E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimet e pjesshme, si do të ndahen kuotat e pranimit për fakultet të parë dhe të dytë



Jonida Tashi

Gara për të fituar të drejtën e nisjes së fakultetit të dytë, sipas sistemit të pjesshëm të studimeve do të jetë e ashpër. Kjo për arsye se kërkesat e kandidatëve për të marrë një diplomë të dytë në xhep janë tepër të larta, krahasuar me kuotat që qeveria ka vënë në dispozicion për program të dytë studimi, në ciklin e parë të studimeve me kohë të pjesshme. Për rrjedhojë, megjithëse numri total i kuotave të pranimit për çdo degë, për studimet e pjesshme është i konsiderueshëm, kandidatëve për fakultet të dytë iu është lënë një numër i kufizuar vendesh, deri në 30 për qind të numrit total të pranimeve. Ndërkohë që kërkesat e kandidatëve për të vazhduar një fakultet të dytë me kohë të pjesshme janë tepër të larta, ndërsa mundësitë që të pranohen të gjithë nuk ekzistojnë.
Ndarja e kuotave
Sipas vendimit të marrë nga qeveria për përcaktimin e kuotave dhe tarifave të shkollimit në sistemin e pjesshëm të studimeve, kuota e çdo programi studimi do të ndahet në raportin 2:1, përkatësisht, për pranimet të reja, për programe studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, dhe për pranimet e reja për programe të dyta studimi. Bazuar në kushtin e vendosur nga qeveria, për ndarjen e kuotave të pranimit midis kandidatëve për program të parë studimi dhe atyre për program të dytë, Fakulteti Juridik në Universitetin e Tiranës, nga 200 kuota pranimi që ka në total, 163 i ka lënë në dispozicion për aplikantët për fakultet të parë, ndërsa 27 prej tyre për ata për fakultet të dytë. Ndërkohë që të njëjtin rregull për ndarjen e kuotave të pranimit në studimet e pjesshme do të respektojnë edhe fakultetet e tjera të vendit, të cilat pjesën më të madhe të kuotave do ia lënë kandidatëve që për arsye të ndryshme nuk kanë pasur mundësi të vijojnë shkollën e lartë.
Kriteret e pranimit
Mesatarja e shkollës së mesme do të jetë një ndër kriteret kryesorë, që komisionet e përzgjedhjes do të marrin parasysh në përcaktimin kandidatëve fitues. Ky rregull do të jetë i vlefshëm për të gjithë aplikantët që kanë konkurruar për studimet e pjesshme, qoftë si program i parë studimi apo i dytë. Për rrjedhojë, kandidatët që nuk kanë një notë të mirë mesatare do ta kenë tejet të vështirë për të ndjekur studimet e pjesshme këtë vit. Bazuar në kriterin e mesatares dhe saktësisë së dokumenteve të paraqitura, fakultetet do të përcaktojnë emrat e fituesve në rend zbritës, sipas notës mesatare, deri në plotësimin e kuotës së përcaktuar. Përsa i përket kandidatëve që kërkojnë të vazhdojnë studimet e pjesshme për fakultet të dytë, këtë vit, drejtuesit e arsimit kanë vendosur që të ndryshojnë kriterin e mesatares. Kështu, ndërsa një vit më parë, një nga kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve ishte që nota mesatare e fakultetit të parë duhet të ishte mbi tetë, këtë vit jo me patjetër do të merret në konsideratë vetëm kjo e fundit.
Nota mesatare
Duke marrë shkas nga situata e krijuar gjatë viteve të fundit, ku mjaft student që kanë dashur të ndjekin studimet e pjesshme, për të marrë një diplomë të dytë në xhep janë “djegur” vetëm për shkak të notës mesatare më të ulët se tetë të fakulteti të parë, drejtuesit e Arsimit kanë vendosur të bëjnë disa lëshime. Këtë favorizim ata e kanë bërë për faktin se mjaft prej kandidatëve që kërkojnë të vazhdojnë sistemin e pjesshëm si fakultet të dytë ose fakultetin e parë e kanë bërë në një degë jo të preferuar e thënë ndryshe për të mos ngelur pa shkollë, ose kanë studiuar në një degë të vështirë ku nuk mund të pretendosh për mesatare. Për këtë arsye, kandidatët që do të aplikojnë këtë vit për të ndjekur studimet me kohë të pjesshme si fakultet të dytë, mund të paraqesin edhe mesataren e shkollës së mesme, për t’u përzgjedhur si fitues, nëse ajo e fakultetit të parë nuk është mbi tetë. Ky fakt është konfirmuar nga burime zyrtare pranë Fakultetit të Drejtësisë, të cilat bëjnë të ditur se ky është urdhri i fundit që u është dërguar për përzgjedhjen e kandidatëve që do të vijojnë këtë vit akademik studimet e pjesshme për të marrë një diplomë të dytë.

Aplikimet, përfundon sot pasdite afati i dorëzimit të dosjes së dokumenteve

Në orën 18.00 të pasdites së sotme, fakultet do të mbyllin zyrtarisht procesin e pranimit të aplikimeve për studimet me kohë të pjesshme. Fill pas mbylljes së këtij procesi, duke marrë shkas edhe nga koha e kufizuar që ministri i Arsimit u ka vënë në dispozicion universiteteve për përzgjedhjen e kandidatëve fitues, pranë fakulteteve, për çdo program studimi të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, dhe për programe e dyta studimi, do të ngrihen komisione “Ad-hoc”, me anëtarë të personelit akademik, që do të përcaktojnë fituesit për këto programe, në përputhje me kuotat e përcaktuara nga qeveria. Për këtë proces, fakultetet do të kenë vetëm pesë ditë kohë në dispozicion, pasi sipas udhëzimit të ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, universitetet duhet të shpallin dhe të afishojnë listat e kandidatëve fitues në vende të dukshme, në mjediset e njësive kryesore përkatëse, brenda orës 12.00 të datës 14 dhjetor 2009, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës. Për të ligjëruar të drejtën e fituar për të vijuar studimet me kohë të pjesshme, kandidatët fitues duhet të kryejnë procesin e regjistrimit, sipas afateve të vendosura nga Ministria e Arsimit. Kjo e fundit ka vendosur që regjistrimi i kandidatëve në programet e studimit me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë ku janë shpallur fitues, të zhvillohet nga data 14 deri në datën 18 dhjetor, prej orës 8.00 deri në orën 16.00, pranë sekretarive mësimore të fakulteteve. Regjistrimi i kandidatëve fitues do të bëhet vetëm me Dëftesën e Pjekurisë origjinale të shkollës së mesme.

Arsimi i Lartë, Tafaj kërkon bashkëpunim me universitetet italiane

Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i ka kërkuar nënsekretarit italian të Shtetit për Arsimin, Giuseppe Pizza, të shtrihet bashkëpunimi midis universiteteve shqiptare me ato italiane. Gjatë takimit të zhvilluar dje midis tyre, Tafaj vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Italisë, si dhe mbështetjen e Italisë për sa i përket procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Duke folur për reformat e Ministrisë që drejton, ministri Tafaj theksoi se nevoja për arsimim të lartë është e madhe në Shqipëri dhe se numri e përqindja e studentëve që studiojnë në Itali është relativisht e lartë. Tafaj i bëri të ditur nënsekretarit italian për Arsimin se MASH-i dhe të gjithë universitetet shqiptare janë shumë të interesuar për bashkëpunime me qeverinë italiane në fushën e arsimit, duke i cilësuar si mjaft të favorshme kushtet e universiteteve shqiptare për të mirëpritur studentët italianë. Nga ana e tij, nënsekretari italian i Shtetit për Arsimin, e siguroi ministrin Tafaj, për bashkëpunimin e qeverisë italiane me qeverinë shqiptare, në veçanti në fushën e arsimit, duke bërë të njohur me këtë rast edhe mundësitë e krijimit të një komision të përbashkët për fushat e kompetencës si shkollat, universitetet dhe kërkimin shkencor, në mënyrë që ky bashkëpunim të mund të çohet më përpara në mënyrë më eficiente.

8 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›