t’i nënshtrohet kurseve për t’u kualifikuar profesionalisht ose për të mësuar italishten. Përveç përcaktimit të kualifikimeve, tregu italian i punës ka përcaktuar dhe sektorët përkatës, ku i nevojiten forcat e punës. Kryesisht ky treg ka shfaqur nevoja për kujdestari në familje dhe punëtorë shtëpie, por edhe sektorë të tjerë siç janë ato të ndërtimit dhe fushat e ndryshme mekanike. Restorantet, hotelet dhe ambientet turistike që punësojnë staf sezonal për t’i ndihmuar gjatë periudhave kryesore turistike janë një tjetër sektorë i tregut italian që ka nevojë punëtorë. Gjatë periudhës së verës punëtorët nevojiten për bregdetin dhe liqenet, kurse në dimër për ambientet malore. Sipas autoriteteve italiane që merren me fushën e punësimit, më shumë se 50 për qind e fuqisë punëtore për bujqësinë vjen nga shtete jo anëtare të BE-së dhe sektorë të tërë varen nga punëtorët imigrantë, që nga vjelja e frutave dhe perimeve deri në blegtori.
Punësim stinor
Cilido person që synon të lidhë marrëdhënie punësimi në Itali me një të huaj që qëndron jashtë, duhet të paraqesë pranë Sportelit Unik për Imigrimin tek Prefektura-Zyra Territoriale e qeverisë së provincës së tij/saj dokumentet si më poshtë: modulin e kërkesës me emër; fotokopjen e pasaportës apo një dokumenti tjetër udhëtimi të barazvlefshëm; kopjen e kontratës së lidhur me të huajin; zotimin ndaj shtetit për të paguar shpenzimet e udhëtimit të punëtorit në vendin e tij, në rast riatdhesimi. Punëtori i huaj duhet që tashmë të mbajë një vizë të lëshuar nga konsullata italiane në vendin e tij të origjinës apo të rezidencës stabël. Humbja e vendit të punës nuk e zhvesh punëtorin e huaj dhe familjarët e tij nga e drejta e lejes së qëndrimit. Pasi si në rastin e largimit nga puna, ashtu edhe në atë të largimit me dëshirë është i mundur regjistrimi në listat e punëkërkuesve për periudhën e mbetur të vlefshmërisë së lejes së qëndrimit dhe sidoqoftë jo më të shkurtër se një vit (me përjashtim të punës stinore). Autorizimi për punë stinore mund të ketë një vlefshmëri minimale 20 ditore dhe maksimale 6-mujore. Për disa sektorë mund të kërkohet një vlefshmëri 9-mujore edhe në rastin e disa punëve afatshkurtra, që mund të kryhen pranë punëdhënësve të ndryshëm. Me t’u plotësuar kushtet, punëtori stinor mund ta shndërrojë/konvertojë këtë tip lejeje në leje për punë si punëmarrës me kohë të caktuar apo jo. Nëse i huaji respekton afatin e vlefshmërisë së lejes, duke u rikthyer në vendin e tij të prejardhjes ka të drejtën e përparësisë për një periudhë të pastajme punësimi, krahasuar me bashkështetasit e tij që nuk kanë hyrë asnjëherë në Itali për motive punësimi.
Shërbimi i punësimit, Ksera kërkon ndihmë nga homologu Britanisë së Madhe
Ministri i Punës, Spiro Ksera i ka kërkuar ndihmë homologut të tij në Britaninë e Madhe, për të përmirësuar shërbimin e punësimit në vendin tonë. Përmirësimi i legjislacionit dhe rritja e kapaciteteve të administratës shqiptare në fushën e punësimit dhe shërbimeve sociale, duke përfituar nga eksperienca e Mbretërisë së Bashkuar, ishin temat e diskutimit të ministrit të Punës së Shqipërisë, Spiro Ksera, me ministrin britanik të Shtetit për Punësimin dhe Reformën e Pensioneve, Jim Knight, gjatë vizitës që një delegacion Ministrisë së Punës zhvilloi në Londër. Ministri britanik u interesua për hapat e ndërmarra nga Shqipëria në fushën e reformave të sistemit të përkujdesjes sociale, nxitjes së punësimit, ndërsa pala shqiptare pa nga afër implementimin në terren të politikave të punësimit të Mbretërisë së Bashkuar. Ksera informoi homologun e vet të Mbretërisë së Bashkuar mbi hapat e informatizimit dhe në dixhitalizimin e skemës së ndihmës ekonomike në Shqipëri, duke kërkuar njëkohësisht edhe asistencën e Anglisë në këtë fushë. Duke zhvilluar një bisedë të detajuar mbi mekanizmat ekzistentë tek të dy vendet, Ksera informoi homologun Knight dhe bashkëpunëtorët e tij se qeveria shqiptare synon që me marrjen e masave të duhura në fushën e modernizimit dhe reformimit të mënyrës së shpërndarjes së ndihmës ekonomike, të arrijë reduktimin e varfërisë dhe rritjen e mbështetjes për shtresat më të varfra. Nga ana e tij, Knight vuri në dukje se bashkëpunimi mes strukturave qeveritare dhe koordinimi me njësitë vendore luajnë rol kyç në efikasitetin e skemës së kontrollit të abuzimeve. Pala angleze sugjeroi që autoritetet e punës së Shqipërisë të zotërojnë në çdo moment informacion mbi nevojat e tregut të punës në vend dhe të kenë koordinim të vazhdueshëm mes atyre që kërkojnë punë, zyrave të punës dhe punëdhënësve, qofshin këta të karakterit privat apo shtetëror. Modeli britanik ishte funksional në fushën e punësimit me një sukses në rreth 92% të rasteve të paraqitura për punë e që u mundësohej punësimi brenda 6 muajve. Për të arritur këtë, sistemi anglez i detyronte punëkërkuesit që të dëshmonin vullnet dhe dëshirë për të pranuar vendet e punës së ofruara dhe në rastet kur vihej re abuzim apo neglizhencë mund të shkohej deri tek ndërprerja e ndihmës ekonomike.
8 Dhjetor 2009