E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna në protestë, Bashkia gati kallëzimin penal ndaj Policisë së Shtetit



Emanuela Sako

Bashkia e Tiranës ka reaguar ndaj gjobës së vënë nga Ministria e Mjedisit për ndotje, duke fajësuar policinë për dhunën e ushtruar dhe përhapjen e mbeturinave të sjella në shesh. Sipas njoftimit të fundit të këtij institucioni, Bashkia e Tiranës në bazë të ligjit dhe Vendimit të Këshillit Bashkiak, do të procedojë me gjobitjen e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, për ndotje të mjedisit. Ndërsa Drejtoria Juridike është duke përgatitur kallëzimin penal për ushtrim dhune të jashtëligjshme nga ana e forcave policore. Ata shprehen se për këtë, do të vënë në dispozicion pamje filmike të marra nga vendi i ngjarjes. Nëpërmjet pamjeve filmike do të dalë qartë ngjarja e zhvilluar.
“Bashkia e Tiranës në bazë të ligjit dhe Vendimit të Këshillit Bashkiak, do të procedojë me gjobitjen e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, për ndotje të mjedisit, ndërsa Drejtoria Juridike është duke përgatitur kallëzimin penal për ushtrim dhune të jashtëligjshme nga ana e forcave policore. Gjobën tonë e mbështesim me prova filmike dhe fotografike dhe nëse Ministria nuk i ka parë kronikat televizive, ne i vëmë në dispozicion një DVD, me të gjitha filmimet përkatëse, në mënyrë që gjobës së saj t’i ndryshojë destinacionin, kundrejt Policisë së Shtetit”,- theksohet në deklaratën e Bashkisë së Tiranës.
Situata
Duket se situata mes pushtetit vendor dhe qendror po merre përmasa të reja nëpërmjet akuzave publike dhe ndjekjes në rrugë ligjore të ngjarjeve. Pas mitingut të bërë ditën e shtunë, nga Bashkia e Tiranës, vendorëve të tjerë socialistë dhe biznesit të vogël, goditjet mes palëve kundërshtare vazhdojnë të agravohen. Ndërkohë që Bashkia e Tiranës akuzon policinë për ushtrim dhune ndaj protestuesve dhe moslejimin e tyre për marrjen e mbeturinave në shenjë simbolike para kryeministrisë, Ministria e Mjedisit reagon ditën e djeshme duke vendosur gjobë për ndotje. Bashkia ka bërë të ditur se hapja e mbeturinave ka ardhur nga forcat e policisë. “Duke marr shkas nga deklarimi i Ministrisë së Mjedisit, lidhur me ndotjen dhe gjobën e vënë ndaj Bashkisë së Tiranës, gjatë protestës së pushtetit vendor ditën e shtunë, sqarojmë opinionin publik dhe vetë zëvendësministrat e qeverisë, se të vetmit ndotës në atë ditë kanë qenë forcat e Policisë së Shtetit, të cilët në mënyrë të dhunshme kanë marrë nga duart e punonjësve të Bashkisë qeset me mbeturina të cilat ishin element dekori i protestës sonë dhe i kanë hedhur nëpër rrugë e në skarpatet e Lanës”, - sqarojnë specialistët në deklaratë e Bashkisë së Tiranës.
Akuzat
Akuzat mes dy pushteteve janë vënë në qendër të vëmendjes ditët e fundit. Vetëm pak ditë më parë, Bashkia ngriti padi civile për Kryeministrin Berisha, Ministrin e Transporteve Sokol Olldashi dhe PD-në, për shpifje dhe abuzim me Bashkinë e Tiranës. Vetëm, një ditë më pas, Bashkia Ngriti padi penale në prokurori për Kryeministrin dhe Ministrin e Transporteve, për akuzat e bëra për tokën tek “Tajvani”.

Deklaratë e punonjësve të Bashkisë së Tiranës

Ne nëpunësit civilë dhe punonjësit e Bashkisë së Tiranës, kërkojmë vëmendjen e opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar, mbi dhunën arbitrare të ushtruar mbi ne, gjatë protestës paqësore të zhvilluar më datë 5 dhjetor. Vajza dhe gra, nëna dhe motra, qytetare të thjeshta e të ndershme të këtij qyteti, për të cilin punojmë me përkushtim çdo ditë, prej vitesh, u trajtuam nga Policia e Shtetit si një grup vandalësh e anarshistësh, duke na u shkelur në dritën e diellit liria dhe e drejta jonë qytetare për të protestuar në mënyrë paqësore, në mbrojtje të të drejtave tona, të përcaktuara qartë prej Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Bashkia e Tiranës është institucion i popullit të Tiranës, i qytetareve dhe qytetarëve të tij, ndaj ne protestojmë në emër të çdo të moshuari dhe fëmije, gruaje dhe burri, në emër të djemve dhe vajzave që kanë të drejtë të jetojnë në një metropol europian dhe jo në një qytet pa liri, ku policia e Shtetit e cila paguhet nga taksapaguesit, tashmë e kthyer në një vegël të qeverisë, ushtron mbi ne dhunën më të paturpshme.
E gjithë Shqipëria ndoqi përmes ekraneve, skenat e terrorit që policët e armatosur me shkopinj gome turreshin mbi ne, për të mbrojtur qetësinë e Sali Berishës. E gjithë Shqipëria së bashku me fëmijët tanë panë Policinë e Shtetit, me funksion primar mbrojtjen e qytetarit, të shkrehnin mbi nënat dhe motrat e tyre mllefin e akumuluar të politikës antidemokratike dhe antiligjore. Ato pamje dhe britma nuk kanë nevojë për koment, por fëmijët tanë të pafajshëm kanë nevojë të dinë, se pse uniformat blu dhunuan prindërit e tyre, të cilët protestonin paqësisht.
Të dëgjosh Sali Berishën dhe zëdhënësit e tij të flasin kundër dhunës, nuk është vetëm qesharake por ironike dhe poshtëruese.
Ne do të vazhdojmë të protestojmë për të drejtat e pushtetit vendor, për lirinë tonë si qytetarë të ndershëm të këtij vendi, ndaj i bëjmë thirrje Policisë së Shtetit të distancohet nga politika, dhuna dhe përdorimi i hapur që i bëhet asaj nga qeveria antidemokratike. I bëjmë thirrje çdo polici të thjeshtë apo drejtuesi, të mos bëhet vegël qorre e një politike antikombëtare, por të kujtojë se është shqiptar e gratë nuk preken me dorë.

Albana Koçiu
Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Menaxhimit të Shërbimeve
07.12.2009

Ministria e Mjedisit, gjobë 1 milionëshe Bashkisë së Tiranës

Ministria e Mjedisit ka gjobitur Bashkinë e Tiranës me 1 milion lekë gjobë, për kundravajtje administrative për plehrat që do të përdoreshin si simbol gjatë protestës. Kështu, Agjencia Rajonale e Mjedisit, Tiranë, ka penalizuar Ndërmarrjen e Pastrim-Gjelbërimit Nr. 1 të Bashkisë së Tiranës. Agjencia Rajonale e Mjedisit njoftoi se në bazë të informacionit të marrë nga policia e shtetit ku, në datën 4 dhe 5 dhjetor është konstatuar se në rrugë dhe drejtime të ndryshme të kryeqytetit, mjete të Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit kanë pasur si destinacion qendrën e Tiranës dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të shkarkuar plehra. Sipas këtyre burimeve, mbeturinat janë marrë nga Sharra dhe drejtime të tjera të sistemuara në qese plastike të zeza. Shkak për këtë, u bë dhe konflikti mes protestuesve dhe policisë, ku këta të fundit kërkuan largimin e mbeturinave nga sheshi. “Në bazë të informacionit të marrë nga policia e shtetit ku, në dt. 4 dhe 5 dhjetor 2009 është konstatuar se në rrugë dhe drejtime të ndryshme të qytetit Tiranë, mjete të Ndërmarrjes së Pastrim Gjelbërimit nr. 1 të Bashkisë së Tiranës, kanë pasur si destinacion qendrën e kryeqytetit - bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit ‘ për të shkarkuar plehra të marra nga Sharra dhe drejtime të tjera të sistemuara në qese plastike të zeza. Gjithashtu, bazuar dhe verifikimit në vend, referuar ligjit nr. 9010 dt. 13/ 02/2003, për administrim mjedisor të mbetjeve të ngurta, Agjencia Rajonale e Mjedisit Tiranë, penalizon Ndërmarrjen Pastrim Gjelbërim nr. 1 të Bashkisë Tiranë, me masën gjobë; 1milion lekë të reja për kundravajtje administrative në bazë të nenit 32, pika ç”, - thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mjedisit.

8 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›