“Punësimi nuk rritet nga rëndimi i biznesit me taksa progresive”
Kreu i LSI-së Ilir Meta, takim me qindra qytetarë të Njësisë nr. 1 në Tiranë, 120 anëtarësime të reja
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka marrë pjesë në një takim entuziast të organizuar me strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Njësinë nr. 1 në kryeqytet.
Në fjalën e tij Lideri i LSI-së deklaroi se për LSI-në është e rëndësishme që të kuptohet se 23 qershori është momenti më i mirë për LSI-në, për të maksimizuar rezultatin e tre zgjedhjeve bashkë, pra të 2005-s, 2009-s dhe 2013-s që po vjen.
Sipas tij vendi është në një stanjacion politik për shkak të një konflikti të paarsyeshëm që vë në plan të parë interesat e luftës së ngushtë politike mbi interesave të përgjithshme të vendit.
“Ne nuk kemi në dorë t’i ndryshojmë aktorët e tjerë por qytetarët shqiptarë kanë mundësi që me votën e tyre të ndryshojnë jo pak përbërjen e ardhshme të Parlamentit dhe mbi të gjitha të vlerësojnë ato forca të cilat punojnë për bashkëpunimin në interes të vendit. Unë mendoj se LSI-ja e ka të kristalizuar shumë qartë profilin e saj si një forcë bashkëpunuese dhe si një forcë që i bëhet ndihmesë zhvillimit të vendit dhe jo pengesë për interesa të ngushta”, vijoi ai.
Duke folur për çështjen e punësimit Ilir Meta tha se LSI është krenarë për atë që ka mundur të bëjë deri më duke implementuar angazhimet e saja në “Planin për Veprim” të vitit 2009.
Ai deklaroi se duhet bëtë më shumë për të përmirësuar klimën e biznesit në vend.
“Të gjithë flasim për punësimin dhe kjo është një gjë pozitive por më e rëndësishme është të punohet në këtë drejtim. Ne jemi krenarë që shumë nga angazhimet tona, të përmbledhura edhe në ‘Planin për Veprim’ në vitin 2009, sidomos në drejtim të punësimit, janë bërë një realitet, sidomos mbështetja konkrete ndaj biznesit fason por edhe shumë elementë të tjerë, pavarësisht se jemi të ndërgjegjshëm se duhet përmirësuar edhe më tej klima e biznesit pasi ka ende arbitraritet, mungesë profesionalizmi. Ka probleme të rëndësishme me rimbursimet që nuk bëhen asnjëherë dhe që rëndojnë koston e bizneseve dhe që rrezikojnë reduktimin e aktiviteteve të tyre dhe njëkohësisht vendeve të punës. Ne për këtë kemin ardhur dhe vijmë me një propozim konkret për këto zgjedhje për të realizuar rimbursimin automatik sikurse ndodh në shumë vende të tjera të zhvilluara. Ne biznesin nuk e shohim si një armik por si një partner që ndihmon zhvillimin e vendit, ndihmon rritjen e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë”, vijoi kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Meta tha se mbi 80 për qind e ekonomisë sot është private dhe gjallërimi i asaj është ajo që do të krijojë mundësi më të mëdha për punësim dhe për progres.
“Dëgjojmë shpesh se spekulohet me një gjendje të vështirë që kanë një pjesë e madhe e familjeve në Shqipëri duke u thënë se ‘ne do ta përmirësojmë jetën e këtyre shqiptarëve duke vendosur taksa më të forta ndaj biznesit sepse në këtë mënyrë ne do të arrijmë që tua marrim këtyre dhe tua japim këtyre të tjerëve’. Në fakt ky është një spekulim dhe një demagogji sepse ne jetojmë në një botë ku konkurrohet jo më midis vendeve por midis rajoneve dhe ne jemi në një vend ku taksa e fitimit në Maqedoni është 10 për qind, ku taksa e fitimit në Malin e Zi është 9 për qind dhe në Shqipëri është 10 për qind. Në qoftë se ne do të bënim politika të tilla populiste padyshim që kjo do t’i nxiste investitorët e ndryshëm, jo vetëm të huaj por ndoshta edhe shqiptarë, që të lëvizin, të shkojnë në vende të tjera, në ambiente më të qëndrueshme ekonomike, ku ata do të kishin një ambient më të sigurt. Sepse ne pamë rastin e Francës, presidentin e ri, i cili erdhi me angazhime të reja, vuri një taksë shumë më të lartë dhe shumë biznese po largohen nga Franca, që do të thotë më pak zhvillim dhe më pak punësim edhe në Francë. E njëjta logjikë funksionin kudo, ndaj ne nuk jemi në këto pozita sepse këto janë pozita spekulimi”, theksoi Lideri i LSI-së.
Ai deklaroi se LSI me këmbë në tokë dhe e bindur që politika më e mirë ekonomike dhe politika më e mirë e taksave, është politika që favorizon dhe rrit punësimin sepse kjo është politika më e mirë për të luftuar edhe varfërinë. “Nuk luftohet varfëria me asistencë sociale dhe as me lëmosha por ajo luftohet duke hapur vende të reja pune dhe sidomos duke nxitur për ato biznese e aktivitete që hapin për një kohë të shkurtër më shumë vende pune. Një nga këto ka qenë biznesi fason, i cili ka qenë në qendër të vëmendjes sonë për gati 5-6 vitesh, kur të tjerët edhe emrin nuk ia dinin”.
Në këtë aktivitet merrnin pjesë qindra anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së. Në LSI janë anëtarësuar rishtas në Lëvizjen Socialiste për Integrim edhe 120 anëtarë të tjerë, një pjesë të të cilëve Lideri i LSI-së u dha dokumentet e anëtarësisë. Ilir Meta shoqërohej në këtë takim nga kryetari i LSI-së së Tiranës, Shezai Rrokaj, nënkryetari i LSI-së për Njësinë Bashkiake nr. 1 në Tiranë, Geron Ibrahimi, si dhe nga kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha,