E Diel, 1 Nëntor 2026

Punët e kota

• Edmond TupjaDikur, në shkollë, më kanë mësuar se puna e paska kthyer majmunin në njeri  Personalisht, nuk kam thuajse asgjë kundër darvinizmit të mirëfilltë, veçse po vë re përherë e më shumë që, në epokën tonë post(moderne, industriale etj., etj.) disa lloje punësh po e kthejnë njeriun... në majmun. Natyrisht, nuk e kam fjalën këtu për njerëzit në përgjithësi, por për ata që, diku në strukturat më të larta të hierarkisë shtetërore, hidhen nga dega në degë. Tamam si majmunët, këta akrobatë të lindur. Kjo nuk është një dukuri e kohëve të fundit, madje mendoj se fillimisht duhet të jetë shfaqur me lindjen e pushtetit shtetëror. Një bindje e tillë më përforcohet, sidomos, sa herë shoh një politikan, pavarësisht se cilës parti i përket, të kalojë nga një post në tjetrin duke u bërë ministër herë i një dikasteri dhe herë i një tjetri, ndonëse nuk është kompetent për këtë apo atë post. Tek ne, kjo dukuri u shfaq më dhunshëm dhe më dhi(mb)shëm në kohën e diktaturës komuniste, kur, përveç “cilësive” të tjera, po të ishe “me partishmëri të lartë dhe ta vije ndërgjegjen politike mbi ndërgjegjen profesionale”, mund të bëheshe ministër në çdo degë të veprimtarisë jetike të vendit. Në këtë mënyrë, një ditë të bukur, aksh shofer apo filan karrocier (zanate këto gjithsesi të nderuara) u gdhi papritur anëtar byroje politike apo komiteti qendror në gjirin e PPSH-së dhe, jo rrallë ministër i zoti për të kaluar pak më vonë nga kreu i një ministrie në kreun e një tjetre. Pra, për të kaluar nga maja e një dege, në majën e një degë tjetër, bile nga njëra pemë në tjetrën, tamam si një majmun i vërtetë në një xhungël të vërtetë.Sidoqoftë, puna jo vetëm si nocion i mirëfilltë, por edhe si koncept i një ideologjie të caktuar, të pajisur me një terminologji, frazeologji e sintaksë të caktuar, në një regjim të caktuar, ka zënë më së miri vend edhe në fjalorin e politikës. Kështu, për shembull, thuhet “ministria e punës dhe e...”, “ministria e punëve të brendshme”, “ministria e punëve të jashtme”, “ministria e punëve publike”, “ndërhyrje në punët e...”. Nga fjalori i politikës, fjala “punë”, sidomos në numrin shumës, ka kaluar natyrshëm edhe në fjalorin tonë të përditshëm; kësisoj, thuhet rëndom, ndër të tjera, “Mos u merr me punët e qeverisë”, “Mos fut hundët në punët e tjetrit”, “Shiko më mirë punët e tua” etj., etj. Dikur, para gjysmë shekulli, qarkullonte një si shprehje komike që ne, adoleshentët e mëhallës ngjitur me “Shkollën e Kuqe” në Tiranën e Vjetër, e përdornim ashtu si kot, sa për të qeshur: “Ministri i Punëve të Kota, zoti Ali Zallota”. (Të jetë vallë emri Ali Zallota ai i ndonjë ministri të paraçlirimit?) Sigurisht, nuk ia dinim nëntekstin, madje as nuk e dinim se ç’mund të ishte nënteksti. Shpresoj paraprakisht se personat që me gjasë mbajnë sot këtë mbiemër, nuk do të më mbajnë mëri, por shprehja e sapopërmendur ishte gati-gati një lloj batute aso kohe, njësoj si shprehjet “Hasan Hyseni”, “Po flet si e ëma e Zeqos në majë të thanës”, “E humbi si Xhaferri simiten”, “Shko e puthu me Milon” apo “Dhentë e dhitë e Zeres, nami i Hasan Qerres”. Gjithsesi, sot që jam në të hyrë të moshës së tretë (ha, ha, ha! E treta, e vërteta dhe... e fundit, se të katërt nuk ka), besoj se përdorimi i shprehjes në fjalë fshihte një kunj kundrejt atyre ministrave të atëhershëm, të cilët ishin të paaftë për postin që mbanin dhe, rrjedhimisht, nuk e meritonin atë. Prandaj do të isha i lumtur sikur kjo shprehje, pra, “Ministri i Punëve të Kota, zoti Ali Zallota”, të riaktualizohej sot me nëntekstin apo kunjin që mbart, sipas meje, sigurisht. Për këtë qëllim, propozoj që në shprehjen “sa për t’u gjendur Kola në punë”, Kola t’ia lërë për disa kohë vendin Ali Zallotës në mënyrë që kur të kthehet prapë në të, ta dijë se po zë vendin e një ministri, pavarësisht se bëhet fjalë për punët e kota. Ndërkohë, shpresoj sinqerisht që të jetë krijuar edhe një ministri e re, pikërisht “Ministria e Punëve të Kota”. Kjo do t’u vinte veçanërisht për shtat atyre bashkatdhetarëve të mi që mëtojnë se dinë t’i bëjnë mirë të gjitha llojet e punëve, sidomos e para së gjithash punët e kota.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›