E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flukset 2010, në çdo 5 kërkesa për shqiptarët vetëm 2 do të pranohen

SHKRUAN: Jonida Tashi 09-03-2011 11:26

Kërkesat e paraqitura për shqiptarët janë 11 280, më shumë se dyfishi i kuotave të rezervuara për ta nga qeveria italiane

Ashtu si për dekretet e tjera të flukseve, kërkesat kapërcejnë me disa herë numrin e kuotave të vëna në dispozicion nga qeveria italiane për punësimin e të huajve. Ministria e Brendshme Italiane njofton se deri në orën 10.00 të datës 28 shkurt janë paraqitur 411 117 kërkesa, për 98 080 kuotat e vëna në dispozicion. Praktikisht, mbi katër kërkesa për çdo kuotë. Sipas shifrave të Ministrisë së Brendshme Italiane, 11 280 kërkesa janë paraqitur për punësim të shqiptarëve, për të cilët në dispozicion janë 4500 kuota.

Ministria njofton se nga 31 janari deri më datë 28 shkurt, kërkesat e paraqitura për shqiptarët janë 11 280, më shumë se dyfishi i kuotave të rezervuara për ta nga qeveria. Praktikisht, në çdo pesë kërkesa për shqiptarët, vetëm dy do të përfundojnë me ardhjen (apo legalizimin) e një punonjësi. Kjo do të thotë që paraqitja e kërkesave të reja tashmë është e pakuptimtë, pasi nuk ka asnjë gjasë që të mund të fitohet një kuotë. 4500 kuotat për shqiptarët, të ndara ndër krahina e provinca në dy momente të ndryshme janë: një pjesë më 1 shkurt, e pjesa tjetër më 22 shkurt (nuk janë shpërndarë rreth 200 kuota që janë vënë mënjanë si rezervë kombëtare). Kuotat për shqiptarët kanë shkuar kryesisht në Puglia (783), Piemonte (617), në Lombardi (558), Toskanë (468), Lazio (441), Marche (286) e kështu me radhë. Vetëm 38 në Friuli Venezia Giulia, 6 në Aosta, 5 në Trento.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›